E vërteta mbi “Kronikën e Gjon Muzakës”
Fantazia e popujve të Ballkanit, të cilët ishin të shtypur nga të pafetë, krijoi nga Skënderbeu heroin e këngëve dhe të rrëfimeve të tyre. Shqiptarët këndonin deri në shekullin XVII, madje dhe në prani të turqve, këngë për Skënderbeun. Emri i tij është ruajtur edhe sot e kësaj dite në Mat, si dhe ndër disa fusha, duke filluar nga Fandi deri në Pukë dhe ndër shpella, prej të cilave njëra mban emrin “Gjurma e kalit të Skënderbeut”
Pak kohë më parë me disa miq të mi intelektualë zhvilluam prezantimin e librit të historianit të njohur, Pëllumb Xhufi, të titulluar: “Nga Paleologët tek Muzakajt”. Në këtë aktivitet ku nuk mungoi edhe autori, u shpalosën ide interesante dhe u diskutuan probleme të rëndësishme të kësaj vepre madhore për historinë e Shqipërisë mesjetare.
Rëndësia e këtij libri qëndron në faktin se në të certifikohet historia e qyteteve tona si: Vlora, Berati dhe familjeve fisnike shqiptare të Muzakajve, Gropajve, Matrengëve etj. Midis morisë së problemeve, prof. Xhufi trajton edhe “Kronikën e Gjon Muzakës”, duke i bërë asaj dhe një kodifikim kritik. Për herë të parë ai shpjegon se si u zbulua ajo, në ç’formë u publikua, si erdhi në Shqipëri dhe ç’qëndrim mbajtën studiuesit ndaj saj. Ja se ç’thotë në librin e tij historiani i njohur, kur për herë të parë tregohet si u zbulua ky dorëshkrim. “Kronika e Gjon Muzakës” u gjet në shtëpinë e sekretarit mbretëror në Napoli, Skipion Volpiçelës, nga Karl Hopf, historian gjerman, i cili për ta vlerësuar atë ia dorëzoi albanologut Georg Hann, si njeri kompetent në fushën e historisë për ta publikuar në botën shkencore. Hann, duke mos njohur Shqipërinë nga afër, ia dha një kopje Doktor Auerbahut, konsullit austro-hungarez në Vlorë, njeri i apasionuar pas historisë dhe arkeologjisë. Më pas, kronika ra në duart e Peshkopit të Beratit, Anthim Aleksudhit, i cili e dorëzoi në vitin 1885 në Bibliotekën Kombëtare të Athinës. Që këtej kopja erdhi në Shqipëri, ku u pasua nga botime dhe ribotime të ndryshme, ndërsa botimi i parë i saj u bë në vitin 1813. Ndërkohë që këtu fillojnë përsëri problemet shqiptare, të cilat do të përpiqemi t’i sqarojmë më poshtë.
Në librin në fjalë të botuar në Itali në vitet 1508-1510 nga Princi Gjon Muzaka, thuhet se: Pal Kastrioti zotëronte në Mat dy fshatra, Sinjën dhe Gardhin e Poshtëm. Këtë fakt të çuditshëm që Muzaka e citon në librin e tij ne e kostatojmë si kontradiktor, sepse Sinja dhe Gardhi i poshtëm nuk gjenden në Mat, por sot ato përfshihen në Dibër. Për këtë të dhënë, por edhe për fakte të tjera të tilla, Gjon Muzaka është vënë nën shënjestrën e akuzave të studiuesve të historisë. Kronikën e tij, Babingeri e quan si material me të dhëna të rreme. Ndërsa Dyselie thekson se ai është një material me të dhëna konfuze.
