E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marquez: Më dhemb cilësia e dobët e shtypit të shkruar

Çmimi Nobel i Letërsisë i vitit 1982, kolombiani Gabriel García Márquez, ka pohuar për Gazetën spanjolle "El Pais" se: “gjithnjë e më shumë po vuan cilësinë e dobët të gazetarisë së shkruar" dhe se, “tani është gjë e rrallë të gjesh një reportazh të shkruar profesionalisht". "Gazetaria është dhunti që jo gjithkush e ka", shpjegoi shkrimtari gjatë Seminarit të VI-të Ndërkombëtar mbi gazetarinë zhvillluar në Monterrey (Meksikë) dhe ku merrnin pjesë gazetarë nga Amerika Latine, Europa dhe SHBA.

Autori i "Njëqind Vjet vetmi", "Dashuria në kohërat e kolerës", u shpreh se gazetaria e sotme e bënte gjithnjë e më depresiv, sepse siç theksoi ai, "gazetarët nuk mund të mendojnë më mirë se sa shkruajnë". García Márquez tha se, gazetarinë e kishte në shpirt dhe se ai është profesioni më i bukur. “Nuk ka profesion më të bukur në botë se sa gazetaria ", pohoi Çmimi Nobel i cili veç kësaj shpjegoi se ndihej keq kur lexonte gazetat dhe cilësinë që ofrojnë ato. Shkrimtari i cili ka marrë Çmimin Rómulo Gallegos (1972), Çmimin Jorge Dimitrov për Paqen (1979); Çmimin Nobel në Letërsi (1982), vuri në dukje se media nuk i jepte më kohën e mjaftueshme gazetarëve. "E pranoj se tani gazetat duhet të konkurrojnë radion dhe televizionin, por shtypi i shkruar ka një hapësirë më të madhe se media elektronike", tha ai. “E shkruara del nga shpirti , mjetet e tjera janë aparate, janë makina", thotë shkrimtari kolumbian. García Márquez, përfaqësuesi i realizmit magjik, cilësoi se tani gjen shumë pak reportazhe apo shënime që mund t’i konsideronte "perla", apo që kur i lexon të bëjnë të thuash: "cili do të jetë ky që e ka shkruar...? ". “Përpara gazetaria ishte më e vështirë. Nuk kishte kaq shumë makineri dhe kjo të bënte të mendoje më shumë", pohon autori i shumë veprave letrare me famë botërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›