E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbajtja e Kosovës si kontest

1.

Në shtator, brenda disa javësh, do të mbushen 7 muaj nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Kosova do të gjendet si pikë e rendit të ditës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në rrethanat e një zhvillimi normal, do të ishte e pritshme që Kosova të përmendej në kontekst të anëtarësimit në OKB. Ajo që mund të pritet të ndodhë, megjithatë, është se çështja e Kosovës të shtrohet për një votim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, me një rezolutë me të cilën do të kërkohet vlerësimi i Gjykatës Ndërkombëtare të ligjshmërisë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Shtatori demonstron, kështu, në formë të fortë simbolike, shkarjen në ecjen e procesit të pavarësisë së Kosovës.

ǒështë e vërteta, shkarja nuk qe e papritur. Shpallja e pavarësisë së Kosovës, në kontekstin e vet ndërkombëtar, është produkt i një fuqizimi të marrëdhënieve transatlantike (SHBA-BE) dhe i projektit të bashkimit të Evropës, në përgjithësi. Shpallja e pavarësisë, megjithatë, nuk qe akt i konsensusit të fuqive të Perëndimit me Rusinë, rrjedhimisht, nuk qe akt konsensual brenda OKB-së. Dhe, në vend të shtruarjes së procesit të verifikimit përfundimtar ligjor të pavarësisë së Kosovës, nëpërmjet të anëtarësimit në OKB, do të kemi kontestimin e bazës juridike për pavarësinë e Kosovës.

2.

Është pjesë artificiale e debatit ajo mbi frikën për shlyerjen e pavarësisë nëpërmjet të Gjykatës Ndërkombëtare. Këtë e dinë edhe Serbia e edhe Rusia. Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare është joobligativ, madje edhe ashtu do të mund të arrihej pas disa vjetësh.

Ky debat artificial, megjithatë, nuk mund të shlyejë efektet e dëshiruara (me gjasë gjithnjë e në rritje të mbërrihen) në mënyrë që legjitimiteti ndërkombëtar i Kosovës “të ngrihet” në gjendjen e tanishme të njohjeve, dhe të shndërrohet në një kontest juridik ndërkombëtar. Po të kalojë Rezoluta e Serbisë në OKB, e në situatën në të cilën gjendet sot Gjeorgjia pas okupimit rus, te shumë shtete të Botës së Tretë do të krijohet një gjendje ku pavarësia e Kosovës nuk do të njihet para mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare.

Kjo është njëra prej pikave strategjike të synuara të Serbisë e të Rusisë, që të dyja me interesa të ndryshme, por me pikëtakime strategjike. Dy pikat e tjera janë mbajtja e status quo-së në ndarjen faktike të Kosovës, për një periudhë të papërcaktuara dhe krijimi i një gjendjeje të ndërlikuar qeverisjeje në Kosovë, me përzierje kompetencash mes UNMIK-ut, ICO-së, EULEX-it dhe autoriteteve kosovare.

Që të dyja, këto të fundit, krijojnë një rrudhje të mëtutjeshme të qeverisjes kosovare, e cila ka pak iniciativë vetjake për krijim të hapësirës së vet qeverisëse.

3.

Të tri këto pikësynime kanë pothuajse të njëjtin qëllim, të demonstrohet se çështja e Kosovës nuk ka mbërritur zgjidhjen, dhe se është ende e hapur për kontestime e zgjidhje të tjera. Për Serbinë, kjo do të mbërrihej edhe me kalimin e Rezolutës në OKB, me të cilën Serbia do të shkarkohej nga çështja e Kosovës në politikë të brendshme e do ta kalonte në OKB. Me këtë, pushteti i Beogradit do të kishte pozicion më të fortë në politikë të brendshme (duke mos u marrë me Kosovën brenda), dhe pozicion më të fortë negociator jashtë (duke treguar përkrahjen e Botës së Tretë).

