E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tish Daija kërcen tuist

Shënime nga udhëtimet në memorie, III. Koha e fundit e kompozitorit të Halili dhe Hajria dhe Natën Vonë; Shkodra, Festivali i 11-të dhe Lali, dashuria e jetës së tij. Roland Gjoza në takim me Tish Dainë përpara vdekjes

Shellton, që ne i thërrisnim shkurt Shelli, më priste në zyrë. Punonte në kompjuter. U ula dhe prita. Kisha nderim për atë burrë të gjatë elegant, që herë - herë më bënte tel dhe më kërkonte mendim për temat e dokumentarëve.

Na kishte marrë pothuajse nga rruga dhe na kishte siguruar punë. Kinostudio ishte mbyllur, në televizion pothuaj nuk punohej, rrinim kafeneve, me atë pak rrogë mujore, që s'na dilte as për 10 ditë. Ai vinte nga Uashington DC, ishte menaxher i njohur i programeve televizive amerikane.

Drejtonte një fondacion ndërkombëtar IREX, pjesë e programeve të USAID. U kthye nga unë, më këqyri me një tik në syrin e djathtë dhe më tha të bënim një dokumentar për Tish Dajinë. Të fillonim menjëherë nga puna.
Tish Dajinë e kishim harruar.

Ishte koha e harresave, ngulshëm duheshin harruar të vjetrit. Ishte si një trysni, si një gangrenë. Nuk i përmendnim më sepse pjesët e tyre muzikore, pikturat, librat, ishin mbuluar nga pluhuri i kohës.

Jo, nuk është e saktë, aspak e vërtetë madje, atë pluhur ia hidhnim ne, plëngprishësit. Më kujtohet që mbeta për një çast, nuk dhashë asnjë shenjë. Isha në një spektakël bashkë me ambasadoren, tha Shelli.

Kur papritur u ngrit një burrë i vjetër, po që mbahej, më falni, tha, nuk jam në skenar, hyj te improvizimet, po kam diçka që i shkon shumë këtij momenti. Prezantuesi i spektaklit e njohu dhe e ftoi menjëherë.

Ai u ngjit në skenë, dukej që ishte mësuar me skenat, u ul në piano dhe këndoi: Tirane - Nju Jork, një këngë origjinale shumë të bukur. Ambasadorja pyeti për emrin e tij. Qëlloi që kishte parë para dy ditësh baletin e tij, Halili dhe Hajria. I kishte pëlqyer shumë muzika. Kështu Roland, do të bëni një dokumentar për të. Sa më shpejt.

E theksoi këtë, sa më shpejt dhe unë i pashë tikun në syrin e djathtë. Kishte diçka në këtë ngutje, padyshim që diçka fshihej në atë bisedën kokë më kokë të ambasadores me njerëzit që kishte pranë.

Shelli nuk ma tha fundin. Parandjenja që më erdhi menjëherë s'fliste për mirë.
Të nesërmen ngjitëm shkallët që të çonin në katin e pestë të pallatit ku banonte kompozitori me gruan e tij. S'kisha asnjë ide për skenarin.

Këqyrja detajet. Hollësitë me një mërzi e bezdi të padurueshme, sikur t'i bija murit me kokë. U hap dera dhe para nesh u shfaq gruaja e tij, Lali, 70 vjeç. Tejet e bukur. Me një melankoli fine përzier me nervozizëm dhe lodhje dëshpëruese. Ç'kishte ajo grua që po vonohej të na ftonte brenda?

Kush jeni ju? I thamë kush ishim dhe prej nga vinim. Asgjë nuk ndryshoi në qëndrimin e saj. Pse doni të bëni dokumentar për Tishin? Ia shpjeguam njëfarësoj. Ajo nuk po bindej ende. Po Lali ishte kaq e bukur, sa unë, më besoni, s'kam si ta fsheh, kisha rënë në dashuri me të.