Ndërkohë për të gjykuar origjinën regjionale shqiptare të Kastriotëve, historianët e shkollës gjermane si Thalloczy, Jireçek dhe Shuflai e gjykuan të saktë idenë se Kastriotët ishin nga Mati. Le të citojmë Milan Shuflain, i cili në faqen 31 të librit “Serbët dhe shqiptarët”, thotë: Gjergj Kastrioti është pjella më e shkëlqyer e kësaj përzgjedhjeje të vdekur, luftëtari më i tmerrshëm të cilin e krijoi lufta e Evropës me turqit. Evropa Perëndimore e mbuloi atë me legjendë ende sa ishte gjallë. Besëtytnia mbi fuqinë e tij të mbinatyrshme e bëri armikun turk që të humbte besimin në fat. Fantazia e popujve të Ballkanit, të cilët ishin të shtypur nga të pafetë, krijoi nga Skënderbeu heroin e këngëve dhe të rrëfimeve të tyre. Shqiptarët këndonin deri në shekullin XVII, madje dhe në prani të turqve, këngë për Skënderbeun. Emri i tij është ruajtur edhe sot e kësaj dite në Mat si dhe ndër disa fusha, duke filluar nga Fandi deri në Pukë dhe ndër shpella, prej të cilave njëra mban emrin “Gjurma e kalit të Skënderbeut”.
Ndërsa në një tjetër pasazh të po këtij libri në faqen 27, Shuflai duke iu referuar Jireçekut dhe Thalloczy-t thotë: Ne një kartë serbe të sundimtarit të Vlorës dhe Kaninës, Aleksandrit, të birit të despotit Jovan, përmendet (1366) qefalia i Kaninës Kastrioti. Ai mori nga Balsha II aty nga viti 1383 dy fshatra në Shqipërinë e Mesme në Mat.
Pra është i qartë pohimi i tre emrave autoritare të historiografisë se Kastriotët janë nga Shqipëria e Mesme, pikërisht nga Mati. Por le t’i kthehemi përsëri Muzakës.
Përse ai thekson se Pal Kastrioti zotëronte në Mat dy fshatra, Sinjën dhe Gardhin e poshtëm!
Në qoftë se do të bëjmë një analizë të thjeshtë na del se në kohën e Gjon Muzakës në shekullin XV, Mati kishte shtrirje më të gjerë deri në Korab, duke futur brenda tij edhe luginën e Drinit të zi, ku shtriheshin Sinja dhe Gardhi. Ose Muzaka në mënyrë të qëllimshme dhe dashakeqe thotë se Kastriotët janë nga Mati, por thekson se ata zotërojnë dy fshatra, që rezultojnë se ndodhen sot në Dibër, siç është rasti i Sinjës dhe Gardhit. Pra duket se hipoteza se Dibra e mirëfilltë shtrihej përtej kufijve të sotëm krahinore është e vërtetë dhe se territori ku shtriheshin dikur Sinja dhe Gardhi mesjetar i përkiste dikur Matit. Mos ndoshta Muzaka ka vërtet të drejtë, sepse i ati i heroit Gjoni dhe vete Skënderbeu mbanin titujt Princa të Matit. Megjithatë le të vazhdojmë ta trajtojmë Muzakën përsëri në mënyrë kritike.
Vetë Muzaka në një pasazh të kronikës nuk e fsheh inatin që ka me burrin e kushërirës, Skënderbeun, kur e akuzon se i ka marrë Myzeqenë e vogël dhe Beratin me forcë.
Gjithashtu në antitezë me origjinën e Kastriotëve, ai bën një tjetër gafë, duke e nxjerrë origjinën e familjes Muzaka nga Perandorët e Kostandinopojës, një sajesë tepër të hiperbolizuar.
Pra Gjon Muzaka në mënyrë apriori dëshmon se: Pal Kastrioti i kishte zotërimet në Mat, por sikur të mos mjaftonte kjo gjë në “Kronikën e Muzakajve” do të ndodhnin çudi të tjera. Në botimin e saj të bërë në kohën e Shqipërisë socialiste, një dorë specialisti e hoqi termin Mat. Pra nëse Muzaka shkroi se Pal Kastrioti zotëronte në Mat Sinjën dhe Gardhin e poshtëm, në botimin e monizmit doli pasazhi se Pal Kastrioti zotëronte dy fshatra, Sinjën dhe Gardhin e poshtëm. Këto dy të fshatra ndodhen në Dibër dhe duke u nisur nga ky “fakt” i falsifikuar në vitin 1974, doli teza se Kastriotët ishin nga Dibra.
