E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një javë kohë, sot nis shpërndarja e Formularit A2

Nis sot shpërndarja e Formularit A2 në drejtoritë arsimore, për të kaluar më pas në shkolla, prej nga ku mund të tërhiqet nga maturantët. Këta të fundit do të kenë afat rreth 1 javë për të renditur dhjetë degët e tyre të preferuara. “Sot përfundon personalizimi i formularëve dhe nesër fillon shpërndarja në drejtoritë arsimore dhe zyrat arsimore rajonale. Dorëzimi nga ana e maturantëve nëpër shkolla do të bëhet në datën 28. Askush nuk ka të drejtë t’i ushtrojë presion maturantëve për dorëzim për dy apo tri ditë. Kanë shtatë ditë në dispozicion. Çdo maturant, në mënyrë absolute nuk është e lejueshme që të marrë formularin origjinal, por fotokopjen e tij, sepse formularët origjinalë administrohen nga shkolla”, - thotë drejtori i Agjencisë së Pranimeve, Arben Fagu. Rezultatet e Formularit A2 do të dalin në bazë të lexuesit optikë. Nëse të rinjtë do të kenë pakënaqësi rreth pikëve të tyre, ata mund të plotësojnë formularin e ankesës për korrigjimin pranë shkollave të tyre. Këtë vit, për herë të parë, gjatë vlerësimit të formularëve specialistët e arsimit do të kenë në duar edhe mesataret e nxënësve, për të shmangur çdo lloj pasaktësie në rezultate.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›