Reforma në Drejtësi, PD e PS me projekt të kopjuar
• Socialistët dhe demo-kratët prezantojnë propozimet e tyre për reformën në drejtësi. MAPO siguron për herë të parë draftet, që në thelb janë të ngjashëm dhe reflektojnë vullnetin e përbashkët.Lorenc VangjeliKu bashkohet Berisha e Rama dhe fjalitë e tyre identike për domosdoshmërinë e reformës. Janë tre projekte që pretendojnë të reformojnë rrënjësisht drejtësinë. Në fillim, Partia Socialiste, më pas edhe LSI dhe në fund, edhe vetë maxhoranca, numrat e të cilës në Kuvend janë përcaktuese për fatin e reformës, kanë përgatitur propozimet e tyre, të cilat deri më tani kanë mbetur konfidenciale. Dy partitë më të mëdha kanë shpallur publikisht vullnetin e tyre, madje edhe duke “huazuar” në largësi në mënyrë identike të njëjtin fjalor, duke iu drejtuar partive politike: “Të sillen e të veprojnë njësoj në raport me sistemin e drejtësisë, si kur janë në maxhorancë, edhe kur janë në opozitë”, deklaron kryetari i PS-së, Edi Rama, në javën e fundit të janarit. “Po konsolidohet një rregull, i cili e çon vendin përpara, pavarësisht se kush mban karrigen e pushtetit dhe kush atë të opozitës”, thotë edhe Berisha në datën 3 shkurt. Edhe duke kontrolluar dhe ballafaquar dy tekstet, vihet re se ata janë të ngjashëm jo vetëm në thelbin e tyre, por edhe në formë. Madje, ndonjë gabim apo fjalë e përsëritur gabimisht në njërin tekst, ndodhet në mënyrë identike edhe në tekstin tjetër. Për shembull: fjalia “Duke vlerësuar aspiratën legjitime të shqiptarëve e shqiptarëve...”, gjendet që në faqen e parë të të dy dokumenteve. Por edhe faqet e mëpasme ngjajnë në mënyrë “të çuditshme”, duke nisur që nga ndarja e kapitujve e deri tek arsyetimet që i shoqërojnë ato. Revista MAPO zbulon për herë të parë se, në fakt, pavarësisht “pompës” që ka shoqëruar procesin, është e vështirë të thuhet se do të diskutohen dy tekste të ndryshëm, sepse ata janë të ngjashëm. Teksti i socialistëve është “kopjuar” lirshëm. Më tepër se skandal, kjo është një anë qesharake e këtij procesi, i cili duhet të na japë teorikisht edhe ftesën për në NATO. Pavarësisht kësaj, zaret janë hedhur dhe gjithçka i ngjan një krushqie tashmë edhe formalisht e mbyllur dhe një festë ku gjithë politika e vendit duket se po vrapon të marrë pjesë, duke afruar kështu për herë të parë, një pamje të tillë të paqtë të saj. Revista MAPO ka mundur të sigurojë për herë të parë nga një kopje të propozimeve të tre partive, PS, PD e LSI për reformën në drejtësi. Në thelb janë krejt të ngjashme, më të detajuara ato të dy partive më të mëdha, dhe më modeste e bazuar në parime kryesore ajo e ardhur nga LSI.Propozimi socialistJanë dymbëdhjetë faqe të ndara në dy kapituj, i pari i titulluar Pakti Kombëtar për Drejtësinë (Projekt) dhe i dyti është një plan veprimi afatshkurtër për reformën në drejtësi. Më pas vijojnë dhe afatet e parashikuara, të cilat fillojnë që me miratimin e projektligjit për “Organizimin gjyqësor”, i cili duhet të përfundojë në datën 25 shkurt, hapja e një dialogu intensiv me grupet e interesit, që duhet të mbyllet që dhjetë ditë më parë kësaj date e deri tek angazhimi i Këshillit të Ministrave për mundësitë e mbështetjes financiare në datën 1 mars dhe hartimi përfundimtar i Paktit Kombëtar e planit të veprimit dhe nënshkrimi i dokumentit politik përfundimtar në datën 10 mars. Fatmir Xhafaj, sekretar për marrëdhëniet ligjore në PS dhe ish-ministër Drejtësie, njeriu që drejtoi grupet e punës me ekspertë pranë partisë së tij, shpjegon se pse ka pasur kaq vonesë në kryerjen e kësaj reforme, qoftë në tetë vitet kur qeveriste PS-ja, qoftë dhe tani. Ai pranon perceptimin negativ të publikut ndaj vetë sistemit dhe ndjeshmërinë e thellë ndaj tij, por thotë se partia e tij nuk është në thelb kundër sistemit, por kërkon të rregullojë dhe përmirësojë defektet e tij. Sipas Fatmir Xhafës, ishte e nevojshme edhe një segment kohor që do të kolaudonte edhe vetë Kushtetutën shqiptare, me moshë vetëm dhjetë vjeçare, duke afruar kështu kohën e përshtatshme për reflektim mbi të dhe gjithë sistemin ligjor