Mbrojtësit e vitit

Me vitin që po përfundon, uebfaqja ESPNSTAR.com e ka analizuar paraqitjen e mbrojtësve në vitin 2011, ndërsa e ka publikuar më pas listën e pesë futbollistëve më të mirë defanzivë të 12 muajve që shkuan.
Disa thonë se sulmi më i mirë është kur ta kesh një mbrojtje të mirë, ndërsa pesë futbollistët e mëposhtëm i përshtaten kësaj thënieje. Siguria e tyre në mbrojtje u ka mundësuar ekipeve të tyre që të nisen me siguri në sulm, me vetëdijen se, nëse e humbin posedimin e topit, është dikush prapa tyre që mund ta ndal sulmin e kundërshtarit.
Disa janë mbrojtës klasikë, duke qëndruar tërë kohës në 16 metërshin e tyre, ndërsa të tjerë dinë të bëhen të rrezikshëm edhe në fazën ofanzive, me nisjet e tyre të herëpashershme përpara.
I pari nga pesë mbrojtësit e vitit është serbi Nemanja Vidic. Në vitin e parë si kapiten i Manchester Unitedit, Vidic e fitoi titullin e 19-të në Premierligë histori të klubit nga Old Traffordi. Për shkak të lëndimit, ai mungoi në humbjen e thellë të United nga Manchester City, 6-1 këtë sezon.
Vidic e la përfaqësuesen serbe, për t’u fokusuar 100 për qind tek Man Utd. Përkrah Ferdinandin, ai e ka bërë më të sigurt mbrojtjen e ekipit të Sir Alex Fergusonit në vitet e fundit.
Një tjetër mbrojtës stabil dhe i pakalueshëm pa dyshim është edhe Thiago Silva. Në muajin maj, Milani e fitoi titullin e parë të kampionit në Serie A që nga viti 2004. Ajo që e veçoi ekipin Rossoner ishte mbrojta më e mirë e sezonit, duke pësuar vetëm 24 ndeshje, 15 më pak se Napoli dhe Lazio, që kishin po ashtu mbrojtje të sigurt.
Dhe, pa dyshim se merita të veçanta kishte edhe mbrojtësi brazilian, që ishte shtyllë e mbrojtjes së ekipit të Massimiliano Allegrit. Ai pëlqehet nga Barcelona, por Silvio Berlusconi s’e ka ndërmend të heqë dorë nga ylli i ri i këtij ekipit.
Paraqitje brilante këtë vit pati edhe mbrojtësi belg, Vincent Kompany. I zhvendosur nga mesfusha në qendër të mbrojtjes, ish futbollisti i Anderlechtit shfaqi siguri, duke u bërë i pazëvendësueshëm te Manchester City.
Përfaqësuesi belg pati merita të veçanta në triumfin e ekipit të Roberto Mancinit në FA Cup dhe në sukseset e këtij sezoni, ku ‘Citizens’ gjenden në pozitën e parë në tabelë, në Premierligë.
Interi pati rënie këtë vit, por kjo nuk vlen edhe për mbrojtësin Yuto Nagatomo. Të jemi të sinqertë, në fillim të vitit 2011 askush nuk e kishte idenë se kush ishte ky futbollist japonez. Më pas, 25-vjeçari që u transferua nga Cesena, impresionoi me ekipin Nerazzurri, duke e mbuluar krahun e majtë të mbrojtjes.
Mbrojtësi dinamik e fitoi besimin e trajnerit Leonardo duke luajtur në ekipin e parë, ndërsa shënoi 2 gola në 19 paraqitje, duke e bindur presidentin Massimo Moratti që ta blejë përfundimisht. Ai nuk e pati problem të luante në përbërjen e parë as nën udhëheqjen e Gian Piero Gasperini dhe tash të Claudio Ranierit.
Dhe, një vend në pesëshen më të mirë nuk kish se si mos të rezervohej për mbrojtësin me përvojë Philipp Lahm. Çereku i parë i vitit 2011 ishte për t’u harruar për Bayern Munichun, kur u eliminuan nga Liga e Kampionëve dhe kur përfunduan në pozitën e tretë në Bundesliga.
Edhe atëherë kur Bavarezët hasnin në vështirësi, Lahm gjithmonë ishte në formë, qoftë në krahun e djathtë të mbrojtjes, apo në atë të majtë. Ndërkaq, në gjysmën e dytë të vitit, lojës së tij të mirë iu bashkuan edhe të tjerët, kështu që Bayerni po ‘shkel’, si në Bundesliga, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.
Pesë mbrojtësit e vitit
Nemanja Vidic (Manchester United, Serbi)
Thiago Silva (Milan, Brazil)
Vincent Kompany (Manchester City, Belgjikë)
Yuto Nagatomo (Inter, Japoni)
Philipp Lahm (Bayern Munich, Gjermani)