“E vërteta është e kundërta e asaj që kanë nxjerrë mediat, në Shqipëri ka rritje të cilësisë së jetesës”
Raporti i EUROSTAT, reagon këshilltarja për ekonominë pranë Kryeministrit Suzana Guxholli
Prej 2-3 ditësh disa media të varura politikisht sfumuan opinionin publik, përmes keqpërdorimit të raportit të fundit të EUROSTAT (Institutit Europian të Statistikave), ku sipas tyre shqiptarët vazhdojnë të jenë më të varfrit në Evropë. Reagimi ka ardhur dje nga këshilltarja për ekonominë pranë Kryeministrit, Suzana Guxholli, e cila sqaroi se interpretimet që disa media i bënë raportit janë të pavërteta dhe në kundërshtim me realitetin. Sipas këshilltares për ekonominë, Guxholli, Shqipëria jo vetëm që nuk është renditur e fundit sa i përket rritjes së standardit të jetesës, por është klasifikuar e treta pas Malit të Zi dhe Maqedonisë
“Indeksi i GDP-së për banor llogarit nivelin e jetesës për të gjitha vendet europiane, bazuar në Produktin e përgjithshëm. Ekonomistët dhe media duhet të jenë më të saktë në interpretimin e shifrave. Shqipëria është klasifikuar e treta pas Malit të Zi dhe Maqedonisë për rritjen e standardit të jetesës”, u shpreh Guxholli.
Sipas raportit të EUROSTAT nga viti 2006 deri në 2009, Shqipëria klasifikohet e treta për sa i përket ritmit të rritjes së standardit të jetesës. Në vitin 2006 është klasifikuar me 23 pikë përqindje krahasuar me mesataren europiane prej 100 pikë përqindje, në vitin 2007 po 23 për qind, në vitin 2008 me 26 për qind dhe në vitin 2009 me 27 për qind, që do të thotë se, tendenca vitet e fundit ka qenë në rritje me 17 për qind, ndryshe edhe nga disa vende europiane ku standardi i jetesës ka pësuar ulje.
“Indeksi i GDP-së për banor llogarit nivelin e jetesës për të gjitha vendet europiane bazuar në Produktin e përgjithshëm bruto duke eliminuar diferencat e çmimeve midis vendeve dhe klasifikohet si matje relative nga EUROSTAT”, deklaroi më tej, këshilltarja për ekonominë pranë Kryeministrit, Suzana Guxholli.