E Shtunë, 31 Tetor 2026

“E vërteta e implikimit të Koçi Xoxes e Bedri Spahiut në vrasjen e Baba Fajës”

Proces-verbalet e hetuesisë së Kadri Hazbiut hedhin dritë mbi vrasjen e Baba Fajës së Martaneshit, krim për të cilin kreu i Sigurimit kishte akuzuar dy anëtarët e Byrosë, Koçi Xoxen dhe Bedri Hazbiun. “Mestan Ujaniku i akuzonte ata si shtytës të reformave që donin të bënin Baba Faja e Baba Fejzua”

Kadri Hazbiu: Vetëvrasja e Nako

Spiru, pas konflikteve me Enverin

Kadri Hazbiu pohonte në hetuesi se vetëvrasjen e Nako Spiru e kishte mësuar nga Nesti Kerënxhi, pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik. “Nesti na vuri në dijeni që ishte përjashtuar nga Plenumi Mehmet Shehu dhe kishte vrarë veten Nako Spiru, sepse kishte pasur konflikte me udhëheqësin e Partisë dhe nuk kishte bërë autokritikë”

Hetuesia e Kadri Hazbiut, i cilësuar si njeriu kyç i Sigurimit u është rikthyer të gjitha çështjeve të errëta, që nga koha e luftës e deri në vitin 1982. Një nga këto çështje ishte vrasja e Baba Fajës së Martaneshit, për të cilin Hazbiu është pyetur nëse kishte të dhëna për implikimin në këtë çështje të Koçi Xoxes e Bedri Spahiut. Megjithë mohimin e tij, proces-verbalet e hetuesisë së Kadri Hazbiut hedhin dritë mbi një deklaratë të mëparshme të tij, ku akuzonte anëtarët e Byrosë për këtë vrasje të dyshimtë. Në proces-verbalet e marra nga libri “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja” i Kastriot Dervishit, që “MAPO” boton sot zbardhen edhe momentet e para të njohjes së Kadri Hazbiut me Koçi Xoxen e Mehmet Shehun, si dhe mënyra sesi ai e kishte mësuar vetëvrasjen e Nako Spiru, pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik. Në një seancë të plotë, Hazbiu merret në pyetje edhe për qëndrimin e Partisë dhe udhëheqësit ndaj autokritikës së tij, për të cilën përgjigjet i dorëzuar për fatin që e priste: Partia me udhëheqësin e saj do ta kthjellojnë plotësisht të vërtetën mbi çështjen time, pavarësisht do jem apo jo gjallë unë.

Pyetje: Na jepni shpjegime rreth pikës 2 të deklaratës, me të cilën u njohët tërësisht, e cila bën fjalë për rrethanat e vrasjes së Baba Fajës (Martaneshit) dhe Baba Fejzos, sipas shpjegimeve që ju ka dhënë në hetuesi i pandehuri Mestan Ujaniku. ǒdini të na thoni për rolin e Koçi Xoxes dhe Bedri Spahiut në këtë vrasje?

Përgjigje: Sipas deklaratës që më lexuat ju dhe që e lexova edhe vetë, unë hollësi të tjera nuk di të them.

Pyetje: Nga deklarata del se për këtë çështje, vrasjen e Baba Fajës, ju jeni thirrur për të raportuar te Koçi Xoxe. A ju kujtohet ç’keni raportuar?

Përgjigje: Mua nuk më kujtohet se ç’kam raportuar, veç atyre që thuhen në deklaratë.

Pyetje: Në deklaratë bëhet fjalë për vrasjen se ajo është e organizuar dhe se për të implikohej Koçi Xoxe e Bedri Spahiu. Na thoni, i pandehur, ç’dini për këtë problem dhe ç’keni bërë për të sqaruar implikimin e këtyre dy tradhtarëve (Koçi Xoxes e Bedri Spahiut) në një vrasje me karakter politik, si ajo e Baba Fajës dhe e Baba Fejzos?

Përgjigje: Unë nuk kam bërë asgjë. Mua nuk më kujtohen rrethanat dhe udhëzimet që më janë dhënë. Unë këtë nuk e kam bërë, sepse kam gjykuar që implikimi nuk ishte i vërtetë.

Pyetje: Nga ç’kritere jeni nisur ju, i pandehur, për ta vlerësuar si të paqenë implikimin e të pandehurit Mestan Ujaniku për këtë problem?

