E vërteta e mbledhjes së 81 partive në Moskë, breshëri akuzash ndaj Enverit
Denoncimi i Shqipërisë: “Nikita Hrushovi u largua nga rruga e marksizëm-leninizmit”. Hapat që sollën ndarjen mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik pas viteve ‘60
Ngjarjet e kohëve të fundit, konkretisht afrimi e pajtimi i plotë i udhëheqësve sovjetikë dhe pasuesve të tyre me klikën tradhtare të Titos, kongreset e partive komuniste e punëtore të Bullgarisë, Hungarisë, Italisë, Çekosllovakisë dhe RD Gjermane, të cilat u përdorën për sulme të ashpra publike kundër partive marksiste-leniniste, fjalimi i N. Hrushovit në Sovjetin Suprem të Bashkimit Sovjetik më 12 dhjetor 1962, artikulli i “Pravdës” i 7 janarit 1963, treguan me qartësinë më të madhe se një rrezik serioz po e kërcënon lëvizjen komuniste e punëtore ndërkombëtare dhe unitetin e saj. Marksistë-leninistët e vërtetë, në ngjarjet e mësipërme, shohin poshtë dy Deklaratat e Moskës, për të përçarë lëvizjen komuniste dhe kampin socialist. Prandaj partitë komuniste e punëtore, që janë besnike të marksizëm-leninizmit, çdo komunist e revolucionar, sot, si asnjëherë tjetër, ngrenë zërin e tyre për mbrojtjen e marksizëm-leninizmit revolucionar, për mbrojtjen e Deklaratave të Moskës, për mbrojtjen e unitetit luftarak të kampit socialist e të lëvizjes komuniste ndërkombëtare. Partitë komuniste e punëtore gjenden sot përpara një prove të madhe e me përgjegjësi historike. Për të dalë me sukses nga kjo provë, duhet principalitet marksist-leninist, vendosmëri dhe qartësi politike e ideologjike, për të dalluar të bardhën nga e zeza, të vërtetën nga gënjeshtra, mikun nga armiku. Për unitetin dhe rivendosjen e tij bëhen thirrje nga shumë drejtime. Për unitetin e vërtetë flasin marksistë-leninistët revolucionarë, për unitetin në mënyrë demagogjike flasin edhe revizionistët, të detyruar nga pozitat e dobëta në të cilat ndodhen, nga rezistenca që kanë hasur në zbatimin e vijës së tyre oportuniste. Ndërsa marksistë-leninistët luftojnë për një unitet të vërtetë luftarak, për një unitet të bazuar në mësimet e marksizëm-leninizmit, revizionistët përpiqen për një unitet të rremë, për një unitet të mbështetur në një platformë revizioniste. Ndërsa marksistët luftojnë për unitetin duke ngritur lart flamurin e Deklaratave të Moskës të viteve 1957 e 1960, revizionistët përpiqen për unitetin duke shkelmuar Deklaratat e Moskës, duke hedhur poshtë njëra pas tjetrës tezat e tyre themelore. Interesat e revolucionit dhe të socializmit kërkojnë nga çdo parti komuniste e nga çdo revolucionar konsekuent, për të cilët është i shtrenjtë uniteti i lëvizjes komuniste e i kampit socialist, jo fjalë e deklarata pa vlerë, por veprime konkrete në dobi të unitetit. Dhe kërkesa kryesore është që të gjithë të vihen me vendosmëri në pozitat luftarake të Deklaratave të Moskës, të respektojnë parimet e normat e tyre themelore, të luftojnë pa u lëkundur në teori e në praktikë për zbatimin e tezave e të konkluzioneve të tyre, si për çështjet e zhvillimit të sotëm botëror ashtu edhe për çështjet e taktikës e të strategjisë së lëvizjes komuniste e punëtore ndërkombëtare. Rrugë tjetër nuk ka. Ose me Deklaratat e Moskës dhe për unitetin, ose kundër Deklaratave të Moskës dhe me përçarjen.
