E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Jo hetim për Edi Ramën

 

Aristir Lumezi

Kryetari i LSI-së u shpreh dje kundër komisionit hetimor të PD-së për Edi Ramën. Ilir Meta tha dje se komisionet hetimore janë të pakuptimta në një kohë që Parlamenti shkon drejt mbylljes dhe i duhet të zgjidhë çështjen e kartave të identitetit.“Nuk është koha për komisione hetimore, të cilat nuk zgjidhin asgjë në një vend kur Parlamenti shkon drejt mbylljes dhe qytetarët përgatiten për të zgjedhur parlamentin e ri. Është koha që ky Parlament, i cili dështoi në bërjen e një Reforme Zgjedhore dhe të një Kodi Zgjedhor të standardeve evropiane, të mos e mbyllë mandatin e tij pa zgjidhur çështjen e kartave, sepse e theksoj dhe njëherë, se do bëhemi gazi i botës. Do të bëhemi i vetmi vend në Aleancën e NATO-s, i cili si shpërblim të vlerësimit që aleanca i bën popullit shqiptar, i jep një njollë, pra prishjen e zgjedhjeve”, tha Meta. Vetëm 70 ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, LSI jep sinjale më të forta në mbrojtje të imazhit të së majtës, siç do të ishte komisioni hetimor ndaj kryetarit të bashkisë dhe njëkohësisht kryetar i PS-së, Edi Rama nga deputetët e maxhorancë, të cilët tashmë kanë depozituar në Kuvend kërkesën me firmat e deputetëve. “Jemi në kohë për të shpëtuar reputacionin e Shqipërisë, jemi në kohë për të shpëtuar zgjedhjet dhe stabilitetin politik në vend. Ndaj komisionet hetimore janë krejtësisht të pakuptimta, sepse kanë mbetur vetëm pak javë që ky parlament të zgjidhë çështjen e kartave, dhe problemin e zgjedhjeve në Shqipëri”, tha dje Meta gjatë një konference për shtyp. Kreu i LSI-së i kërkoi partive parlamentare të ulen brenda javës në një tryezë për të zgjidhur çështjen e kartave të identitetit. “Kur duket qartë se çështja e kartave të identitetit po shndërrohet në një rrezik tepër serioz dhe madhor për standardet e zgjedhjeve të ardhshme dhe për stabilitetin politik në vend, unë do të kërkoja që brenda kësaj jave të gjitha forcat politike parlamentare të ulen dhe me mirëkuptim dhe me përgjegjësi të plotë për zgjedhjet, që i takojnë të gjithë shqiptarëve dhe jo thjesht partive politike, të arrijnë me konsensus që të bien dakord për disa standarde, duke zgjedhur në radhë të parë edhe çështjen e kartave të identitetit”, tha Meta. Sipas tij, “çdo vonesë përtej kësaj jave vetëm do të vështirësojë mundësitë për të shmangur një krizë të pritshme zgjedhore, që jo vetëm do të dëmtojë imazhin e vendit tonë, do të dëmtojë imazhin e partnerëve tanë dhe në radhë të parë të NATO-s, por dhe do të kishte pasoja tepër serioze për avancimin e mëtejshëm të Shqipërisë, përsa i takon anëtarësimit në BE”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›