Përgjigje: Unë nuk e kam vlerësuar si të vërtetë, sepse Mestani jepte disa versione rreth kësaj vrasje.

Pyetje: Në deklaratë ju shpreheni, ndërmjet të tjerash se: “mua më duket se komprometoheni ju, si të Byrosë” (Koçi e Bedriu) dhe se tradhtari Koçi Xoxe ju ka thënë se “vrasja… është rezultat i një pune të organizuar, që në të mund e duhet të kenë gisht dhe njerëz të Partisë”. Na shpjegoni përse i keni thënë Koçi Xoxes që komprometoheni në këtë vrasje dhe si e keni zbatuar porosinë për të gjetur njerëzit e Partisë që kishin gisht në vrasje, sipas tradhtarit Koçi Xoxe?

Përgjigje: Me kompromentim kam pasur parasysh atë që Koçi Xoxe e Bedri Spahiu konsideroheshin nga Mestan Ujaniku, si shtytës të reformave që donin të bënin Baba Faja e Baba Fejzua, kurse për sa i përket orientimit që të gjenim njerëzit e partisë që mund dhe duhet të kishin gisht në vrasje, nuk më kujtohet të kem marrë ndonjë masë.

Pyetje: A është në përputhje me vijën e partisë orientimi për të kërkuar vrasësit e Baba Fajës dhe të Baba Fejzos në radhët e njerëzve të Partisë?

Përgjigje: Nuk përgjigjem.

(Kadri Hazbiu refuzon të nënshkruajë procesverbalin e kësaj date).

Pyetje: A jeni marrë ju, i pandehur, me hetimin e çështjes penale kundër armikut Mestan Ujaniku?

Përgjigje: Direkt unë nuk e kam pasur në hetim çështjen e Mestan Ujanikut, por duhet të kem shkuar në hetim. Unë nuk kujtoj se kush ka qenë hetues i kësaj çështjeje.

Pyetje: A është interesuar ndonjëherë tradhtari Koçi Xoxe për këtë çështje? Nëse po, në ç’drejtim është interesuar?

Përgjigje: Mua nuk më kujtohet që të jetë interesuar direkt Koçi Xoxe për këtë problem. Të tjerët, nga drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë interesuar.

Pyetje: A kanë dalë të dhëna për vrasjen e Baba Fajës (Martaneshit) në procesin e Mestan Ujanikut? Nëse kanë dalë, a implikoheshin për vrasjen e tij kuadro drejtuese në atë kohë?

Përgjigje: Mua nuk më kujtohet që të ketë pasur implikime të tilla në këtë proces. Unë di që vrasja e Mustafa Xhanit dhe e Baba Fejzos është rrjedhim i fanatizmit të Dedeit që i vrau dhe në fund vrau edhe veten.

Pyetje: A janë bërë përpjekje që vrasjen e këtyre dy personave (Baba Fajës dhe Baba Fejzos) tradhtari Koçi Xoxe ta shfrytëzojë për të sulmuar shokë të udhëheqjes së Partisë në atë kohë?

Përgjigje: Unë vetë, nuk kam marrë udhëzime të tilla nga Koçi Xoxe dhe nuk më kujtohet që të kem raportuar për këtë proces.

Pyetje: A është implikuar vetë Koçi Xoxe në këtë proces hetimor (të Mestan Ujanikut) apo ndonjë kuadër tjetër drejtues i Partisë?

Përgjigje: Unë nuk di gjë. Unë tani po dëgjoj për këtë çështje. Po të jetë se është arritur në konkluzionin se ky implikim ka qenë shpifje, unë nuk e kam mbajtur mend, në të kundërtën, normalisht, duhet ta kujtoja. Unë aktualisht nuk kujtoj që të ketë pasur ndonjë implikim të tillë.

Pyetje: Na tregoni i pandehur, në ç’rrethana jeni njohur me Koçi Xoxen e ç’marrëdhënie keni pasur me të?