Të mbrojmë Deklaratat e Moskës, reagon Tirana
Uniteti i lëvizjes komuniste ndërkombëtare kërcënohet seriozisht për shkak se në gjirin e saj është shfaqur një rrymë revizioniste, e cila është në opozitë me marksizëm-leninizmin, gjë që ka çuar në lindjen e mosmarrëveshjeve të thella për një varg çështjesh të rëndësishme, që kanë të bëjnë me veprimtarinë teorike e praktike të partive komuniste e punëtore. Grupi i parë i çështjeve, rreth të cilave kanë lindur mosmarrëveshjeve të thella për një varg çështjesh të rëndësishme, që kanë të bëjnë me veprimtarinë teorike e praktike të partive komuniste e punëtore. Grupi i parë i çështjeve, rreth të cilave kanë lindur mosmarrëveshjet, ka lidhje me problemet e paqes e të luftës, me qëndrimin ndaj imperializmit dhe luftën kundër tij, me kuptimin teorik e zbatimin praktik të politikës së bashkekzistencës paqësore, me qëndrimin ndaj lëvizjes nacional-çlirimtare të popujve të shtypur, me rrugët e kalimit në socializëm etj. Ndërsa Partia jonë e Punës, si dhe parti të tjera motra, u qëndron besnike parimeve e konkluzioneve të Deklaratave të Moskës, grupi revizionist i Nikita Hrushovit dhe ata që e pasojnë, në të gjitha këto çështje, ndjekin, si në teori, ashtu edhe në veprimtarinë praktike, një vijë revizioniste e oportuniste, e cila nuk ka asgjë të përbashkët me Deklaratat e Moskës të viteve 1957 e 1960. Krejt në kundërshtim me mësimet e marksizëm-leninizmit dhe me konkluzionet e përbashkëta të përfaqësuesve të 81 partive motra, revizionistët modernë përpiqen të zbukurojnë me çdo mjet imperializmin, të mbjellin iluzione në masat e popujve, se gjoja imperializmi amerikan nuk qenka më armiku i paqes në të gjithë botën, dhe, si rrjedhim, nuk qenka më nevoja të luftohet kundër politikës së agresionit e të luftës që ndjek ai, se në përgjithësi, dhe veçanërisht gjatë krizës së detit të Karaibeve, Kenedi tregoi kujdes për ruajtjen e paqes, se shpresat për realizimin e paqes në të gjithë botën duhet të bazohen në lëshimet e dyanshme, në bisedimet dhe në kompromiset e arsyeshme me imperializmin. Në zbatimin e këtyre pikëpamjeve, siç ka treguar vetë jeta, revizionistët jo vetëm nuk ngurrojnë të marrin nëpër këmbë interesat jetike të popujve, duke hequr dorë nga parimet revolucionare, por me këmbëngulje, siç shihet edhe në fjalimet e fundit të Nikita Hrushovit, kërkojnë që edhe të tjerët të sakrifikojnë parimet revolucionare dhe t’ua lypin paqen imperialistëve. Për revizionistët nuk ka fare vlerë lufta e popujve për të demaskuar politikën luftënxitëse e agresive të imperializmit dhe për t’u ndalur dorën atyre. Për ata, siç e deklaroi vetë Nikita Hrushovi, lufta dhe përpjekjet e popujve janë fjalë boshe e pa vlerë, popujt vetëm “llapin” dhe kjo nuk shqetëson asnjeri. Në konceptet e veprimtarinë e tyre praktike luftën për ruajtjen e paqes revizionistët ia kundërvënë lëvizjes nacional-çlirimtare dhe luftës revolucionare të popujve. Sipas pikëpamjes së tyre, popujt e shtypur lirinë duhet ta presin si dhuratë nga imperializmi dhe reaksioni, nga realizimi i bashkekzistencës paqësore dhe i çarmatimit të plotë e të përgjithshëm dhe të mos ngrihen për ta fituar atë me luftë, sepse ndryshe, gjoja mund të provokohej lufta termobërthamore dhe mund të rrezikohej paqja botërore. Ky është kuptimi i vërtetë i fjalëve të Nikita Hrushovit më 16 janar 1963, se as edhe një problem i lëvizjes revolucionare të klasës punëtore dhe i lëvizjes nacional-çlirimtare nuk mund të shqyrtohet tani pa u lidhur me luftën për paqen, për shmangien e luftës termobërthamore. Konkluzionet marksiste-leniniste të Deklaratës së Moskës lidhur me bashkekzistencën paqësore janë zëvendësuar, në teori e në praktikë, nga revizionistët me koncepte krejtësisht oportuniste, me koncepte sipas të cilave po zhduket antagonizmi midis dy sistemeve, sistemit socialist e atij kapitalist, antagonizmi midis kombeve, deri në propagandimin e integrimit politik e ekonomik të botës. Gjithashtu, lidhur me rrugët e kalimit në socializëm pikëpamjet e grupit të Nikita Hrushovit janë të ndryshme nga ato të mësimeve të marksizëm-leninizmit.
Në numrin e së dielës do të lexoni:
Rënia e Hrushovit dhe lartësimi i figurës së Stalinit për shqiptarët
Pse u quajt nga Tirana zyrtare Nikita Hrushovi revizionist dhe pro-amerikan
Enver Hoxha deklaron besnikërinë për idetë marksiste-leniniste
Për më shumë, na ndiqni në numrin e radhës
Shkrimi është marrë në gazetën “Zëri i Popullit” më datë 7 shkurt 1963
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi
8 Mars 2008