Komisioni Europian vërejtje për komisionet e bankave
Statistikat e Komisionit Europian tregojnë se, rreth 30 milionë qytetarë europianë, nuk janë në gjendje të hapin një llogari bankare. I shqetësuar për këtë fakt, Brukseli u ka kërkuar instituteve bankare, lehtësimin e procedurave për hapje të llogarisë si dhe ulje të kostove. Nëse nuk do të ketë masa të menjëhershme, KE, do të kërkojë zgjidhje përmes ligjit. Nëse deri më tani, europianët janë përpjekur të gjejnë bankën që ka tarifat më të ulëta për të gjitha operacionet bankare për të vendosur paratë e tyre, apo për të marrë kredi, një raport i ri tregon se ata janë lodhur më kot dhe mbi të gjitha thuajse në të gjitha rastet kanë dalë të paqartë nga takimet me oficerin bankier. Një raport i publikuar nga Komisioni Europian e përshkruan strukturën e çmimeve për llogaritë rrjedhëse të ofruar nga bankat europiane si "shumë të mjegullta dhe mbi të gjitha fare të paqarta për kon-sumatorët që duan të dinë se sa paguajnë dhe në bazë të çfarë përllogaritjeje". Informacioni në uebsajtet e bankave dhe ai i materialeve të bankave është aq i paqartë, sa ekspertët e Komisionit Europian që u morën me hartimin e raportit të mësipërm u detyruan të kontaktonin 66% të bankave që morën në shqyrtim, në mënyrë që të llogarisnin koston reale të një llogarie bankare. Raporti, i cili është hartuar pas një mbikëqyrjeje që u është bërë 221 bankave të ndryshme, të cilat përbëjnë 81% të tregut të Bashkimit Europian, tregon se konsumatorët paguajnë shumë më tepër për llogaritë e tyre rrjedhëse në disa shtete të caktuara të BE-së.