E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vërteta, ndryshe

Pak ditë pas botimit të shkrimit “Ekspozita në Amerikë, eksponatet në Kosovë ” të martën në adresë të gazetës Express ka arritur reagimi i Ministrisë së Diasporës (MeD), i cili artikullin e bazuar në pohimet e z. Riza Sadiku, e cilëson si “me përplot të pavërteta dhe tendencioz”. Madje, sipas MeD, “deklaratat e Riza Sadikut, njërit prej bartësve të projektit, në shkrimin e lartcekur janë shpifje për të cilat ai duhet të japë llogari”.

“Njoftojmë edhe një herë opinionin se projekti, ‘Ekspozita lëvizëse -Amerika për Kosovën’, është nënshkruar më datën 31 mars 2011, në mes Agjencisë së Mërgatës dhe Muzeut të Kosovës, para themelimit të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës. Bartës i këtij projekti është Muzeu i Kosovës, të cilit sipas kontratës i kanë takuar të gjitha përgjegjësitë organizative për implementimin e projektit”, thuhet, mes tjerash, në reagimin e MeD.

Sipas MeD, del se në kohën e themelimit të MeD’së, projekti në fjalë ishte implementuar tashmë afro 80 përqind, “respektivisht mjetet për projekt kanë qenë të alokuara nga ish-Agjencia e Mërgatës”.

Por meqë në shkrimin e tij dërguar gazetës, Riza Sadiku, i cili flet në cilësinë e këshilltarit të Muzeut të Kosovës, thotë se “Ministri Makolli dhe z. Naim Dedushaj kanë bërë marrëveshje me disa përfaqësues të Administratës Amerikane – miq të shqiptarëve për ekspozitën e paraparë në SHBA”, por edhe se “Ministri Makolli ua shpërndau informacionet e nevojshme për ekspozitën personaliteteve të ndryshme të administratës amerikane...”, MeD argumenton të kundërtën.

“E njoftojmë edhe z. Riza Sadikun, por edhe opinionin e gjerë, se nuk është detyrë e ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli, që të merret me shpërndarjen e informacioneve, pasi këtë punë në MeD e kryejnë nëpunësit përgjegjës. E, gjithashtu, ministri Makolli nuk ka pse të bëjë marrëveshje për një projekt i cili është nënshkruar nga palët e përfshira, ende para se të themelohet Ministria e Diasporës”, theksohet në reagim.

Në artikullin e apostrofuar të gazetës, Riza Sadiku deklaron edhe se: “Ekspozita ka dështuar në mungesë të koordinimit të punëve me kohë për përgatitjen dhe nisjen e ekspozitës për në SHBA, si dhe në mungesë të mjeteve financiare...”. Por, sipas reagimit të MeD, edhe kjo deklaratë e tij është e paqëndrueshme, meqenëse përgjegjësia e organizimit dhe implementimit të projektit në fjalë i takon atyre që ishin të përfshirë në të, e “në mesin e tyre edhe vet z. Riza Sadikut, dhe kjo sipas kushteve që i përcakton vet kontrata, midis Agjencisë së Mërgatës dhe Muzeut të Kosovës”.

Në këtë rast, MeD kërkon nga z. Riza Sadiku dhe përgjegjësit e tjerë për zbatimin e këtij projekti përgjigje për mospërmbushjen e kushteve të kontratës së nënshkruar më 31 mars 2011.

Riza Sadiku, po ashtu ka deklaruar se: “Ata madje menduan që ekspozitën ta hapnin pa katalog, për faktin se nga katalogu i botuar në 100 kopje, në shqip dhe anglisht, nuk kishte mbetur asnjë ekzemplar”.

“Ia rikujtojmë me këtë rast z. Sadiku se, sipas kontratës për botimin e katalogëve, është ndarë shuma prej 15,000 eurosh, dhe nëse me këto mjete janë botuar vetëm 100 sosh - të cilave u referohet edhe z. Sadiku - i bie që një katalog i vetëm paska kushtuar 150 euro, gjë të cilën e kuptojmë për herë të parë nga përgjegjësit e projektit, për shkak se ata deri më tash nuk kanë paraqitur asnjë raport me shkrim, ashtu siç janë të obliguar sipas kontratës dhe sipas kërkesës së bërë disa herë nga MeD”, thekson tutje MeD, e cila del e gatshme të jetë në dispozicion të të gjithë të interesuarve për të parë projektin në fjalë, përfshirë edhe obligimet e secilës palë.

Meqenëse z. Sadiku pretendon se për t’i kërkuar financimin e katalogëve ka kërkuar takim për këtë çështje me ministrin Ibrahim Makolli nëpërmjet miqve të tij, MeD sqaron se gjatë këtyre muajve nuk ekziston asnjë kërkesë zyrtare e z Sadiku për takim me ministrin Makolli.

“Njoftojmë edhe një herë se, vizita e ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli, në SHBA ka qenë e planifikuar të ndodhë që në muajin shtator, por për shkak të aktiviteteve tjera të tij në Austri, Gjermani, Zvicër, etj., ajo ishte shtyrë për nëntor. Pra, vizita e ministrit Makolli nuk ka pasur asnjë ndërlidhje me ‘Ekspozitën Lëvizëse -Amerika për Kosovën’. Ndërkaq, për hir të korrektësisë, meqë kishte qëlluar të jetë në SHBA, ai vet kishte planifikuar të merrte pjesë në hapjen e saj”, theksohet në reagimin e MeD.

Madje, në Ministrinë e Diasporës nuk ka arritur asnjë sqarim nga bartësit e projektit se përse eksponatet janë kthyer sërish në Kosovë, andaj kjo ministri tani shprehet e interesuar për auditivin e këtij projekti në tërësi, dhe që nga përgjegjësit të kërkohet llogaridhënie sipas ligjit.

“Sipas kontratës, pas prezantimit të ekspozitës në Teatrin Kombëtar të Tiranës, të realizuar më 12 qershor 2011, eksponatet e kësaj ekspozite do të duhej të dërgoheshin menjëherë në vendin që ka qenë destinacion i radhës, respektivisht në SHBA. Ne, si ministri, deri më tani nuk kemi asnjë sqarim nga bartësit e projektit se përse eksponatet janë kthyer sërish në Kosovë”, përfundohet në reagimin e dërguar nga Zyra për Komunikim me Publikun e Ministrisë së Diasporës – e cila shprehet e përkushtuar për transparencë dhe llogaridhënie në secilin veprim të saj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›