E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sadomazohizmi politik

Për sadomazohizmin sigurisht që është folur shumë. Instinkte të njeriut, që për të gjetur kënaqësinë seksuale përdor edhe forma të tjera. ...Dhimbje ... Vuajtje.. dhe “shumë” kënaqësi. “Ti vjen me mua për shkak të një ndjenje të fajësisë, të vartësisë, për shkak të komplekseve të tua dhe mungesës së sigurisë. Kjo nuk është as e mirë as e keqe, është natyra njerëzore”. Ky është një dialog midis padronit dhe skllaves, ku si në një teatër luhet me metoda sadomasohiste. Deviacione që ne njerëzit e qytetëruar shpesh i quajmë “kafshërore”. Dhe meqenëse sipas Aristotelit, jemi “kafshë politike” më erdhi ashtu si natyrshëm të lidh sadomazohizmin me fenomene shoqërore dhe veçanërisht politike. Dhimbja dhe vuajtja në një shoqëri tejet politike dhe gjetja kënaqësi nga ato. Më është ravijëzuar shpesh këto kohët e fundit ideja që seç kemi një dëshirë të vuajmë, por në veçanti të bëjmë të tjerët të vuajnë. Është vërtet varfëria, fukarallëku që na bën të vuajmë? Apo tendenca e vuajtjes pafund na varfëron? Vuajmë materialisht. Nuk i themi jo, as vuajtjes shpirtërore dhe, natyrisht as psikologjikes. Për rrjedhojë nuk mund të prodhojmë diç më të mirë në politikë. Kjo na bën kafshë politike dhe skllevër në politikë? Po të hapësh televizorin do të shohësh dhunë verbale, fizike. Lexon çdo ditë tituj, artikuj gazetash ku lufta, dhuna, dhimbja e vuajtja janë në çdo moment prezent. Kur shohim vuajtjen e tjetrit natyra njerëzore seç gjen ngushëllim (gjithmonë, sipas teorisë sadomazohiste). Ky ngushëllim mund të arrijë deri në kënaqësi dhe e justifikojmë me “natyrën njerëzore”. Sipas teorisë sadomasohiste të gjithë u gëzohen vuajtjeve dhe dhimbjeve dhe jo kënaqësisë.
Por vjen një çast dhe e kupton që është një teori midis shumë teorive dhe eksperiencave njerëzore. Njeriu arrin në përfundim se nuk ka nevojë të dijë të gjitha këto për të qenë i lumtur. Është dëshmitar i tragjedisë së tjetrit dhe nganjëherë edhe vuan nga kjo tragjedi. Kjo ndodh në jetën shoqërore. Po në jetën politike? Eksperienca, të paktën Shqiptare, ka treguar që politikës i duhet dhimbja dhe vuajtja. Në një vend me shumë vuajtje dhe dhimbje kënaqësia e pushtetit arrihet më lehtë.
Këto ditë pamë shumë vuajtje dhe shumë dhimbje, nga përmbytjet në zonën e Nënshkodrës. Pamë edhe një ngritje në këmbë të të gjitha strukturave të shtetit për përballimin e situatës. Dëgjuam deklaratat e ambasadorit amerikan, z. Withers: “Të gjithë e ndjemë dhimbjen e tyre në këtë situatë që po kalojnë. I përshëndesim për kurajën me të cilën po administrojnë këtë situatë”. Nuk mungoi solidariteti i ambasadorit të KE-së, z. Lohan, i cili edhe në emër të vendeve të tjera evropiane u shpreh për ndihma me produkte të nevojshme për popullatën. “BE është me ju, bashkësia ndërkombëtare është me ju”, - u shpreh edhe ambasadori spanjoll, Montobio. Por pamë edhe shefin e opozitës të dilte me shumë nxitim me deklarata politike, për shkaqe, fajtorë edhe faje. Luan Rama, një nga ish-eksponentët në PS, shprehet se kur hodhi idenë që të mos nxitoheshin në deklaratat e tyre politike pa u konsultuar me ekspertët e fushës, ju përgjigjën “Kush pyet për specialistët. Këtu, ne na e shkruajnë tekstin, dhe ne dalim për ta lexuar”. Të nxjerrësh përfitime politike në këtë situatë kur të gjithë shprehin dhimbje, solidaritet, do të thotë të hysh në pjesën më të errët të natyrës njerëzore dhe të ndjesh kënaqësi nga një fatkeqësi. Ky është sadomazokizëm politik. Homo homini lupus (njeriu për njeriun është ujk) ka thënë filozofi anglez Thomas Hobbs, i cili arsyetonte se, sipas tij, kur shikojmë kundërshtarin të gjunjëzuar na vjen të qeshim. Këtë bëjnë edhe hienat të, cilat nxjerrin një tingull të përafërt me qeshjen. Atëherë mund ta modifikojmë shprehjen e Hobbs-it: “Njeriu për njeriun është hienë”.
