Sindroma e kështjellës
• Edmond TupjaPo të udhëtosh nga Tirana në Elbasan, diku midis Saukut dhe ...Mulletit, do të vëresh një mori ndërtesash me forma nga më të ndryshmet: hotele, restaurante, bar-kafe, shtëpi banimi etj. Ndër to të bëjnë detyrimisht përshtypje disa godina në trajtë kështjelle me kulla, bedena e të tjera veçori të llojit në fjalë. Janë të ndërtuara bukur, s’ke ç’thua. Por nuk e di përse ato të kujtojnë sindromën e kështjellës.Për dijeni të atyre që ende nuk e dinë se çfarë është një sindromë, fjalorët na mësojnë se bëhet fjalë për një bashkim të disa simptomave, shenjave ose anomalive që përbëjnë një entitet klinik të dallueshëm, qoftë nga njëtrajtshmëria e bashkimit të shfaqjeve të pashëndetshme, qoftë nga fakti që ai tregon se është prekur një organ ose një sistem i përcaktuar qartë; në kuptimin e figurshëm, quhet sindromë një tërësi shenjash që të bëjnë ta vlerësosh një situatë si të keqe. Sigurisht, në Shqipëri, gjatë izolimit ku e kalli popullin diktatura komuniste për gati pesëdhjetë vite rresht, mund të thuhet pa frikë se mbretëroi sindroma e kështjellës (Kujtoni parullat “Shqipëria – kala e pamposhtur”, “Jetojmë si në rrethim!”, “Hedhim valle në gojë të ujkut!”, “Ndërtojmë socializmin me forcat tona”, “Të luftojmë shfaqjet e huaja...” etj., etj.). Por kjo sindromë duket se ka rrënjë më të thella në histori (Kujtoni bajlozët e katallanët e disa krijimeve tona folklorike të lashta, të cilët vinin nga deti, pra, nga jashtë vendit, për ta pushtuar atë) dhe nuk është e thënë të largohet vetvetiu dhe brenda pak kohësh nga ndërgjegjja e sidomos nga nënvetëdija jonë. Këtë ta kujton sidoqoftë edhe prirja e sotme, të paktën në rrugën nga Sauku në Mullet kur merr për në Elbasan, e ndërtimeve të lartpërmendura.Sindroma e kështjellës spikat sot në mungesën e dialogut jo vetëm midis pozitës dhe opozitës, por edhe në vështirësinë që ndiejmë gati të gjithë për të dalë nga guacka e unit e për ta vënë veten sado pak në vendin e tjetrit. Kështu ndodh jo rrallë, për shembull, në marrëdhëniet midis eprorëve dhe vartësve, punëdhënësve dhe punëmarrësve, prindërve dhe fëmijëve, mësuesve dhe nxënësve etj.Psikologët thonë se kjo sindromë fsheh, në shumicën e rasteve, një kompleks inferioriteti, çka mund të shpjerë deri në mbyllje të plotë në vetvete, pra, në autizëm, gjë që e dëshmon më së miri, për fat të keq, edhe historia e izolimit gati gjysmëshekullor të Shqipërisë komuniste. Gjithsesi, kështjellat më të rrezikshme janë ato që nuk duken, ato që ndërtojmë diku thellë brenda nesh, kështjella që ndajnë, veçojnë, diskriminojnë, egërsojnë para së gjithash pronarët e tyre. Këta e pandehin veten të mbrojtur nga të tjerët, të cilëve, dashur pa dashur, u veshin tërë agresivitetin që kanë vetë. Ilustrimi më i mirë i kësaj dukurie me pasoja të rrezikshme është, ndër të tjera, ajo çka po ndodh që prej fillimit të viteve ’90 me politikanët shqiptarë të të gjitha ngjyrave, parfumeve e shijeve.Mendimi im është se ka ardhur koha të shemben këto kështjella të brendshme, pavarësisht se ndërtohen godina në trajtë kështjellash si restorante, hotele, bar-kafe apo shtëpi banimi. Në epokën e sotme, epokë dialogu e transparence, ndërtuesit e kështjellave janë në kundërshtim të plotë me frymën e kohës, atë të ndërgjegjes planetare të njerëzimit. Sepse sot është epoka e komunikimit, pra, epoka e ndërtuesve të urave.Le të më lejohet, së fundi, t’u kujtoj atyre që ende vuajnë nga sindroma e kështjellës, fjalën e admiralit Ushakov, sipas të cilit, nuk ka kështjella të pamposhtura, por vetëm kështjella të sulmuara keq. Çka do të thotë se çdo kështjellë është e paracaktuar të shembet. Herët ose vonë. Dhe gurët e saj do të përdoren për të ndërtuar ura.