E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Tani Topi u nda nga PD

Kthimi i ligjit të Legalizimeve për rishqyrtim në Parlament, duket se ka gjetur të papërgatitur PD-në.

 Deputetët e kësaj partie, nuk kanë pranuar të komentojnë dekretin e nxjerrë nga kreu i shtetit, kjo edhe për faktin, se në lidhje me këtë çështje nuk ka folur ende kryeministri Berisha. I vetmi që ka pranuar të flasë ka qenë kryetari i komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, i cili është shprehur se, ende nuk është njohur me argumentet e presidentit, teksa ka shtuar se, është pikërisht komisioni i Veprimtarive Prodhuese komisioni përgjegjës për këtë ligj. Ndërkohë, deputeti i Fushë-Krujës, Ndriçim Babasi, është shprehur në një prononcim për gazetën se, kthimi i ligjit nga ana e kreut të shtetit nuk lë një shije të mirë, teksa vijon se, një gjë e tillë bëhet pikërisht për t’i ardhur në ndihmë pronarëve, të cilët kërkojnë kthimin e pronave. Por sipas Babasit, shtesat dhe ndryshimet në ligjin e Legalizimeve nuk duhet të ktheheshin, pasi ato, sipas tij, i vijnë në ndihmë qindra familjeve, që kanë aplikuar për t’u legalizuar. “Kthimi i ligjit nga presidenti nuk është i mirë dhe nuk lë ndonjë shije të mirë. Për mendimin tim kthimi i ligjit bëhet për t’i ardhur në ndihmë pronarëve të mëdhenj, duke marrë parasysh kërkesat permanente të Partisë Republikane. Personalisht mendoj se nuk duhej të kthehej ligji sepse ky vjen në shërbim të lëvizjeve demografike që janë kryer në këtë periudhë të tranzicionit”, tha mbrëmë Babasi. I mandatuar në një nga zonat që ka një numër të madh qytetarësh që presin procesin e legalizimit, Babasi u shpreh se, vetëm në Qarkun e Durrësit janë të paktën 45 mijë aplikues që presin ligjin e Legalizimeve. Sipas deputetit të PD-së, me ligjin e Legalizimeve, është pikërisht shteti rregullatori mes pronarit të tokës dhe përfituesit të saj, teksa shton se, nga ky proces legalizimi ish-pronarët përfitojnë nga shuma që paguajnë qytetarët, ndërtesat e të cilëve do të legalizohen. “Nga informacioni që kam unë në gjithë Shqipërinë janë bërë 300 mijë aplikime, që do të thotë se, ky ligj i vjen në ndihmë rreth 1.2 milion personave. Vetëm në qarkun e Durrësit janë kryer 45 aplikime, ku këta njerëz janë të gatshëm dhe presin me padurim marrjen e tapive. Mendoj se me këtë ligj rregullator mes pronarit dhe përfituesit të tokës duhet të jetë shteti dhe me marrjen e tapisë, pronari i ri është i detyruar të bëjë një pagesë dhe kjo pagesë shkon në interes të pronarit të vjetër. Ka dhe njerëz që kanë ndërtuar shtëpi në tokat e tyre dhe presin legalizimet”, vijoi më tej Babasi.
Socialistët
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Arben Isaraj, u shpreh dje për “Panorama” se, “ky mosdekretim është prova e parë verbale ku opozita shqiptare evidentoi ndarjen e Topit partiak me presidentin që ‘ba(n)mir’, si përfaqësues të unitetit të popullit. Mosdekretimi i këtij ligji antikushtetues, i jep shansin një pjese të maxhorancës të zhbëjë goditjen më të rëndë që ajo tentoi t’i jepte pronës në përgjithësi dhe regjimit juridik të tokës në Republikën e Shqipërisë”. Sipas tij, “opozita do vazhdojë të ruajë parimet kushtetuese duke dhënë zgjidhjet e duhura tekniko-ligjore, që zgjidhin dhe kënaqin në maksimum palët e përfshira dhe të interesuara për këtë proces”. “Maxhoranca, (e vogël tashmë) ka rastin dhe të gjitha arsyet të korrigjojë atë ç’ka “gatoi” politikisht pak kohë më parë. Uroj që ky rast i parë i presidentit Bamir Topi të mos pritet dhe kuptohet si bamirësi për shtresën e ish-pronarëve, por si “bamirësi” në mbështetje të Kushtetutës dhe në dobi të popullit dhe demokracisë”, u shpreh Isaraj. Ndërsa deputeti socialist, Taulant Balla, e ka konsideruar pozitiv qëndrimin e presidentit në lidhje me ligjin e Legalizimeve. “Ka qenë refleksion pozitiv i Presidentit të Republikës, Bamir Topi”, u shpreh Balla pas interesimit të mediave. Sipas tij, ligji kërkon një diskutim të gjerë dhe të marrë një konsensus po kaq të gjerë, duke përfaqësuar interesat e të gjitha grupeve. “Ky ligj duhet të jetë objekt i diskutimit të gjerë, pasi duhet konsensus, duhet marrë mendimi i grupeve të interesit për të vendosur drejtësi me legalizimet dhe më pas me konsensus të gjendet një zgjidhje e mjaftueshme”, tha Balla.                              a.sh/a.l

Republikanët: Tani të reflektojë PD

Partia Republikane ka reaguar dje menjëherë pas kthimit nga ana e presidentit të disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin e Legalizimeve. Kryetari i deputetëve republikanë, Arjan Madhi, tha në një konferencë për shtyp se, “PD-ja do të reflektojë ndaj vendimit të presidentit”. Gjatë një prononcimi për mediat, Madhi “vlerësoi pozitivisht kthimin në Kuvend të ligjit nga presidenti, duke theksuar qëndrimin kundër të republikanëve për këtë ligj. “Ndryshimet e propozuara në këtë ligj në tërësi binin ndesh me standardet dhe konceptet kushtetuese për garantimin e së drejtës së pronës, pra të shpërblimit të pronarëve për të gjitha trojet që i shpronësoheshin, lidhur me nevojat e formalizimit të ndërtimeve të paligjshme”, u shpreh deputeti i PR-së. Gjatë gjithë këtyre dy viteve republikanët kanë qenë mjaft kritik ndaj procedurave që po ndjek maxhoranca dhe qeveria si në ligjin e Legalizimeve, ashtu edhe në atë të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›