Të bëjë opozita një analizë shumë të thellë të shkaqeve të saj, të jap alternativa, të bëjë strategji që një herë e mirë të mos varemi “nga shiu e nga bora”. Por jo sot, kur ende njerëzit vuajnë. Nuk kemi nevojë për kurrfarë “teatri” qoftë masokist, masonist ... për të prekur vuajtjen. Jeta na ofron tanimë shumë raste për të vuajtur. Në qoftë se do të ndjekim këto instinkte të errëta ku dominon dhuna, dhimbja (për pasoje vuajtjen) do paramendojmë vuajtjen që do shkaktojmë. Mbetemi skllevër të padronit, sipas teorisë mazokiste. Po në politikë? Mbetemi skllevër të instinkteve tona më të errëta për pushtet. Edhe njeriu i veshur me pushtet ka forcë dhe fuqi më të madhe për të shkaktuar dhimbje dhe vuajtje. Kjo dhimbje tashmë institucionalizohet. Në qoftë se sadomasokizmi në thelb ka nënshtrimin që më pas sjell, (gjithmonë sipas kësaj teorie) lirinë e plotë; politika ka liri të plotë për të nënshtruar, sunduar, shkaktuar dhimbje kur ende plaga është e hapur. Me sa duket ka dhe liri të ndjej kënaqësi.
Por për të kuptuar nëse ka superioritet midis sadomazokizmit dhe politikës, apo nëse ka ndryshim midis tyre (sigurisht sipas disa individëve) kam realizuar një dialog.
Sadomazohu: Ti duhet të gjunjëzohesh përpara meje. Si guxon të kundërshtosh?
Politika: As mos e mendo të kundërshtosh. Je krejt i gjunjëzuar.
Sadomazohu: Qenia njerëzore e njeh vetveten, kur arrin në kulmin e dhimbjes.
Politika: Kulmin e dhimbjes e shkaktoj unë. (Kam shume forcë për të shkaktuar shumë dhimbje).
Sadomazohu: Kjo është aventurë.
Politika: Ky është realiteti.
Sadomazohu: Kur nuk je askushi, atëherë je ajo që ke ëndërruar.
Politika: Sa më shumë askush, aq më shumë gjithkush (apo i vlefshëm) për mua (politikën).
Sadomazohizmi: Mbaje kokën ulur! Ti je këtu për t’u poshtëruar, për t’iu nënshtruar të gjithë atyre që unë dëshiroj.
Politika: Nuk ka poshtërim pa u poshtëruar edhe vetë.
Sadomazohizmi: Ndal! Kthehu djathtas! Ndal! Kthehu majtas! Ndal! Kthehu mbrapa!
Politika: Ndal! Mos ec përpara! (Të ecësh përpara është e fundit që dua).
Sadomazohu: Ajo merr shpulla pa arsye dhe e ndjen poshtërimin që është më i fuqishëm se vetë dhimbja.
Politika: Unë i jap shpullat me arsye të ftohtë dhe koshiencë të plotë. Ndjej kënaqësi nga vuajtja.
Sadomazohizmi: Dhimbja të fut në vrimën më të zezë dhe më të thellë të shpirtit, ku dhimbja dhe frika përzihen me kënaqësi absolute, duke të shpënë përtej të gjitha kufijve që ke njohur deri më tash.
Politika: Të ftoj me shumë kënaqësi të gjesh pjesë të vetvetes që nuk i njeh. (Me duhet kjo pjesë e errët për të të dominuar).
Sadomazohu: Njeriu ka nevojë të dëshpërueshme për dhimbjen. Nuk ka kurrfarë detyrimi, kurrfarë shantazhi. i vetmi pushtet imi ishte të të shtyja drejt lirisë tënde. A ka kënaqësi? Jo. Zoti është për të detyruar skllaven. Dhimbja e skllaves është gëzimi i të zotit.
Politika: “Skllevërit” i shërbejnë të zotit, edhe pa kurrfarë kënaqësie. Kjo është një gjendje ku thuajse vuajtjet që i shkaktojmë tjetrit, janë të nevojshme, qenësore për jetën e tyre. Ky është thelbi sadomazokizmit politik. Sy skllevërish të cilët murmurisin dëshpërimisht -“Ju lutem na godisni” ose me saktë kjo do të ishte idealja për sadomazokizmin politik, skllevër për t’u skllavëruar, skllevër për t’u dominuar. Kështu ndodh kur skemat e politikës dhe të sadomazokizmit tenton t’i bësh tejet të ngjashme. Por çështja është që të mos frymëzohemi shumë nga këto teori të mbrapshta aq më tepër t’i vëmë në praktikë ato.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›