E vërteta ime për shpërthimin në dyqanin në Laç
SHËNIM I REDAKTORIT: Paulin Kalthi është një nga personat e shtruar në Spitalin Ushtarak pas ngjarjes së fundit në Laç, ku një sasi eksplozivi shpërtheu në një dyqan të tregtimit të peshkut. Ai i telefonoi redaksisë sonë nga Spitali Ushtarak dhe kërkoi të depononte versionin e tij mbi këtë ngjarje. Një reporter i "Kontakt", ju sjell dëshminë e tij të plotë.
NGA LEXUES
Paulin Kalthi
Më datë 8 janar 2008, në darkë, rreth orës 18:00 shkova në dyqanin e Peshkut që ka në Laç kushëriri im, Ilir Lena. Aty ndodhej dhe bashkëshortja e tij, më vonë erdhi dhe Gjergj Sokoli, një i afërmi ynë. Do të blinte peshk, se është klient i rregullt aty. Kur ndodhi shpërthimi, të katërt ishim tek dera e dyqanit duke biseduar. Di vetëm që jam hedhur nga shkallët në trotuar dhe nuk mbaj mend asgjë më shumë. U dërguam në spitalin e Laçit dhe më pas këtu në Tiranë, në Spitalin Ushtarak. Pasqyrimi i parë në media i kësaj ngjarjeje ishte i saktë. U përmend shpërthimi dhe personat që ishin plagosur. Por për çudinë e të gjithëve, jo më larg se ditën e diel, mora vesh se tashmë janë hedhur dyshimet e para për autorët e ngjarjes. Më konkretisht, akuzohem unë dhe Gjergj Sokoli, që të dy viktima të aksidentit.
Të dielën erdhën këtu në Spitalin Ushtarak, ku gjendem i shtruar, përfaqësues nga Prokuroria dhe Gjykata dhe më komunikuan Flet-Arrestin. Sipas tyre, bëja pjesë në listën e të dyshuarve për hedhjen e granatës atë natë. U shokova! Dhe u thashë vetëm këto fjalë: "Uroj që të jetë e para dhe e fundit herë në karrierën tuaj, që merrni një vendim kaq të padrejtë".
Nga të gjithë të dëmtuarit, asnjë nuk thotë se granata është hedhur nga unë. Që të gjithë janë të gatshëm të pohojnë dhe të vërtetojnë pafajësinë tonë. Jam i sigurt që e vërteta do të dalë në dritë, në këto kushte, këto organe kompetente gabojnë që më akuzojnë pa pasur as edhe një provë. Ajo që duhet të bëjnë ata është të gjejnë autorin e vërtetë. Është absurde vetëm kur e mendon! Larg qoftë, edhe sikur të kisha pasur këtë qëllim, s'mund të provokoja një ngjarje në të cilën rrezikoja jetën time. Ju kujtoj se si pasojë e këtij aksidenti jam dëmtuar rëndë, në të dy këmbët dhe sidomos në dorën e majtë.