Të hetohet për garancinë false bankare për blerjen e ARMO-s
Prokuror në Prokurorinë e Tiranës
I nderuar prokuror
Në emër të klientëve të mi, konsorciumit të përbërë nga Vitol Group, US Balkan Capital Fund Inc, Euroil sh.a dhe NFS Partners (Kolektivisht i quajtur “Konsorciumi i Vitoil”), po ju shkruaj për t’ju informuar për një çështje esenciale, të cilën e kemi zbuluar kohët e fundit që ka lidhje me garancinë bankare të supozuar të performancës prej 25 milion eurosh (“Garancia Bankare”) të dorëzuar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë (METE) nga Refinery Associates of Texas,Inc., Anika Enterprises S.A. dhe Merkuria Energy Group Ltd (“Konsorciumi i RAT-it”) për tendarin e ARMO-s. Konkretisht, ne kemi përcaktuar se bank-garancioni i lëshuar nga Raiffeisen Bank në shumën prej 25 milion euro nuk është lëshuar sipas ligjit apo nuk është Garanci Bankare që merr ligjërisht detyrim për Raiffeisen Bank, përderisa ajo garanci është firmosur nga një nëpunëse që nuk ka nivelin e duhur në Raiffeisen Bank, punonjëse që nuk kishte autoritetin ligjor për të nënshkruar një angazhim të tillë financiar të detyrueshëm, kjo bazuar në rregullat e Bankës Qendrore të Shqipërisë.
Në bazë të qarkores së datës 18 Korrik 2007, të Raiffeisen Bank dhe të shkresës bashkëlidhur me qarkoren, adresuar Bankës Qëndrore të Shqipërisë dhe 17 bankave të tjera kryesore që operojnë në Shqipëri, emri dhe modeli i nënshkrimit të znj, Sonila Bllaci janë listuar në Kategorinë/Grupin B. Në bazë të dispozitave të proceduarave/rregullave bankare të Bankës Qendrore të Shqipërisë dhe atyre të vetë Raiffeisen Bank, stafit të Kategorisë/Grupit “B” nuk i lejohet të nënshkruajnë ose lëshojnë ndonjë dokument/instrument detyrues që mbart angazhim apo obligim financiar për Bankën. Nënshkrimi apo lëshimi i dokumenteve apo instrumenteve të tillë financiarë detyrues është i kufizuar vetëm për stafin epror të Bankës të cilët listohen në Kategorinë/Grupin “A”. Bashkëlidhur po ju dërgojmë qarkoren e datës 18 Korrik, 2007, si dhe emrat dhe modelin e nënshkrimeve të personave të Grupit “B” lidhur me lëshimin apo nënshkrimin e dokumenteve apo zotimeve financiare.
Shkurt, Garancia Bankare e prokuruar nga Konsorciumi i RAT-it dhe lëshuar nga Raiffeisen Bank për llogari të Konsorciumit të RAT-it është mashtruese, e pavlefshme dhe boshe sipas ligjit shqiptar. Prandaj, Konsorciumi i RAT-it ka dështuar në plotësimin e kushtit precedent të kërkuar dhe të domosdoshëm për të fituar tenderin. Përderisa ky kusht precedent nuk është plotësuar, atëherë është gjithashtu boshe/e pavlefshme dhe kontrata e pretenduar midis Konsorciumit të RAT-it dhe Ministrisë për blerjen e aksioneve të ARMO-s.
Për rrjedhojë, ne kërkojmë që ju të përfshini në investigimin tuaj rrethanat e lëshimit të kësaj Garancie Bankare të supozuar. Ne kemi mësuar nga burime të besueshme se znj. Sonila Bllaci, nëpunësja e bankës që ekzekutoi Garancinë Bankare në emër të Raiffeisen Bank, është shkarkuar nga puna vetëm disa ditë pas lëshimit të të ashtuquajturës Garanci Bankare.