Më shpëtoi intuita e femrës që e ndjen këtë mallkim të ëmbël të natyrës, u zmbraps, na la të futeshim brenda, po pa asnjëfarë dëshire. Është e kotë, pëshpëriti, ky është një shqetësim më tepër, gati i padurueshëm... Ishim kaq mirë, ai pothuaj është përtërirë, atje në Amerikë te djali më fliste si në rini, e dëgjoja dhe s'e besoja, atje në Nju Jork më propozoi prapë...

Sa bukur fliste, me kaq shumë ndjenjë, krejt e vërtetë, një grua që s'fshihte asgjë, një grua ideale. Të ka propozuar shpesh? Guxova ta pyes duke e parë në sy.

O, lëshoi këtë zanore prej gruaje të dashuruar gjithë jetën pa gjetur asnjëherë pauzë, atij dashuria i është kthyer ne zakon, kështu e ndjej, sa herë ka kompozuar diçka të bukur, gënjen bukur, më ka frymëzuar Lali, thotë, është një gënjeshtër që e beson dhe vetë.

Tish, thirri, kanë ardhur të bëjnë një dokumentar për ty. Ai e priti me gëzim, erdhi menjëherë, si një djalë i ri, tejet i gjallë, plot me fjalë kaq të ëmbla dhe s'pushonte duke folur, në pesë gjashtë fjalë futej në mes Lali, Lali dhe Lali prapë.

Ajo hapi një shampanjë për ne. Tapa kërciti fort dhe ai tha: Thonë se dashuria fillon me shampanjë dhe mbaron me kamomil. E patë edhe vetë, këtu ka vetëm shampanjë.
Tish Daija ishte 78 vjeç. Kalonte nëpër Tiranë me biçikletë.

Atë e kishte aleate. E lidhte poshtë te shkalla. Biçikleta dukej nga dritarja. E vetme në atë rrugicë të ngushtë. Dy momente, gruaja dhe biçikleta. Po ende ishte pak. Megjithëse thuajse e kisha gjetur; Tish Daija, një invers moshe, rinohej duke u plakur.

Ç'bënte ai gjithë ditën? Ulej në piano. Sapo kishte kompozuar një këngë që titullohej Shkodrës, frymëzuar nga jaret e famshme të qytetit të veriut.
Ajo ulej te ballkoni dhe shikonte poshtë lulishten e Piacës, muzeun, rrugën me shumë lëvizje, malin e Dajtit, që në muzg dukej krejt blu.

Shkuam në Shkodër dhe u ngjitëm në kështjellë. Atje ishte frymëzuar për baletin Halili dhe Hajria, për Festë ka sot gjithë Shqipëria, Vallja e shpatave.

Asnjëherë nuk mërzitej, përherë tregonte diçka me një përmallim të çuditshëm. Pastaj na çoi te rrugica e tij e fëminisë, Mark Vukaj, lagjja Badra, na foli për padre Filip Mazrekun që drejtonte korin Illyricum ku ai gjashtë vjeç kishte kënduar Halelujën e Hendelit.

Kjo rrugicë fshihte një thesar. E para ishte shtëpia e Tishit, një dykatëshe me mure të lartë, më tej në të majtë, ajo e Tano Banushit, me një portë të vjetër të mbyllur me zinxhirë. Pastaj në të djathtë ngrihej shtëpia e Çesk Zadejës, me një portë të moçme përplot noti, më poshtë në fund të rrugicës dukej ajo e Serafin Fankut, me portë gri dhe grila të gjelbra.

Katër Artistë Populli në një rrugicë me kalldrëm prej gati njëqind metrash. Ai na e tregoi këtë hollësi fare thjesht, po me shumë emocion. S'duhej të harronim që ishim në Shkodër, në qytetin e famshëm të veriut, plot me artistë të mëdhenj dhe gra të bukura.
Lali nuk erdhi në këtë udhëtim.

Na la vetëm me të dashurin e saj të përjetshëm. Po në këtë mosshoqërim unë vura re diçka; dëshpërim, vuajtje të thellë, dukej që ajo nuk e përballonte dot atë udhëtim. Diçka fshihej, po nuk thuhej kurrsesi.