Përgjigje: Unë për herë të parë Koçi Xoxen e kam njohur në një aktiv Partie të Brigadës, në vitin 1344, pak para Kongresit të Përmetit, në fshatin Nivan të Gjirokastër ku ai erdhi si i deleguar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Atje si të gjithë të tjerët edhe unë jam takuar me të. Më nga afër me Koçi Xoxen jam njohur mbas Çlirimit të Shqipërisë, kur u caktova në detyrë në Drejtorinë e Mbrojtjes së Popullit, në vitin 1945. Unë fillimisht jam paraqitur te Kiço Ngjela, që ishte drejtor i kuadrit në Komitetin Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë e te Manush Myftiu, të cilët më thanë të paraqitesha për të marrë udhëzimet te Nesti Kerenxhi. Unë kam shkuar te ky i fundit, i cili më dha udhëzimet përkatëse për punën që do të bëja. Rrethanat konkrete se si jam njohur me Koçi Xoxen mua nuk më kujtohen, por di që kemi pasur marrëdhënie pune, si drejtues i dikasterit që ishte. Marrëdhëniet e vartësisë direkte të punës unë i kisha me Nesti Kerenxhin, por kishte raste që kontaktohesha edhe me Koçi Xoxen.

Unë Koçi Xoxen, si drejtues Partie që ishte e kam respektuar dhe e kam çmuar, por ndonjë afrim me të, më larg se raportet e punës, nuk kam pasur.

Pyetje: Jeni takuar me Koçi Xoxen në kohën e Plenumit të 8-të të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë të vitit 1948 ju, i pandehur?

Përgjigje: Personalisht unë nuk jam takuar me Koçi Xoxen në kohën që zhvillonte punimet Plenumi i 8-të. Me të, unë jam parë në aktivin e Partisë që është mbajtur në Shkollën e Dakos, në Tiranë, pas Plenumit të 8-të të Partisë Komuniste të Shqipërisë, ku u punuan konkluzionet e këtij Plenumi për përjashtimin e Mehmet Shehut. Në këtë aktiv, siç kam shpjeguar edhe në proceset e mëparshme, unë kam diskutuar dhe jam solidarizuar me dënimin e Mehmet Shehut dhe me vendimet e Plenumit të 8-të. Unë kam bërë edhe kritikë për Mehmet Shehun në atë kohë. Edhe pas këtij aktivi marrëdhëniet me Koçi Xoxen, unë i kam pasur si më parë. Nuk më kujtohet që të jem takuar pas aktivit ose gjatë aktivit me Koçi Xoxen. Po kështu, unë nuk kujtoj që të jem takuar pas aktivit me Nesti Kerenxhin. Me të jam takuar, siç kam thënë edhe më parë, vetëm kur u ktheva nga Bashkimi Sovjetik, kur ai na vuri në dijeni për gjendjen në parti pas Plenumit të 8-të të Partisë Komuniste të Shqipërisë. Konkretisht, më kujtohet se Nesti na vuri në dijeni që ishte përjashtuar nga Plenumi Mehmet Shehu dhe kishte vrarë veten Nako Spiru, sepse kishte pasur konflikte me udhëheqësin e Partisë dhe nuk kishte bërë autokritikë, por kishte vrarë veten. Për Mehmet Shehun na tha se ishte përjashtuar se kishte bërë gabime, se ishte arrogant e prepotent. Nesti na tha se hollësirat do t’i mësonin në aktivin e Partisë, që do të bëhej për të dhënë konkluzionet e Plenumit të 8-të.

Pyetje: Na shpjegoni, i pandehur, ç’veprimtari armiqësore keni zhvilluar kundër Partisë së Punës së Shqipërisë dhe shtetit?

Përgjigje: Unë nuk kam zhvilluar veprimtari armiqësore kundër Partisë e shtetit.

Pyetje: Si e konsideroni ju, i pandehur, vlerësimin që ju bëri Partia që ju cilësoi si tradhtar?

Përgjigje: Këtë cilësim që më ka bërë partia, unë e quaj të gabuar. Unë nuk jam tradhtar. Konkluzioni që ka arritur udhëheqësi i partisë mbi tradhtinë time është rezultat i vendimit të gabuar, që më cilëson mua tradhtar.

Pyetje: Si është e mundur i pandehur që Partia të vendosë për një problem kaq serioz në mënyrë të gabuar?

Përgjigje: Kam bindje se Partia e Punës së Shqipërisë me udhëheqësin e saj do ta kthjellojë plotësisht të vërtetën mbi çështjen time, pavarësisht do jem apo jo gjallë unë.

Pyetje: Partia e Punës së Shqipërisë dhe udhëheqësi i saj mbi bazën e veprimtarisë tënde armiqësore dhe analizave të bëra mbi bazën e fakteve të ka flakur me neveri prej radhëve të saj, si tradhtar. Çfarë tjetër prisni ju i pandehur nga Partia?

Përgjigje: Unë pres që partia ta rishikojë vendimin e saj dhe kam bindjen se do ta kthjellojë çështjen dhe të vërtetën se unë s’jam tradhtar.

