Eurozona, 3 opsione për “paketën 2” të Greqisë
Sipas një dokumenti në posedim të Reuters, zyrtarët e Eurozonës kanë theksuar 3 opsione bazë për përfshirjen e sektorit privat, në zbatimin e paketës së dytë të ndihmës financiare për Greqinë. Këto opsione janë shprehur gjatë telekonferencës së javës së kaluar dhe dokumenti në posedim të agjencisë së lajmeve është përgatitur në datën 16 Korrik.
Sipas këtij dokumenti, opsioni i parë që do të shqyrtohet në takimin e udhëheqësve në ditën e enjte do jetë riblerja nga investitorët privatë të borxhit të Greqisë, në këtë rast me mbështetjen e kreditit të sektorit publik të Eurozonës. Kjo mundësi e parë mund të shkaktojë një zhvlerësim të borxhit grek në nivelin e “falimentit të përzgjedhur”, ose të “falimentit” nga 3 agjencitë kryesore globale të vlerësimit të kreditit. Mundësia e dytë që do të shqyrtohet bazohet në propozimin e Francës për një shkëmbim të borxhit. Kjo mundësi mund të realizohet pa përfshirjen e garancive të kreditit nga sektori publik.
Edhe Jean-Claude Trichet duket se, pret që 17 vendet e eurozonës të preferojnë një zgjidhje që çon në faljen e një pjese të borxhit grek. Sidoqoftë shefi i BQE u ndje i detyruar të kërcënonte qeveritë e vendeve të eurozonës. Trichet u shpreh se nëse vendimi i samitit të enjten do të çojë në një anulim të obligimeve të Greqisë ndaj kreditorëve, "qeveritë duhet të marrin masa që sistemit të euros t'i jepen garanci që të jenë të pranueshme". Thënë më qartë, nëse 17 shtetet e eurozonës do të vendosin për një zgjidhje e cila nga agjencitë e vlerësimit do të shihet si mospagim borxhesh. BQE nuk do t'i pranojë më si garanci obligacionet greke. Bankat greke pra nuk do të mund të marrin më para nga BQE në këmbim të obligacioneve shtetërore greke. Kjo mund të çojë në një kolaps të bankave grekeve. "Qeveritë mbajnë përgjegjësi për këtë", tha Trichet.
Por BQE është gjithnjë e më e vetmuar me refuzimin për reduktimin e borxhit grek. Shumë ekspertë të ekonomisë e shohin faljen e një pjese të borxhit grek si të domosdoshme.