E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thëllëzat e Trebickës dhe rusët e ARMO-s

Antena brenda familjes

Parlamenti i Shqipërisë miratoi dje dy ligje të rëndësishme, ligjin për gjuetinë dhe ratifikoi shitjen e ARMO-s. Ligji i parë, ai i gjuetisë, zgjoi një humor të paparë tek deputetët, pasi të gjithëve gjahu iu kujton tashmë një mundësi për të hequr qafe atë që nuk do. Megjithëse nuk e zunë në gojë të ndjerin Trebicka, ishte shumë makabër mënyra se si vdekja e tij ngjallte të qeshura pa fund mes deputetëve dhe batuta që pasonin njëri- tjetrin.

Kështu, Neritan Ceka kërkoi një ligj për ndalimin e çifteve, kurse Dokle një ligj për mbrojtjen e gjahtarëve. Miku i rubrikës sonë Flamuri, i cili po ndiqte me vëmendje seancën shfryu nga inati.

- Këta janë debila, tha. Se ç’hyjnë çiftet dhe gjahtari këtu, s’e kuptoj. Trebicka nuk u vra me çifte dhe nuk vdiq si gjahtar. ǒkuptim kanë këto propozime.

- Po ndoshta duan të ironizojnë qeverinë për vdekjen e Trebickës, i thashë.

- Po jo mo zotëri se ekspertiza e thotë qartë që çiftja e tij ka vrarë vetëm thëllëza dhe jo atë. Problemi është si ka mundur të vrasë 8 thëllëza pa pasur njeri tjetër në gjah. Se thëllëzat nuk vriten vetëm. Duhet imituesi, duhet përgatitur vendi, duhen bërë shumë përgatitje. Do të paktën 24 orë përgatitje të dalësh për thëllëza. Vetëm 8 thëllëza s’i vret dot asnjë gjuetar.

- Pra, ti mendon se ka pas njerëz të tjerë në gjueti?

- Nëse ka vrarë tetë thëllëza, ka pasë të tjerë, por, ngaqë u bë gjithë kjo zhurmë, kanë frikë të dalin. Nuk vriten thëllëzat vetëm. E di unë këtë punë. Jam rritur vetë në zona ku ka thëllëza. Nuk shkon dot për gjah vetëm.

- Po mirë, pse nxehesh me deputetët se ata shaka po bënin.

- Po, por po bëjnë shaka me zarar. Se duan ta quajnë vdekjen e Kostës, si vrasje në gjueti. Në fakt nuk është ashtu. Jo, ta them unë që nuk është! Është vdekje e pastër, s’ka lidhje me gjuetinë. E di vetë Kosta pse ka vdekur. Këta ia fusin kot. Dhe po e kanë vrarë, s’ka lidhje me ne. Do ta kenë vrarë ata të tjerët. Se kështu është kur flet lart e poshtë për armë.

- Kush janë të tjerët, se ai është vrarë si në filmat rusë?

-Jo zotëri, nuk kemi lidhje me rusët ne. Ne jemi me amerikanët. Me rusët janë ata që nuk duan të shitet ARMO. E tha mirë një deputet aty. Bëmë mirë që nuk ia dhamë rusëve. Se këta që i blenë nuk janë tamam rusë. Kanë dhe një kompani amerikane. Vetëm ajo Anika Enterprise është ruse. Po është grua e mirë. Është agjente e Taçi Oil për naftën ruse. Me atë kanë punuar gjithë kohën. Dhe dërgesa e parë e lekëve në Tiranë nga Azerbajxhani erdhi. Po Azerbajxhani është nën ndikim amerikan. U ka kthyer shpinën rusëve. Të dytët që donin të blinin ARMO-n ishin tërësisht amerikanë, por ata nuk mund ta blinin. Duhet një që t’i njohë rusët. Ndryshe, siç tha dhe deputeti në Kuvend, rusët na marrin tregun pastaj. Më mirë këta të Taçi Oil se këta i njohin mirë rusët. Kanë dhjetë vjet që punojnë me ta. Këta të Vitoil janë thjesht amerikanë. Amerikanët janë naivë, nuk kuptojnë nga pazaret. Dhe atë që kishin zgjedhur si kontraktor këtu, s’e duroj dot se më gënjeu një herë për një tender. I dhashë tenderin e naftës virgjine në ARMO dhe s’më dha asgjë. Seç më solli ca arra për vit të ri. Nuk e meritonte. E kanë hallall këta ruso- amerikano- shqiptarët që e morën. Kështu s’i ngelet qejfi askujt. Kënaqen të gjithë. S’ka hatërmbetje nga askush.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›