Pyetje: A ia thatë Partisë mendimet tuaja rreth problemeve që u akuzuat ju, i pandehur?

Përgjigje: Ia kam thënë Partisë dhe në hetuesi. Ia kam thënë Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, udhëheqësit dhe hetuesisë.

Pyetje: A keni lënë ndonjë argument ose fakt pa thënë për shfajësimin tuaj?

Përgjigje: Nuk më ka mbetur gjë pa thënë.

Pyetje: Si i vlerësoi partia dhe udhëheqësi këto gabime e justifikime tuajat, i pandehur?

Përgjigje: Nuk i përgjigjem dhe s’ka pse t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.

Pyetje: Na tregoni, i pandehur, në ç’rrethana jeni njohur me tradhtarin Mehmet Shehu?

Përgjigje: Gjatë vitit 1942 me porosi të Komitetit Qarkor të Vlorës unë kisha realizuar lidhje me disa fshatarë patriotë nga Mallakastra e Sipërme, me të cilët më lidhnin relata miqësore familjare.... Në atë kohë, nga viti 1942, në Klos kishte ardhur edhe Bilbil Klosi, për të cilin kisha marrë porosi nga Hysni Kapua ta takoja, si njeri të mirë, që ishte përparimtar. Shkova disa herë për ta takuar në Klos, por nuk e gjeta, derisa, më në fund, sekretari i qarkorit më tha se kishte arritur ta takonte vetë Bilbilin.

Aty nga muaji gusht ose shtator i vitit 1942, në një rast që shkova në Mallakastër, Xhelil Bilali më tha se në fshat ka ardhur një person që ka qenë jashtë shtetit, në Spanjë, pastaj ka qenë në burg dhe tani është liruar, i cili disa herë më ka kërkuar që të takohet me ty. Më tha se quhej Mehmet Shehu dhe është i biri i Shehut të fshatit. Duke marrë garanci nga Xhelili, unë pranova të takohem me Mehmet Shehun. Ky takim u bë në një qafë, në fshatin Çorrush, duke qenë vetëm unë dhe ai. Në këtë takim Mehmet Shehu më tha se kishte dëgjuar që unë shkoja në Mallakastër dhe kisha lidhje me Qarkorin e Vlorës. Më tregoi si quhej dhe kërkoi të takohej me shokët e qarkorit, nuk më kujtohet nëse më tha pseudonimin e tij, por më tha se po t’u thosha për kërkesën time, ata të Qarkorit e dinin. “Unë, - tha Mehmet Shehu – jam këtu në shtëpi”. Duke u nisur nga rregullat e konspiracionit, nuk i mora përsipër që ta takoja me shokët e qarkorit, por i thashë që, po takova ndonjë të njohur, do të interesohem për këtë çështje.

Kur u ktheva në Vlorë njoftova sekretarin politik të Qarkorit të Vlorës, i cili më tha se e dinte që kishte ardhur Mehmet Shehu. Më vonë, unë nuk u mora me këtë punë, sepse vetë sekretari e rregulloi takimin, por se si e arriti këtë, unë nuk e di. Kur u takova me Mehmet Shehun, ai më pyeti për luftën në Qarkun e Vlorës. I thashë se ka njësi të partizanëve se ato i udhëheq Partia Komuniste dhe se populli është ngritur në luftë pa dallim feje, krahine e ideje. Takimi nuk zgjati më tepër se gjysmë ore. Mehmeti më tregoi se kishte qenë në Luftën e Spanjës, se kishte qenë në burg dhe se kishte dëshirë të takohej me shokët. Ky ka qenë takimi i parë me Mehmet Shehun....Që nga ajo kohë unë kam krijuar shoqëri me Mehmet Shehun, të cilën e kemi mbajtur deri kur ai vrau veten. ...Në vitin 1943, në qarkun e Vlorës ka qenë edhe Dushan Mugosha, i cili si kam shpjeguar, ka qenë edhe në shtëpinë time, por unë nuk mbaj mend që të ketë qenë në shtëpinë time së bashku me Mehmet Shehun. Në Qarkun e Vlorës, Mehmet Shehu ka qëndruar deri në kohën që u krijua Brigada I Sulmuese. Ndonjë çështje me rëndësi për t’u shënuar, në marrëdhëniet e mia me Mehmet Shehun, në atë periudhë, nuk ka.

