E vërteta mbi studion time ligjore
• Argita Malltezi“Gazeta Shqiptare” ka botuar kohët fundit një sërë artikujsh, më saktësisht titujsh, shpifjesh e mashtrimesh të përditshëm, të cilët kanë në qendër Argita Malltezin. Për shkak të ngjashmërisë së gjysma-shkrimeve po i referohem të fundit prej tyre, i cili merrej me faktin që zyra juridike e Argita Malltezit është regjistruar si biznes i vogël. Të ngresh pyetje mbi një çështje të tillë për të kërkuar sqarime është fare normale; të japësh konkluzione, bazuar mbi gënjeshtrën dhe shpifjen është amorale. Eshtë fyerje e rëndë për inteligjencën e lexuesve, të paktën nëse beson se ke lexues. Nuk do të humbas durimin e askujt për të zbërthyer ligësinë e gënjeshtrave dhe llogaritë e shtrembëruara qëllimisht në shkrim. Do të mjaftohem të ritheksoj se kam deklaruar 7.6 milionë lekë (të reja) xhiro, (nuk kam përmendur kurrë se 4 milionë është fitimi apo sa është rroga që kam sikundër shpif gazeta), të cilat janë produkt i aktivitetit tim privat si avokate, për të cilat janë paguar tatime një më një. Çdo aspekt i aktivitetit tim është lehtësisht i kontrollueshëm, nëpërmjet organeve tatimore, Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, apo QKR-së. Transfertat bankare, përsëri të shtrembëruara nga gazeta, janë ato të deklaruara në organet përkatëse, dhe lidhen jo vetëm me aktivitetin tim si avokate, por dhe me të ardhura të mëparshme apo nga burime të tjera të deklaruara. Aktiviteti që zhvilloj është brenda të gjitha ligjeve dhe rregullave dhe kushdo është i lirë të investigojë dhe të botojë fakte. Zyrat avokatore krijohen nga të paktën 2 avokatë, të cilët mund të ushtrojnë aktivitet në mënyrë krejt të pavarur nga njëri–tjetrin, por që bashkohen me qëllim ndarjen e shpenzimeve dhe aspekte të ngjashme. Zyrat fillimisht regjistrohen në Dhomën e Avokatëve. Në momentin kur unë kam filluar aktivitetin, avokatët (me licencë personale avokatie) kishin detyrim të regjistroheshin si fillim në gjykatë dhe organet tatimore të paktën si person fizik, të licencoheshin nga Dhoma e Avokatëve si Zyrë Avokatore, dhe më pas, në rast rritjeje të aktivitetit përtej pragut të xhiros vjetore prej 8 milionë lekësh, të regjistroheshin si person juridik. Sikundër citohet në ekstraktin e ligjit mbi avokatinë të botuar nga gazeta në fjalë, Pika 3 a nenit 24, thotë se zyra e avokatisë, nëse e sheh të arsyeshme dhe brenda interesit të vet, pasi është miratuar si e tillë nga Dhoma e Avokatëve, mund t’i drejtohet gjykatës për t’u njohur si person juridik. Këtë kanë bërë të gjithë ata avokatë, aktiviteti i të cilëve ka prodhuar një xhiro më të madhe se 8 milionë lekë. Në rastin tim, xhiro vjetore vazhdon të mbetet nën këtë prag, ndaj dhe unë në përputhje të plotë me rregullat, vazhdoj të jem e regjistruar si person fizik. Nëse gazeta do të kish qenë e interesuar për të vërtetën, do ta kish pasur të thjeshtë të citonte të dhënat e sakta, të marra nga të njëjtat burime që ajo i ka përmendur e më pas keqinterpretuar, sikundër do të kish mësuar që studio “Malltezi & Kola” ka pushuar aktivitetin prej gati dy vitesh. Por gazeta nuk është e interesuar për të vërtetën, e ca më pak për publikun, dhe jo sepse këto të fundit nuk të nxjerrin të ardhura të mjaftueshme, por sepse mendon se sot për sot shpifja shitet më shtrenjtë. Atëherë… rroftë shpifja! Për një kohë të gjatë, shkrime të cilat përmendnin emrin tim i kam parë me indiferencë, duke i trajtuar në të shumtën e rasteve si një kuriozitet normal i njerëzve. Më vjen keq nëse heshtja ime është kuptuar si paaftësi për t’u përgjigjur. Ka ardhur momenti t’u kujtoj fabrikuesve të shpifjes disa fakte: I gjithë aktiviteti im profesional deri tani pasqyrohet në dokumente organizmash shtetërore dhe ndërkombëtare (Fakulteti i Drejtësisë, UN, organe tatimore/Dhoma e Avokatisë). Çdo qindarkë është e dokumentuar, jo vetëm me kontrata dhe bordero, por edhe me dëshmitë e transfertave bankare të rrogave. Nuk kam zgjedhur asnjëherë rrugën e lehtë, por rrugën që më ka mundësuar të mbaj kokën lart dhe të përgjigjem ashtu siç duhet. Kam zgjedhur aktivitetin privat, jo se është më i lehti. Përkundrazi, si qindra gra të tjera, unë i rris fëmijët e mi me punë, që fillon në 09:00 e mbaron në 19.00, dhe që nga ardhja e kësaj qeverie nuk kam marrë asnjë qindarkë të kontraktuar nga qeveria, në formë anëtarësie në borde, përfaqësimi kompanish tregtare në procedura tenderash apo në para publike të prokuruara nga shteti. Në këto rrethana, duke mos qenë pjesë e administratës, i kujtoj gazetës në fjalë se kam mundësinë e plotë jo vetëm të argumentit dhe të përgjigjes publike, por edhe të ballafaqimit në gjykatë, në çdo moment që do ta vlerësoj të arsyeshme.