në vend. “Partitë politike në vend e kanë konsideruar përgjithësisht të kryer detyrën e tyre me marrjen e pushtetit dhe nuk e kanë parë atë si pikën e nisjes së shërbesës ndaj qytetarit”, thotë ai, duke konsideruar se tashmë është një moment oportun për një qasje të re ndaj këtij problemi, i cili nuk mund të jetë pronë e një maxhorance apo zëvendësueses së saj në të ardhmen. Ai pranon se sistemi në përgjithësi ka funksionuar drejt dhe në disa aspekte të veçanta, madje edhe i ka rezistuar goditjeve që i kanë ardhur po nga politika. “Në bindjen time problemi nuk qëndron këtu, por te mekanizmat e tij përbërës që kanë nevojë të sistemohen dhe harmonizohen në raport me të tërën dhe ndërmjet tyre, me nevojën për të përmirësuar cilësitë dhe qëndrueshmëritë morale e ligjore të individëve që shërbejnë në sistem”. Dhe më tej, Xhafaj këmbëngul: “Nuk është e nevojshme të preket thelbi i sistemit kushtetues, por duhet ndërhyrje në aspekte të veçanta në mënyrë kirurgjikale”. Propozimi i maxhorancësEshtë një dokument që i fton të gjitha partitë politike në vend të “deklarojnë vullnetin e përbashkët për Paktin Kombëtar për Drejtësinë si udhërrëfyes strategjik për parimet, objektivat, lëndën dhe procedurat e kësaj reforme të thellë të shtrirë në plane veprimi afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata”. Për Astrit Patozin, kreun e grupit Kuvendor të PD-së, kjo është një paketë propozimesh plotësuese që përfshin konceptin qeveritar për reformën. Mospublikimin e këtij drafti, pavarësisht se ai i është vënë në dispozicion opozitës, Patozi e shpjegon me gjykimin e tyre për të mos bërë një garë draftesh apo projektesh me opozitën, sa kohë “ekziston vullneti pozitiv për të bashkëpunuar dhe një klimë e admirueshme komunikimi me opozitën”. Patozi thotë se vetë reforma, impakti dhe rëndësia e saj për integrimin e vendit, por dhe gjithë shoqërinë shqiptare, peshon shumë më tepër se një ankth i panevojshëm për prekjen ose jo të Kushtetutës. “Ndoshta është e parakohshme që të diskutohet që sot nëse do të preket apo jo Kushtetuta, ndërkohë që çdo ligj i reformës do të kërkojë kohën dhe konsultimet e domosdoshme, rezultati i të cilave nuk mund të paramendohet për momentin”, thotë ai duke shtuar se prirja e përgjithshme e forcave politike është që, megjithatë, Kushtetuta të mos preket ose ndërhyrjet në të të jenë sa më të kufizuara. Patozi mendon se kalendari i punës vendos afate normale dhe të realizueshme për përfundimin e një reforme që, në fakt, ka nisur që në vitin 1990, kur në Shqipëri u rihap Ministria e Drejtësisë. Nga ai hap i dikurshëm i regjimit komunist, tetëmbëdhjetë vjet më parë, sot palët janë të bindura dhe të bashkuara në një pikë: “Në të tilla reforma, vullneti politik është themelor dhe përcaktues”, vë gishtin në arsyen kryesore të suksesit të saj Astrit Patozi. Që logjikisht, e kundërta, ka qenë arsyeja e dështimit dhe jo vetëm në reformën në drejtësi. Marrë nga revista MAPOPikat e PSReformimi i gjyqësorit,Organizimi gjyqësor,Statuti i gjyqtarit,Qeverisja e gjyqësorit,Reformimi i Prokurorisë,Financimi i sistemit të drejtësisë,Zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve,Raporti i sistemit gjyqësor me gjykatat evropiane,Arsimi juridik,Zbatimi i paktit.Pikat e PDReformimi i pushtetit gjyqësor,Statusi i gjyqtarit,Qeverisja e gjyqësorit,Organizimi gjyqësor dhe menaxhimi i proceseve gjyqësore,Reformimi i Prokurorisë,Financimi i sistemit të drejtësisë,Zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve,Raporti i sistemit gjyqësor me gjykatat evropiane,Arsimi juridik, Zbatimi i Paktit.projekti i psPartitë politike të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë;Duke e konsideruar barazinë e qytetarëve para ligjit si një gur themelor të Republikës sonë dhe drejtësinë e garantuar për të gjithë si një nga funksionet themelore që duhet të përmbushë shteti shqiptar;Duke vlerësuar aspiratën legjitime të shqiptareve e shqiptarëve për të jetuar në një shtet të së drejtës dhe kërkesën e përsëritur të familjes euroatlantike për t’i dhënë vendit një