Pyetje: Mbasi u largua nga Qarku i Vlorës Mehmet Shehu, a jeni takuar më me të gjatë kohës së Luftës Nacionalçlirimtare?

Përgjigje: Mbas kësaj kohe, jam takuar edhe herë të tjera me Mehmet Shehun, në Qafën e Gjarprit në qershor të vitit 1944, në aktivin e Partisë të Divizionit, në Kulmak dhe së bashku kemi marshuar në përbërjen e Divizionit të I Sulmues deri në Shpal të Tiranës, takime për të cilat do të shpjegoj në proceset e mëpasme. Këto kam për të shpjeguar për sa u pyeta.

Pyetje: Na shpjegoni, i pandehur, a jeni takuar me tradhtarin Mehmet Shehu gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, veç rasteve që përmendët në procesin e djeshëm?

Përgjigje: Mbas takimeve që kam pasur kur kam qenë në qarkun e Vlorës, me tradhtarin Mehmet Shehu unë jam takuar për herë të parë në Skrapar në fshatin Potom, ku ne na u njoftua se ishte krijuar Divizioni i Parë Sulmues dhe Mehmet Shehu, që ishte caktuar zëvendëskomandant i këtij Divizioni. Erdhi në Brigadën tonë që u inkuadrua në këtë njësi. Po atë ditë ne (Brigada e 5-të) kemi shkuar e kemi zëvendësuar në Qafë të Gjarprit Brigadën e Parë Sulmuese dhe pa njohur mirë terrenin, jemi futur në luftim. Megjithëse gjermanët u thyen e u vranë shumë prej tyre, edhe ne patëm humbje në njerëz. Edhe ditën tjetër megjithëse kemi shfaqur mendimin se pozicionet ku kishim luftuar një natë më parë ishin të papërshtatshme dhe kemi vendosur të zinim pozicione të reja, në drejtim të lumit të Tomorricës, jemi urdhëruar nga komanda e brigadës, ku ishte edhe Mehmet Shehu, që të qëndronim në pozicionet e mëparshme e si rrjedhim nuk u arritën ato rezultate që mund të arriheshin, qoftë në shpartallimin e forcave gjermane, qoftë në ruajtjen e forcave tona. Megjithatë, Mehmet Shehu këtë luftim e quajti si një luftim të shquar, nga më të ashprit që kishte parë, në një kohë që më vonë, nga Shtabi i Përgjithshëm u kritikuam që kishim luftuar pa njohur terrenin. Në atë kohë, jam parë përsëri me Mehmet Shehun në një aktiv Partie që u mbajt në Kulmak (aktivi i Divizionit). Që andej, së bashku me ne Mehmet Shehu ka marshuar me brigadën tonë deri në Kërrabë të Tiranës. Më pas, jemi parë prapë me të, kur kemi rrethuar forcat e Bazit të Canit në zonën e Tujanit e burimeve të Selitës. Një batalion, me të cilën ndodhej edhe Mehmet Shehu, që ishte caktuar të godiste forcat zogiste, pasi të thyheshin nga sulmi ynë, megjithëse i kishte mundësitë, nuk doli në kohën e duhur në vendin e caktuar e për rrjedhim nuk u asgjësuan forcat zogiste. Siç mësuam më vonë, në vend që të vazhdonin marshimin për në vendin e caktuar, forcat e batalionit ku ishte Mehmet Shehu, ishin urdhëruar prej tij të zinin dy anglezë që ishin në një kodër. Më vonë, pas vetëvrasjes së tij kam mësuar që tradhtari Mehmet Shehu, megjithëse kishte marrë urdhër të sulmonte forcat e Abaz Kupit, nuk kishte dashur ta bënte këtë punë, derisa ishte urdhëruar për së dyti herë, që të sulmonte e shpartallonte këto forca. Gjatë kohës së luftës nacionalçlirimtare jam takuar për herë të fundit me Mehmet Shehun në Peshkopi, kur më ngarkoi të shkoja në Martanesh për të dërguar disa të plagosur dhe disa robër që kishim zënë në korparmatë, si dhe për të plotësuar brigadën me forca të reja që do të mobilizonin me ndihmën e Mustafa Xhanit (Baba Fajës). Për këtë qëllim, tradhtari Mehmet Shehu më ka dhënë një letër për Baba Fajën. Në këto takime me të, nuk kam bërë ndonjë bisedë që vlen të përmendet dhe nuk kam ndonjë problem që ka të bëjë me veprimtari armiqësore të tradhtarit Mehmet Shehu.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›