E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokufest, si serbët bllokojnë postën e festivalit

SHKRUAN: Aida Tuci 20-07-2011 10:39

Vetëm këtë vit organizatorët kanë pranuar 800 filma online, pasi kanë hasur probleme në të kaluarën me postën që kalonte përmes Beogradit. Drejtori artistik i Festivalit, Veton Nurkollari, shpjegon se Beogradi bllokonte filmat që duhej të paraqiteshin në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër vetëm sepse ai zhvillohej në Kosovë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest, më 23 korrik nis edicionin e 10-të të tij. Një Festival që ka hyrë në listën e më të mirëve në botë, sipas drejtorit artistik të saj Veton Nurkollari, i cili ishte i pranishëm pak ditë më parë në Tiranë për të shpallur risitë e përvjetorit të 10-të të këtij Festivali, ku do të paraqiten 180 filma që përfaqësojë 55 shtete të ndryshme të botës. Një Festival i cili që nga edicioni i parë deri tek i 10-ti ka kaluar shumë barriera. Një prej tyre ishte barriera serbe nga ku kalonin filmat që donin të ishin pjesë e këtij festivali. “Nga 2100 filma që janë paraqitur në DokuFest, kemi arritur të përzgjedhim 180 prej tyre. Me arritjet e teknologjisë është bërë e mundur që pjesa më e madhe e tyre të prezantohen online. Duke filluar nga ky edicion e në të ardhmen organizatorët e DokuFest do të pranojnë vetëm filmat që vijnë online” - shprehet drejtori artistik Veton Nurkollari. Arsyeja se përse është bërë kjo zgjedhje ka të bëjë me vështirësitë që hasin filmat për të ardhur përmes postës në DokuFest. “Vetëm këtë vit kemi pranuar 800 filma online, pasi kemi pasur probleme në të kaluarën me postës. Pjesa më e madhe e postës kalon nga Beogradi dhe shumë prej filmave nuk arrinin në destinacion për shkaqe të ndryshme. Filmat arrinin deri në Beograd, por nuk vinin në Kosovë, sepse bllokoheshin pikërisht aty dhe ktheheshin mbrapsht. Në këtë situatë kemi vendosur që filmat që do të prezantohen në DokuFest të vijnë të gjithë në rrugë elektronike. Kështu në të ardhmen do ta eliminojmë tërësisht postën duke shmangur edhe barrierat që na krijonte Beogradi” – u shpreh drejtori artistik Veton Nurkollari. Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, “DokuFest”, mbahet si në këto 10 vjet në Prizren, nga data 23 deri me 31 korrik. Në prezantimin e tyre në Tiranë, organizatorët dhanë detaje rreth këtij edicioni, që pritet të jetë më i madhi i zhvilluar deri më tani. Në DokuFest sivjet do të shfaqen 186 filma, nga gjithsej 55 vende të botës, të selektuara nga mbi 2100 aplikime. Nga Shqipëria prezantohen rreth 20 filma në të gjitha kategoritë konkurruese. Është numri më i madh i filmave shqiptarë që prezantohet në DokuFest. Filmat do të shfaqen në 7 kinema, ndërsa përveç kinemasë mbi lum dhe asaj në Kalanë e qytetit, Prizrenit do t’i shtohet edhe një kinema tjetër, ajo e Lidhjes së Prizrenit. Përveç programeve të shumta garuese dhe speciale me filma të përzgjedhur, DokuFest sivjet organizon edhe një numër seminaresh dhe debatesh të ndryshme. Njërin nga debatet do ta mbajë regjisori i njohur iranian Mohsen Makhmalbaf, i cili do të flasë lidhur me revolucionin e kinemasë iraniane. Po ashtu, prezent do të jetë edhe regjisori i nominuar dy herë për “Oskar”, James Longley, i cili do të mbajë një takim me filmëbërësit e rinj nga rajoni, lidhur me regjinë e filmit dokumentar. Përveç kësaj, të dy regjisorëve të festivalit do t’u kushtohet edhe nga një retrospektivë e shkurtër, ku do të shfaqen disa prej filmave që ata kanë realizuar. Një tjetër e ftuar VIP e edicionit të DokuFest do të jetë edhe këngëtarja e njohur britanike Pj Harvey së bashku me fotografin irlandez Seamus Murphy, me të cilin Harvey bashkëpunoi në albumin e saj të fundit “Let England Shake”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›