drejtësi moderne, të pavarur, të efektshme dhe transparente;Duke besuar se pa një drejtësi funksionale nuk mund të ketë as siguri dhe as zhvillim ekonomik të qëndrueshëm;Duke e kuptuar sfidën e garantimit të drejtësisë për të gjithë si një sfidë të përbashkët të të gjitha forcave politike për ta vënë politikën në dispozicion të pavarësimit e të modernizimit të sistemit të drejtësisë;Të vetëdijshëm për nevojën e një reforme të thellë të sistemit të drejtësisë, me vullnet mbipartizan e objektiva afatgjata;Deklarojmë vullnetin tonë për një Pakt Kombëtar për Drejtësinë, si udhërrëfyes strategjik për parimet, objektivat, lëndën dhe procedurën e kësaj reforme të thellë e të shtrirë në plane veprimi afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata;Duke e bërë këtë pakt si të vetmen marrëveshje kuadër për rolin e përgjegjësinë tonë në raport me sistemin e drejtësisë, pavarësisht nga rezultatet elektorale dhe rotacioni demokratik i forcave politike, ne angazhohemi për sa më poshtë:Reformimi i gjyqësoritPushteti gjyqësor është një nga tre pushtetet e pavarura që parasheh Kushtetuta e shtetit shqiptar. I përkufizuar si piramida e të tre niveleve të gjykimit dhe dhënies së drejtësisë, pushteti gjyqësor është garanti i vetëm i shtetit të së drejtës ndaj çdo arbitrariteti publik apo privat. Si nga pikëpamja e brendshme, ashtu edhe nga perspektiva e marrëdhënieve me vendet e tjera, ky pushtet është garanti i sigurisë juridike si element themelor për progresin shoqëror dhe ekonomik. Pakti Kombëtar për Drejtësinë synon të orientojë drejt, në mënyrë të qëndrueshme e afatgjatë, ecurinë e bashkëpunimit në funksion të reformës të pushtetit gjyqësor si dhe të fiksojë objektiva të qarta për çështjet që kërkojnë trajtim. projekti i pdPartitë politike të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuara në Kuvendin e Shqipërisë;Duke e konsideruar barazinë e qytetarëve para ligjit si një gur themelor të Republikës sonë dhe drejtësinë e garantuar për të gjithë si një nga funksionet themelore që duhet të përmbushë shteti shqiptar;Duke vlerësuar aspiratën legjitime të shqiptareve e shqiptarëve për të jetuar në një shtet të së drejtës dhe kërkesën e përsëritur të familjes euroatlantike për t’i dhënë vendit një drejtësi moderne, të pavarur, të efektshme dhe transparente;Duke besuar se pa një drejtësi funksionale nuk mund të ketë as siguri dhe as zhvillim ekonomik të qëndrueshëm;Duke e kuptuar sfidën e garantimit të drejtësisë për të gjithë si një sfidë të përbashkët të të gjitha forcave politike për ta vënë politikën në dispozicion të pavarësimit e të modernizimit të sistemit të drejtësisë;Të vetëdijshëm për nevojën e një reforme të thellë të sistemit të drejtësisë, me vullnet mbipartizan e objektiva afatgjata;Deklarojmë vullnetin e përbashkët për këtë Pakt Kombëtar për Drejtësinë, si udhërrëfyes strategjik për parimet, objektivat, lëndën dhe procedurën e kësaj reforme të thellë e të shtrirë në plane veprimi afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata;Pakti Kombëtar për Drejtësinë synon të orientojë drejt, në mënyrë të qëndrueshme e afatgjatë, ecurinë e bashkëpunimit mes të gjitha palëve, në funksion të reformës të pushtetit gjyqësor, prokurorisë, si dhe të segmenteve të tjera përbërëse të sistemit të drejtësisë, si dhe të fiksojë objektivat e qarta për çështjet që kërkojnë trajtim. Duke e konsideruar këtë pakt si të vetmen marrëveshje kuadër për rolin e përgjegjësinë tonë në raport me sistemin e drejtësisë, pavarësisht nga rezultatet elektorale dhe rotacioni demokratik i forcave politike, ne angazhohemi për sa më poshtë vijon:Reformimi i gjyqësoritPushteti gjyqësor është një nga tre pushtetet e pavarura që parasheh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. I përkufizuar si piramida e të tre niveleve të gjykimit dhe dhënies së drejtësisë, pushteti gjyqësor është garanti kryesor dhe determinues i: Shtetit të së drejtës ndaj çdo arbitrariteti publik apo privat, në radhë të parë: - i të drejtave themelore të njeriut- sistemit demokratik- ekonomisë së tregut