E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për pronën, ekzekutohen dy persona

 

DURRES/ OERD ULQINI

As gjykata nuk ka mundur t'i japë zgjidhje paqësore një konflikti pro-nësie në Shkozet të Durrësit. Dy viktima u shënuan mbrëmë, pas debateve të vazhdueshme të dy familjeve të ardhura nga zona të ndryshme për t'u vendosur pranë bregdetit.  Kujtim Hasani, 38 vjeç ekzekutoi me pistoletë TT Shaban Karabrahimin, 49 vjeç dhe Sadik Lazen, 27 vjeç dhe plagosi Iliridan Karabrahimin, 39 vjeç. Plumbat ishin drejtuar për dy vëllezërit, por ato kapën dhe Lazen, i cili ndodhej rastësisht në praninë e Karabrahimëve. Ngjarja ndodhi shumë pranë zonës së mbikalimit të Shkozetit, pas një konflikti të gjatë. Mësohet se Hasani, i zhvendosur nga Tropoja në këtë zonë, kishte pretenduar pronësinë për një tokë me sipërfaqe prej rreth 500 metrash katror. Por, dhe familja Karabrahimi, ardhur nga Dibra ishte interesuar për përfitimin e saj, duke u quajtur pronare e së njëjtës tokë dhe shfrytëzuar atë deri pak kohë më parë. Debatet e përplasjet mes familjeve kanë vazhduar për shumë kohë, derisa u detyruan që t'i drejtoheshin gjykatës. Gjykata e Durrësit, më 15 prill të këtij viti, vendosi që prona i takon familjes Hasani, duke urdhëruar Përmbarimin për ekze-kutimin e vendimit. Por, ende pa u tharë mirë boja e vendimit, konflikti ka degraduar me vrasje në rrethana të tjera cilësuese. Parcela e tokës ndodhej ngjitur me shtëpitë e tyre, në anë të mbikalimit të Shkozetit. Vrasja ka ndodhur në rrugicën e zonës informale në orën 17:30. Duket se vendimi i gjykatës nuk ka bindur familjen me origjinë nga Dibra, e cila insistonte për pronësinë e truallit. Në këtë pikë gjakrat janë ndezur dhe shantazheve reciproke u përgjigjet shtetasi Kujtim Hasanaj, i cili i armatosur me një pistoletë model 54 qëllon mbi dy vëllezërit. Burimet policore saktësojnë se tropojani ka qëlluar së pari mbi vëllain e madh Shabanin dhe në këtë pikë ka ndërhyrë vëllai tjetër Iliridani, i cili nis përleshjen trup me trup me Kujtimin. Teksa përpiqej t'i bllokonte pistoletën Ha-sanajt, arma kryen një qitje të pavullnetshme, e cila i merr jetën një kalimtari të rastësishëm, banor i së njëjtës lagje. Në këtë moment një plumb pistolete godet në dorë Iliridanin, por ai mbetet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes shërbimet e Drejtorisë së Policisë të Qarkut Durrës-Krujë kanë marrë masa të menjëhershme për të mos lejuar që situata të rëndohej me tepër. Skuadra speciale të policisë të ardhura enkas nga Tirana kryen shtetrrethim në lagje, për të shmangur një përleshje të mëtejshme. Vetëm 90 minuta pas vrasjes u bë e mundur kapja e autorit, Kujtim Hasanaj. Atij iu gjet në trup edhe arma e krimit. Në vendngjarje u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale gjashtë gëzhoja pistolete. Vepra penale në ngarkim të Kujtim Hasanajt është "Vrasje në rrethana të tjera cilësuese", bëri me dije policia e Durrësit.

2 vete
humbën jetën si pasojë e një konflikti pronësie mes dy familjeve të ardhura nga zona të tjera pranë Durrësit.
Një prej tyre ishte kalimtar i rastit, ndërsa një tjetër u plagos

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›