E vërteta e mediave të Ramës
Gazetarët e Edi Ramës ankohen për lirinë e medias në Shqipëri, edhe pse ata janë shndërruar në shembullin më të mirë të shantazhit dhe të censurës në vend. 100 përqind e mediave të Edvinit janë në pronësi të biznesmenëve që janë klientë në bashkinë e Tiranës, gazetarët angazhohen përditë në hyjnizimin e komunizmit e të figurave të krimit të organizuar, ndërkohë që zbatojnë një censurë publike ndaj shtypit dhe mendimit politik të së djathtës.
Organizuesi i tryezës së djeshme, Carlo Bollino ka urdhëruar një censurë publike në emisionin e mëngjesit, në televizionin e tij, ndaj gazetës “55”, si dhe ndaj drejtorit të saj. Edhe rastet e tjera publike të censurës regjistrohen vetëm në mediat që janë nën kontrollin publik të Edi Ramës
Dje asistuam në një përpjekje të stërmundimshme për të kolektivizuar përgjegjësitë për gjendjen jo të mirë në të cilën ndodhet media shqiptare. Përpjekja kishte frymëzim personal nga Edi Rama, i cili s’e fshihte dot tentativën për të fajësuar qeverinë e Sali Berishës për këtë gjendje.
Por s’mund të heshtet, kur gishti i akuzës drejtohet bash nga fajtori kryesor.
Analiza e mediat ishte marrë përsipër dje nga gazetari italian Karlo Bolino themeluesi i një rrjeti mediash në Tiranë, të cilat mund të klasifikohen fare mirë si shembulli i censurës së vjetër në epokën e mediave moderne. Gazeta “55” dhe drejtori i saj e ka provuar në vetë të parë linjën zyrtare të censurës që zbatohet në mediat e Bollinos dhe që më vonë është importuar si standard në të gjitha gazetat e televizionet që janë nën ombrellën e Edi Ramës. Shembulli i sulmeve personale dhe i përdorimit të televizionit si bori apo pistoletë (sipas rastit), s’ka nevojë për precedentë dhe mund të pajiset me dhjetëra syresh, që i rrëfejnë mediat e Edvinit si hyjnizuese të qendrimeve antiqytetare, si llogore të sulmeve me gënjeshtra e shpifje, por ç’është më e rënda, si fetishizuese të përditshme të komunizmit dhe bartësve të këtij regjimi tek pinjojtë e brezit të dytë të nomenklaturës. Enveri dhe enverucët, bijtë e nomenklaturës, bile edhe badigardët e oficerët e Bllokut kanë fituar qytetarinë në mediat e Edi Ramës dhe po synojnë sot e gjithë ditën në mënyrë të poshtër që të rehabilitojnë një realitet, i cili vetëm duhet dënuar, meqenëse çfarëdo rektifikimi veç sa do të vononte rrugën e shqiptarëve drejt Perëndimit.
Dje Carlo Bollino u mundua të gjente përgjigjet për gjendjen jo të mirë që kanë aktualisht mediat në Shqipëri, por u end më kot, në analizën se sëmundja e mediave shqiptare është një virus global, i cili na vika nga jashtë. është krejt e parëndësishme ndikimi i mediave ndërkombëtarëve dhe i “sëmundjeve” moderne që ato po përjetojnë. Sëmundjet bazë të mediat në Shqipëri janë sëmundjet e shndërrimit të tyre në vegla nën kontrollin e politikës dhe tandemi i mediave të Edi Ramës është shembulli më i zi në këtë aspekt. Përzierja e raportimeve të këtyre mediave me marrëdhënie nga qelitë e paraburgimit apo nga burgjet e sigurisë së lartë janë një precedent flagrant se si mediat e Edvinit po shndërrohen në lavatriçe për pastrimin e imazhit të krimit të organizuar rajonal.
Por për të zezë të Edvinit do të ishte gjithçka dhe për faqe të zezë të mediave, nëse e gjithë analiza do të ndalej këtu. Por rivendosja e standardit të censurës ka qenë “kontributi” më i zi që Edvin Rama ka sjellë në panoramën e medias shqiptare. Për ta ilustruar këtë standard, mund të konfirmojmë se me urdhër personal të Carlo Bollinos, gazeta “55” është përjashtuar nga emisioni i shtypit, çdo mëngjes, në televizionin e tij privat, ndërkohë që kjo censurë është vijuar më tej edhe ndaj drejtorit të gazetës, zotit Balliu, por edhe ndaj aktiviteteve që përgjithësisht forumet politike të së djathtës mbajnë në vend.
Por s’është rasti që fokusi të përqendrohet vetëm tek Carlo Bollino, i cili e ka mbjellë të keqen e censurës, por tashmë formalisht thotë se gjendet jashtë dhe se shqiptarët mund të përpiqen që të çlirohen nga virusi. Por censurën e ka provuar në kurriz edhe Fatos Lubonja, edhe eksponentë të tjerë të publicistikës në Shqipëri dhe në 100 përqind të rasteve, censura është kryer në mediat e Edvinit dhe për interesat e drejtpërdrejta të kryetarit të Partisë Socialiste.
Atëhere? Duke marrë shkas nga fakti i ditës, nga tryeza e Carlo Bollinos dhe e ekspertëve të tjerë të huaj, të cilët fatkeqësisht ishin kot në atë forum, pasi s’e kishin idenë e “sui generis”-it që Bollino dhe të tjerët kishin prodhuar në median shqiptare, mund të themi se e vërteta e mediave të Ramës në Shqipëri është e vërteta e një medieje nën censurë e nën pushtetin e një karteli të rrezikshëm njerëzish (jo më kot 100 përqind e botuesve të mediave të Edvinit janë biznesmenë ndërtimi, që janë klientë lejesh ndërtimi në bashkinë e Tiranës), e cila s’mund ta luajë rolin e një medieje të lirë nëse nuk çlirohet nga dara e një njeriu që ka panik nga mendimi i lirë, si kryetari ende në detyrë i Partisë Socialiste dhe i bashkisë së Tiranës.