Për Rusinë, kjo çështje ka të bëjë me krijimin e gjendjes së mospërmbylljes së proceseve historike. Pavarësia e Kosovës është rrumbullakim i procesit të zhbërjes së Jugosllavisë, si pjesë e një procesi më të gjerë të integrimit të popujve e shteteve të lira të Evropës. Rusia do të demonstrojë se ky proces nuk është përmbyllur, ashtu siç po demonstron në Gjeorgji se procesi historik i krijimit të një Gjeorgjie të pavarur, stabile dhe properëndimore nuk ka përfunduar. Posaçërisht të një Gjeorgjie që do të jetë rrugë transiti për naftën e Azerbajxhanit.

Në çështjen e përmbylljes apo mospërmbylljes së çështjes së Kosovës krijohet pika e ndeshjes mes shteteve të Perëndimit dhe Rusisë e Serbisë.

Për Kosovën, përmbyllja e procesit është jetike. Ndarja e Kosovës do të rrezikonte seriozisht funksionimin ekonomik të vendit, përfshirë edhe furnizimin e tij me ujë (e kjo është jetike për vendin më të thatë të Evropës). Njëkohësisht do të rrezikonte stabilitetin regjional duke ushqyer politikën e irredentizmit shqiptar. Ndërkaq, legjitimiteti i cunguar ndërkombëtar i vendit dhe si mosefikasiteti qeverisës ndërkombëtar-kosovar do të kufizonin seriozisht rritjen ekonomike të vendit më të varfër evropian. Përmbyllja është, po ashtu, një kategori e psikologjisë kolektive: një moment me të cilin vëmendja e vendit duhet përqendruar në zhvillim.

Por, përmbyllja e çështjes së Kosovës tashmë është edhe një sprovë e vet politikës së jashtme të BE-së. Nëse BE-ja nuk mund të ushtrojë fuqinë e vet në atë që është “zona e vet natyrale e interesit” (siç do ta definonte gjeopolitika ruse), si mund ta ushtrojë gjetiu në botë?

4.

Njëra prej tezave që lansoheshin me vite të tëra kundër pavarësisë së Kosovës ishte se humbja e Kosovës për Serbinë do të thoshte humbje për forcat demokratike dhe përkrahje për forcat radikale e nacionaliste.

Ndodhi krejtësisht e kundërta. Pavarësia e Kosovës në fakt forcoi politikën proevropiane në Serbi në zgjedhjet e fundit ndërsa tash po ndodh procesi i ndarjes së forcave radikale.

Integrimi evropian, pas Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të jetë çështja kyçe e politikës së jashtme të Serbisë. Projekti i Beogradit është, thënë në karikaturë, që Kosova t’u mbetet të painkuadruarve, ndërsa Serbia t’i mbetet Evropës, që do të thotë se çështja e Kosovës do të trajtohet si pjesë e Gjykatës Ndërkombëtare me ndihmën e votave të të painkuadruarve, ndërsa çështja e Serbisë, pas Asamblesë së Përgjithshme, si çështje e integrimin në BE.

Por, kjo, njëkohësisht, mund të jetë pika ndeshëse e Serbisë me projektin evropian në Kosovë. Serbia do ta gjejë veten në paradoksin e të kërkuarit që të anëtarësohet në BE, duke qenë kundërshtare e politikës evropiane në Kosovë. BE-ja do ta gjejë veten në paradoksin e nevojës së joshjes më të shpejtë të Serbisë në BE, ani pse është kundër politikës së saj në Kosovë. E Kosova, e përfaqësuar me autoritetet e saj do ta ketë të vështirë të kuptojë se në çfarë paradoksi gjendet. Me mungesë politikëbërjeje, iniciativash dhe mendimi vetjak që shkon përtej atij të marrë nga një ambasadë të rëndësishme, do të vazhdojë të jetë spektator i fatit të vet.

(Ky shkrim mbështetet në fjalën e mbajtur në UCL-University College of London, në Konferencën kushtuar Kosovës)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›