Në Shqipërinë e asaj kohe kur historia shkruhej me urdhër nga lart dhe kur vlerësoheshin si figura të historisë kombëtare që nuk ishin të tilla si p.sh., Haxhi Qamili, nuk ishte e vështirë që Skënderbeut t’i ndërrohej origjina, nga matjane në dibrane. Fundja ndonjë gjë e madhe nuk ishte, sepse ai përsëri shqiptar mbetej. Megjithëse ai kurrë nuk u quajt dibrani, sepse nuk ishte prej Dibrës. Me këtë llagap quhej një tjetër figurë e shquar e luftës shqiptaro-turke të shekullit XV, Moisiu i Dibrës ose Moisi Dibrani, bashkëluftëtari i Skënderbeut dhe një nga miqtë e tij të afërm, Moisi Golemi. Pra nuk ka dyshim që ndryshimi i këtij fakti i interesonte klanit të Dibrës, e cila në raport me krahinat rreth saj nuk kishte nxjerrë një figurë historike të një rangu të tillë. Kështu pikënisje ishte “Kronika e Gjon Muzakës”, për të vazhduar më pas me toponime dhe legjenda për Skënderbeun, të cilat nuk mungojnë në ish-territoret e Principatës së Kastriotëve, si në Mat, Krujë, Dibër etj.
Tek vepra e prof. Pëllumb Xhufit “Nga Palelogët tek Muzakajt” vëmë re se në pjesën e fundit të saj botohet në dy gjuhë, italisht dhe shqip, “Kronikën e Gjon Muzakës”, autori e komenton duke bërë sqarime të rëndësishme dhe me shumë vlera. Por edhe aty në faqen 454 nuk citohet fjalia origjinale e shkruar nga despoti Gjon Muzaka: “Se gjyshi i Skënderbeut quhej Pal Kastrioti dhe ky zotëronte në Mat dy katunde,, që quheshin Sinjë dhe Gardhi i Poshtëm”, por edhe këtu mungon termi Mat. Kjo gjë jo për faj të P. Xhufit, por për shkaqet e mësipërme, ku qëllimisht është hequr emri i Matit. Për ta ilustruar këtë gjë, po japim një shembull tjetër. Në librin e tij të botuar së fundmi në Shqipëri “Antologji historike”, albanologu dhe politikani Mustafa Kruja rrëfen pa dashje të vërtetën. Në kapitullin XII, të titulluar “Beteja e parë e Fushë-Kosovës dhe arbëreshët”, megjithëse ithtar i tezës se Kastriotët ishin nga Dibra, kjo figurë e shquar e Shqipërisë së gjysmës së parë të shekullit XX, na bën një shërbim të shquar, duke cituar tekstin autentik të kronikës të botimit të parë të Hopfit, botuar në Berlin në vitin 1875, në të cilin thuhet se gjyshi i Skënderbeut zotëronte në Mat dy fshatra: Sinjën dhe Gardhin e poshtëm.
Pra Muzaka i ngratë që vdiq në ekzil pavarësisht se çfarë shkroi, në fillim të deklaratës së tij pranon që Kastriotët janë nga Mati. Kështu me dashje ose pa dashje shkojmë përsëri tek e dhëna e Barletit se Kastriotët ishin nga një derë fisnike nga Mati.
Këtij fakti iu bashkuan edhe historianët dhe albanologët Hopf, Hann, Jireçek, Thalloczy dhe Shuflai, të cilët duke gjykuar në mënyrë të drejtë kronikën në fjalë pohuan me mënyrë të drejtë se Kastriotët ishin nga Mati.
Kjo derë e shquar që nxori Gjon Kastriotin zotërues së një pjesë të Shqipërisë, Gjergj Kastriotin heroin kombëtar të shqiptarëve, Gjonin, Dukë i Shën Pjetrit të Galantinës në Mbretërinë e Napolit, Don Ferrante Kastriotin e të tjerë personalitete, nuk ishte një derë dosido, që zotëronte vetëm dy katunde në periferi të Shqipërisë. Këtu nis edhe një nga dyshimet e forta mbi “Kronikën e Muzakës”, faktet e së cilës janë jo vetëm në kontradiktë me njëra-tjetrën, por duan një kodifikim më të thellë për të arritur tek e vërteta e pamohueshme se Kastriotët janë nga Mati