Bumçi: Rama voli 10 milionë USD nga taksa për Planin Urbanistik
Partia Demokratike duket e vendosur për të krijuar komisionin hetimor të dytë parlamentar ndaj kryebashkiakut Edi Rama. Kërkesa prej 40 firmash të deputetëve do të diskutohet së shpejti në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare. Pas konferencës së kryetarëve, nisma e PD-së pritet të hidhet për votim në seancën parlamentare të së enjtes. Ndërkaq demokratët kanë shtuar akuzat ndaj kryebashkiakut Rama. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi deklaroi dje në konferencën për shtyp se, “kryebashkiaku Edi Rama ka mashtruar investitorët me taksën e vendosur për Planin Rregullues të kryeqytetit”. Sipas Bumçit, taksa në periudhën 2002-2008 ka arritur vlerën e 10 milionë dollarëve. “Zoti Rama i ka vjelur ndërtuesve të Tiranës taksën 1 për qind të investimit në funksion të studimeve urbanistike. Kjo taksë për një periudhë 2002-2008 arrin vlerën 10 milionë dollarë amerikanë. Shumë kjo e mjaftueshme për të hartuar tetë plane rregullues. Ashtu si me taksën e rrugës Durrës-Kukës, që qeveria socialiste i mblodhi shqiptarëve mbi 250 milionë dollarë, por nuk shtroi asnjë metër rrugë, socialisti i ri Rama u ka vjelur qytetarëve të Tiranës 10 milionë dollarë pa hartuar planin rregullues të qytetit. Kioskat provizore që u hoqën për një muaj nuk janë më aty, por pallatet e Tiranës nuk hiqen më, dhe hapësirat e zëna prej tyre nuk lirohen dot më”, deklaroi Bumçi.