Një si hije nderej në atë shtëpi, po dhe midis tyre kur ata ishin bashkë. Më bëri përshtypje se të dy sikur u ndjenë disi të lehtësuar kur hymë ne mes tyre, aq të bezdisshëm dhe egoistë siç janë kineastët kur duan të mbarojnë punë shpejt.

Po ajo mezi na priste dhe sa herë qe ne hynim brenda, unë i pikasja atë lodhjen me aq hir fisnikërie, atë melankoli cfilitëse, që në vend të zymtisë dhe ftohtësisë i jepte një bukuri të pashoqe. Po pse vuante kaq shumë ajo grua? Diçka nuk shkonte. Mes tyre kishte ndodhur patjetër një skenëz jo aq e këndshme, një prishje e përkohshme ndoshta, ose një ..

Nuk po e gjeja dot. Po nuk më rrihej pa e hetuar këtë marrëdhënie të çuditshme; një burrë energjik, që fliste vazhdimisht për projekte, një grua e dëshpëruar, që mbante në shpirtin e saj një të fshehtë.

Ju nuk e dini se ç'ndodhi me festivalin e 11-të, e merrte fjalën Tishi, kisha kompozuar Natën vonë, një këngë me ritëm bluz, doja ta këndonte Vaçe Zela. Ajo kishte patur sukses me dy këngët e mia, Erë pranverore, Flakë e borë.

Po këtë këngë nuk e pa të përshtatshme për vokalin e saj. Në këtë kohë Tishi u ul në piano dhe filloi të këndojë Natën vonë, një këngë e paharruar e atyre kohëve, një hit i vërtetë. S'ia mbushja dot mendjen Vaçes, bënte naze...

Tishi i hidhte sytë nga Lali, ngrinte zërin, donte që ajo t'i vinte veshin. I binte pianos me grushte, me shuplaka, thërriste, qeshte, gajasej, lëshonte pyetjen gati ekzaltuese; apo jo, Lali, të kujtohet, zemër? Më në fund Vaçja pranoi, me njëfarë frike, nuk e di pse kishte frikë. Doli në skenë, shkëlqeu.

Po natën e dytë kënga u hoq me urdhër nga lart. Për influenca të theksuara dekadente. Të kujtohet, Lali, sa u mërzite, sa mirë të vinte kur e këndonin të rinjtë në rrugë, ajo u bë një nga këngët më popullore...

Dhe ta dini, fajin e ka Lali, që unë bija në ndikime të huaja, se ajo më çmendte me atë bukuri që e ruan edhe sot... Dojsha me iu përshtat... Dhe qeshte Tishi. Po ajo dukej e hutuar, fare pak merrte pjesë në këtë alegri e trallisje prej kujtimeve të të shoqit.

Ore, Tish, më thojshin, ti ke fitu në Dizhon Medaljen e Artë me Festë të madhe ka sot Shqipëria, ç'janë këto kangë ekstravagante, si në perëndim... s'të ka hije, hej burrë! I zmadhonte gjërat Tishi, u jepte ngjyra humori që ajo të vinte buzën në gaz. E bënte për Lalin. Sforcohej, pa u lodhur kurrë, ishin katër sy që merrnin e jepnin, po nuk nxirrnin shkëndijë. Qe shuar ajo shkëndijë.

Ne vinim nga Moska, Lali, një qytet i madh me kompozitorë të mëdhenj, Çajkovski, Musorgski, Glinka, Stravinskij, Rahmaninov, Shostakoviç, me balerinë të mahnitshëm si Nurejev, me të cilin kam bashkëpunuar, po edhe ne ishim nga vende të mëdhenj, e mban mend Lali, si na tha profesori i kompozicionit, ore, djema, ju s'qenkeni shqiptarë, njeni nga Gjakova, e kishte fjalën për Avni Mulën, tjetri nga Pekini (Peqini) për Rifat Teqen, ky prej Amerike, për Gjoni Athanas, i cili kishte lindur atje.

