Plehrat në Korçë, Olldashi nënshkruan marrëveshjen 2 mln euro
Menaxhimi i mbetjeve urbane në Korçë ka marrë zgjidhje dje. Ministrit të Punëve Publike, Sokol Olldashi, dhe ambasadores gjermane, Karola Myller-Holtkemper nënshkruan një marrëveshje për zbatimin e projektit me vlerë 2 milionë euro.
Projekti në fjalë është në kuadër të një bashkëpunimi të konsoliduar tashmë, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Republikës Federale Gjermane dhe synon përmirësimin e cilësisë së mjedisit, shëndetit publik dhe mbrojtjen e burimeve natyrore. Në saj të kësaj marrëveshje, qeveria gjermane i akordon qeverisë shqiptare një grant prej 2 milionë euro, dhe kjo vetëm për fazën e parë të këtij projekti, e cila do të shërbejë për mbulimin e periudhës së ndërmjetme, deri në realizimin e landfillit për qarkun e Korçës, i cili do të jetë gati në vitin 2013. Gjatë fjalës së tij, ministri Olldashi u shpreh: “Investimi i qeverisë gjermane në sektorin e ujit dhe mbetjeve të ngurta vazhdon të mbetet primar, dhe përbën investitorin kryesor në këtë sektor, qoftë përmes fondeve apo bankave të saj, përfshirë këtu dhe Bankën Gjermane për Zhvillim”. Më tej, ministri Olldashi duke folur për projektin në fjalë sqaroi se faza e parë e këtij projekti parashikon punime për mirëmbajtjen e fushës ekzistuese, përmirësimin e depozitimit të mbetjeve, mbajtjen nën kontroll të situatës së mbetjeve, si dhe mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik të banorëve të Shqipërisë Juglindore, konkretisht të qytetit të Korçës, Pogradecit dhe fshatrave përreth. Ky është një projekt i ndërmjetëm, që do t’i paraprijë ndërtimit të landfillit me një paketë të siguruar financimi prej 9.8 milionë euro. “Marrëveshja që nënshkruajmë sot, përmbush një boshllëk të bashkëpunimit tonë të deri tanishëm, pasi mbetjet janë bërë një problem i cili dëmton peisazhin mjaft të bukur të këtij vendi, veçanërisht luginat e lumenjve, problem që shpesh herë është konstatuar edhe nga turistët e huaj”.