Me pak fjalë, ne vendosmërisht besojmë që tërësia e fakteve dhe rrethanave që rrethojnë administrimin e procesit të tenderit, shpallja e fituesit dhe përfundimi i kontratës së shitjes (“Marrëveshja e Shitjes”), përfshirë porositjen dhe dorëzimin e një Garancie Bankare boshe të paligjshme të çojnë vetëm në konkluzionin e qartë dhe të pakundërshtueshëm se procesi i tenderit për ARMO-n është prishur në mënyrë të paligjshme dhe të gabuar nga disa palë në kundërshtim me ligjin shqiptar dhe ndërkombëtar në mënyrë që tenderi t’i jepej jo ofertuesit më të lartë dhe të kualifikuar, i cili plotësonte kriteret dhe procedurat e instruksioneve të tenderit të mandatuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, por (tenderi t’i jepej) një ofertuesi të veçantë të parazgjedhur (“Konsorciumi të RAT-it”) edhe pse oferta e tyre ishte e papërputhur në shumë drejtime, dhe në kohën që u hapën ofertat, oferta e tyre nuk përbënte çmimin më të lartë të aksioneve, bazuar në vlerën aktuale. Në vend që të ndiqeshin procedurat e vendosura, të hartuara nga firma ligjore nga Shtetet e Bashkuara, Patton Bogs dhe të mandatuara me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 82 për të siguruar një proces tenderues të drejtë ligjor dhe transparent, disa zyrtarë të Qeverisë, të cilëve u ishte ngarkuar detyra për zhvillimin e tenderit në një mënyrë të drejtë e të mirëmenaxhuar, kanë vepruar në kundërshtim me ligjin dhe procedurat të mandatuara për zhvillimin e procesit të tenderit me qëllimin që tenderi t’i jepej Konsorciumit të RAT-it. Kjo mund të realizohej vetëm duke e lejuar Konsorciumin e RAT-it të bënte ndërhyrje të dyta dhe të treta në ofertë për të eliminuar kushtet dhe faktet e rëndësishme që e bënin ofertën e tyre të papërputhur dhe duke rritur kështu në mënyrë të paligjshme vlerën e ofertës, pas momentit kur ofertat ishin hapur dhe sapo u përballën me ofertën e klientëve të mi, plotësisht të përputhur e më të lartë, duke i lejuar ata në mënyrë të paligjshme të ndryshonin ofertën nga pagesa e shtrirë në 5 vite, në pagesë të menjëhershme, dhe gjithë ky ndryshim i ofertës është bërë nën maskën e dhënies të “shpjegimeve rreth ofertës”. Tani, ne e mësuam se edhe Garancia Bankare e kërkuar që duhej të sigurohej nga kandidati fitues si kusht për ekzekutimin e kontratës së shitjes, (garancia) është boshe dhe jo detyruese dhe e marrë/lëshuar në rrethana të dyshimta dhe tepër të diskutueshme.
Ne sinqerisht shpresojmë se, më në fund, sundimi i ligjit do të triumfojë, dhe se shtrembërimet, shmangiet e qëllimshme nga një procesi tenderues i drejtë dhe i ndershëm i tenderit në Republikën e Shqipërisë do të kundërshtohen nga Parlamenti, dhe tenderi do t’i jepet fituesit të vërtetë dhe të ligjshëm të procesit të tenderit të ARMO-s – Konsorciumit të Vitol-it. Ne bëjmë të ditur, sidoqoftë, se në rast se Parlamenti dështon të veprojmë në përputhje me ligjet e tij të përcaktuara në disa akte që janë në bazë të procesit të këtij tenderi ndërkombëtar, përfshirë Vendimin Nr. 82, të Këshillit të Ministrave, ose në përputhje me parimet e mirëpërcaktuara të së drejtës ndërkombëtare, dhe nuk e refuzon Kontratën e Shitjes, të paligjshme dhe boshe, të lidhur midis Ministrisë dhe Konsorciumit të RAT-it, klientët e mi do të ndjekin të gjitha opsionet e mundshme ligjore, përfshirë ngritjen e një padie civile në një forum të përshtatshëm ndërkombëtar të drejtësisë në të cilin do të kërkohet minimumi 100 milion euro si kompensim për dëmin moral dhe material. Klientët e mi dhe unë duam t’u falenderojmë për kujdesin tuaj lidhur me këtë çështje. Lutem mos hezitoni për t’u kontraktuar nëse unë mund t’u ofroj ndonjë informacion shtesë apo nëse ju keni ndonjë pyetje.
* Letra e përfaqësuesit ligjor të Vitoil drejtuar prokurorisë. Gjithashtu letra i është dërguar krerëve më të lartë të shtetit dhe përfaqësuesve të huaj në Shqipëri