Dhe qeshte Tishi pa harruar t'i hidhte sytë te fytyra melankolike e Lalit. E këqyrja me emocion syrin e saj që lëshonte hije mbi mollëza, të qeshurën e tij shpërthyese, gojën që s'i pushonte, brengën e saj dhe entuziasmin e tij, përuljen dhe ngadhënjimin, kinse të tilla, kështu më dukej, teksa ndiqja ato gishtërinjtë e saj që kapërtheheshin me ankth me njëri-tjetrin, lëvizjet e tij prej djaloshi, energjinë, pianon që "hante dru" prej grushteve të tij.

Ai i mbante sytë te ajo me një ndjenjë ngashënjimi, më shumë të shpikur, se sa të ndjerë; ore, zotërinj, ritmet vijnë prej folklorit, bluzi, xhazi, souli, rokenrolli, tuisti, janë folklor prej Amerike, Afrike, janë anonim, popull, ju do të thoni se i kam imitu... po edhe e kemi ba këtë mëkat, kemi kërcye sa jemi shkep tuist bashkë me Lalin, në ambjente të mbylluna, ndër miq, kërce unë me Lalin, kërce Avniu me Ninën...

Tishi i zgjati duart Lalit, e nxiti që të kërcenin, po ajo krejt papritur i ktheu shpinën dhe iku në dhomën tjetër.

Ai kërceu vetëm. Kërceu tuist krejt vetëm, po në një mënyrë sikur fare ngjitur të kishte Lalin. Tuisti ia hoqi moshën, i la vetëm shpirtin. Kërcente tuist Tishi 20-vjeçar. Ashtu dukej.

Po ajo kishte ikur, nuk kishte qëndruar të kërcente bashkë me të. Unë ndoshta i zmadhoja veprimet e tyre, po nuk më pritej derisa të zbuloja të vërtetën. Shkova te dhoma ku ishte ballkoni.

Ajo rrinte atje, në pritje. Isha i sigurtë se ata duheshin si të marrë. Ajo vuante nga dashuria. Ai gëzonte nga dashuria. Zili?

As që të shkonte nëpër mend t'i kishe zili. Sepse në mes ishte drama. Ajo drama e fshehtë që po më torturonte. Ajo më ndjeu, lëvizi pak, kthehu kokën në profil. Ishte po ajo buzëqeshje e vagëlluar sapak e tretur me një vuajtje të mistershme që ia kisha parë kur ai i sillte lule.

Ai i dhuronte lule, me një lumë fjalësh, i blinte krejt rastësisht lule, trëndafilë me gonxhe të mbyllura dhe nxitohej të kthehej në shtëpi pranë saj.

Ajo i mbante ato në duart që i dridheshin dhe u merrte erë pastaj e puthte atë lehtë në buzë me një sy të bukur përplot lot, po jo lot të gëzuar, përkundrazi, krejt të trishtuar. Ai s'tradhtonte asgjë, s'kishte fare brenga, kështu më dukej, vetëm ajo... fliste pak, ulej në ballkon dhe vështronte me një dylbi të vogël poshtë në lulishten e Piacës.

Si duket e kishte ndjerë me atë intuitën e gruas që pëlqehet, se ç'kërkoja unë, më ftoi pranë vetes dhe më tha: E di se ç'mendon, kur më shikon kaq të pikëlluar...Sa keq më vjen për Tishin...

Ai bëri dy operacione në Amerikë... Ata i dhanë vetëm dy muaj jetë... Dhe ia thanë se ç'sëmundje kishte, ata s'ta mbajnë të fshehur si tek ne, pra, ai e di prej kohësh që ka kancer, po nuk e jep veten. Është kaq optimist... Po mua kjo po më çmend... a e kuptoni, si do të jetoj unë vetëm?

Kush do të më sjellë lule? Kush do të më marrë kudo me vete? Kush do të më japë tërë paratë e Akademisë që unë të mblidhem me shoqe në ndonjë restorant dy herë në javë? Kush do të më propozojë për të njëqindën herë se më dashuron? Kush do të harrojë dhe prapë do të më propozojë?
Nju Jork 2009

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›