E Diel, 1 Nëntor 2026

Polici i plagosur, 20 efektiva të policisë dhurojnë gjak

Masa të rrepta sigurie shtëpisë, shkak hakmarrja e bandës së Pajës. Mjekët: “Gjendja shëndetësore, kritike për jetën”
Emanuela Sako

Rreth 20 efektiva të policisë kanë dhuruar gjak për kolegun e plagosur dy ditë më parë gjatë një aksioni për kapjen e të shumëkërkuarit Ilir Paja. Gjendja shëndetësore e agjentit të Policisë Kriminale, nëninspektorit Haxhimihali, është kritike për jetën, pasi plagët e marra janë në të gjithë trupin. Shefi i Shërbimit të Kardiologjisë, Ylli Ziçishti, shpjegoi dje për gazetën “Albania” se polici i plagosur ka një përmirësim të vogël nga një ditë më parë, por që ende nuk mund të flitet për kalimin e rrezikut nga jeta. Humbja e gjakut ka qenë tepër e madhe, ndërkohë që këtë herë nuk ka munguar gjaku në QSUT. Mjekët thonë se kolegët janë vënë në “garë” kush t’i dhuronte gjak më parë. Dëmtimet janë të mëdha, pasi në momentin e mbërritjes së ambulancës në vendngjarje, infektivi i policisë është nxjerrë nga rrotat e makinës që i kishte kaluar mbi trup. Haxhimihali po kurohet në reanimacionin e Urgjencës Kirurgjikale, në katin e parë, pranë QSUT-së, nën kujdesin e mjekëve reanimatorë. Jashtë portës së reanimacionit qëndrojnë gjatë gjithë kohës kolegë të tij, për të mësuar mbi ecurinë shëndetësore. Ndërsa, pranë kokës i qëndron vëllai me nënën, që presin të dëgjojnë frymëmarrjen normale, pa aparaturat që i qëndrojnë mbi kokë. Ndërkohë, ministri e Brendshëm ka ofruar ndihmë financiare dhe heqjen e shpenzimeve për gjendjen shëndetësore.
Familjarët
Familjarët e agjentit të plagosur kanë qëndruar gjatë gjithë kohës pranë të plagosurit për të pritur përmirësimin e gjendjes së tij. I vëllai dhe nëna janë gjatë gjithë kohës në spital, në reanimacionin e Kardiologjisë për të ndjekur gjendjen e shëndetësore, duke pritur një sinjal përmirësimi. Ndërkohë, ajo që është vënë re te mjekët dhe te të gjithë qytetarët pranë QSUT-së, është respekti i madh që kanë treguar shokët dhe kolegët e tij të punës. Mjekët pohojnë se vetëm brenda një dite e kanë vizituar rreth 1 mijë persona, të afërm dhe kolegë.
Shtëpia, në masa të rrepta sigurie
Familja e agjentit të plagosur është marrë në ruajtje nga forcat e policisë. Sipas burimeve të policisë, 35-vjeçari nga Kuçova, Ilir Paja, mendohet se ka një rrjet kriminal të organizuar, i cili mendohet të jetë në aktivitet. Forcat e policisë janë vënë në gatishmëri për shmangien e ndonjë hakmarrjeje të mundshme kundër familjes së agjentit, që u plagos gjatë një operacioni “blic” të forcave Antikrim. Ndërkohë që edhe krimineli Paja është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pritet që të merret në pyetje nga policia shqiptare dhe ajo italiane, pasi krimet e kryera shtrihen ne këto dy shtete, por edhe më tej.

Ngjarja
Gjatë operacionit për kapjen e Pajës u plagos agjenti i Antikrimit, emrin e të cilit burime policore kanë gjykuar të mos e bëjnë publik. Sipas versionit zyrtar, agjenti i doli para makinës me targa të huaja, me të cilën udhëtonte i shumëkërkuari, duke bërë shenjë të ndalonte. 35- vjeçari Paja nuk iu bind kërkesës, por qëndrimi i tij hasi në këmbënguljen e agjentit të policisë, i cili i doli sërish përpara makinës. Në këtë moment, i shumëkërkuari, duke pikasur dhe agjentët e tjerë të policisë, i dha gaz makinës duke shtypur agjentin. Ndërsa i plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Nr. 1 të kryeqytetit, forcat e policisë kanë vazhduar operacionin, në përfundim të të cilit kanë mundur të ndalojnë 35- vjeçarin Paja. Gjatë operacionit për ndalimin e tij, i shumëkërkuari nga Drejtësia italiane, por dhe i skeduar nga ajo shqiptare, është plagosur me armë zjarri.

Mjekët: “Gjendja shëndetësore kritike për jetën”
Shefi i Shërbimit të Urgjencës së Kardiologjisë sqaroi se agjenti i policisë ka mbërritur në urgjencë në gjendje të rëndë shëndetësore, e cila mbetet po e tillë. Dëmtimet janë të mëdha, pasi ka marrë goditje në kokë dhe në pjesën e mushkërive, si dhe në tërësinë e kafazit të kraharorit. Pesha e rëndë e makinës ka krijuar shtypje të organeve që kanë prekur gomat. Mushkëritë kanë pësuar shtypje dhe humbja e gjakut ka qenë e madhe, prandaj mjekëve iu është dashur që t’i hedhin dy qese me gjak në organizëm. Mjekëve u është dashur që t’i bëjnë frymëmarrje të drejtuar, përmes aparaturave të posaçme për marrjen e oksigjenit. Për të parë pjesët e dëmtuara, kryerja e skanerit është e nevojshme, por pacientit nuk mund t’i bëhet asnjë lëvizje e vogël, qoftë edhe dhjetë hapa larg skanerit. Në këtë mënyrë, transportimi për një kurim të mundshëm jashtë vendit është i pamundur. Sipas mjekëve, qeveria italiane ka ofruar ndihmë për kurimin e pacientit jashtë, por gjendja e tij është tërësisht e palëvizshme. Mjekët pohojnë se agjenti i policisë ka mbërritur në spital në gjendje tepër të rëndë, ku pothuajse nuk merrte frymë fare për shkak të mushkërive të shembura. Sipas mjekëve, në gjendjen fillestare nuk i ndihej as pulsi, as frymëmarrja, kishte probleme të goditjes në dhe shtypjes së kafazit të kraharorit.

8 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›