“E vështirë të përcaktoj profilin politik të Ramës”
Aristir Lumezi
Ish-presidenti, Rexhep Meidani, në një analizë të gjatë të situatës brenda PS-së por dhe të majtës në tërësi, ndjehet në vështirësi të përcaktojë profilin politik të kreu të PS-së, pasi sipas tij, në një kohë të shkurtër ka një kthim me 180 gradë në stil e përmbajtje, në paraqitjen dhe sjelljen e tij publike e politike.Duke analizuar tezën e Ramës për aleancë përtej të majtës dhe të djathtës, Meidani e cilëson si më shumë populiste dhe sugjeron që më parë duhej të ishte bashkuar partia, e majta e pastaj përtej saj. Ish-sekretari i Përgjithshëm i PS-së e konsideron krijimin e partisë më të re socialiste, “PS 91” si përgjigje ndaj praktikave përjashtuese brenda PS-së, në mungesë të solidaritetit dhe kohezionit politik në diversitet. Meidani shprehet se fraksionet e kërkuara prej tij do të kishin shmangur këtë fenomen, që ende nuk dihet se ku mund të përfundojë.
Një javë më parë, opozita me iniciativë të Partisë Socialiste, zhvilloi një protestë për çështjet e sigurisë dhe drejtësisë. Por edhe pse ishte një rast i mirë për të treguar solidaritet dhe frymë bashkëpunimi, protesta nxori më në pah divergjencat, që ekzistojnë mes dy partive kryesore opozitare, PS-LSI, për mënyrën e zbardhjes së tragjedisë së Gërdecit, ku për secilën palë, përgjegjës është kryeministri Berisha. Cili është mendimi juaj për këto qëndrime?
Diçka kam lexuar e ndjekur në media, në ditët pas protestës. Më tepër më kanë bërë përshtypje disa shkrime si të “porositura”, që më shumë i hidhnin benzinë këtij zjarri përplasjeje se ta sfumonin sado pak ngjarjen, ta qetësonin situatën dhe t’i afronin palët. Për mua, kjo e fundit është më e rëndësishmja në perspektivën e zgjedhjeve të reja të përgjithshme. Ajo duhet ndjerë, kuptuar e mundësisht dhe realizuar. Qoftë dhe duke toleruar më të “pa tolerueshmen”!...
Sidoqoftë, kujtoj se përcaktimin më të mirë për këtë situatë ma dha në telefon një koleg në PS, që ma përkufizoi këtë përplasje apo “divergjencë” të re të ekspozuar si “luftë banderolash”! Nëse shqetësimi qëndron tek “kapitalizimi” politik, për mendimin tim ky lloj “kapitalizimi” është sa i përkohshëm, po aq dhe fare i panevojshëm. Ka faktorë të tjerë objektivë e subjektivë që luajnë rol kryesor. Prandaj as nuk ia vlente të “trashej” sado pak kjo ngjarje. Nga ana tjetër, më duket fare normale që në veprimtarinë politike opozitare të mos ketë uniformitet, diku dhe shmangie nga “rregulli”; pra, dhe përcaktime, kërkesa e pozicionime të ndryshme. Pse jo dhe të kundërta në teknologji e stil, në përdorimin e mjeteve, në organizimin dhe projektimin e synimeve bazë të luftës politike. Kjo është dhe fuqia reale e pluralizmit partiak dhe e vetë demokracisë. Madje, në perceptimin tim, të pretendohet sot që të kërkohet unitet e solidaritet në uniformitet është pakuptim dhe jashtë kohe, pse jo dhe tepër anakronike. Ndërkohë që solidariteti e uniteti kanë forcë e vlerë vetëm kur realizohen në diversitet, në shumëllojshmëri.
Por le të kthehemi te Gërdeci. Në thelbin e vet, me veprimin e mosveprimin korruptiv të qeverisë dhe strukturave të tjera të shtetit, ngjarja atje mund të karakterizohet, të paktën politikisht, si një krim shtetëror. Si e tillë, në çdo vend të botës demokratike, kjo ngjarje do të sillte një tronditje të thellë politike në godinën e shtetit, në të cilën dorëheqja e qeverisë do të ishte më minimalja. Sidoqoftë, kuptimi i drejtë i këtij fakti dhe projeksioni politik konkret ndaj tij me sa duket ka nxjerrë në pah dhe divergjenca të mëparshme...
Kreu i PS-së Edi Rama, mendon se zbardhja e tragjedisë dhe rritja e sigurisë dhe drejtësisë në vend mund të arrihet vetëm përmes një ligji të ri “Për prokurorinë”, duke e lënë atë të lirë nga politika, për të vënë para drejtësisë përgjegjësit e vërtetë të tyre, qoftë ky dhe kryeministri Berisha. Ndani dhe ju të njëjtin qëndrim për këtë strategji? Ndërkohë LSI nuk heq dorë nga qëndrimi i saj i prerë për të imponuar opozita dorëheqjen e Sali Berishës në Kuvend, por dhe jashtë tij. Sa e arritshme është kjo tani që politika shqiptare ka hyrë në vitin e saj elektoral?
Në teori të dy pozicionimet duken të rregullta. Pozicionimi i parë do të ishte ideal për një demokraci të vërtetë dhe standarde të larta ligjore-kushtetuese, që nuk është rasti i Shqipërisë. Pa harruar që dhe ligji aktual, me të cilin funksionon sot për sot Prokuroria, është një ligj i mirë, i hartuar vite më parë me asistencën e specialistëve të huaj, përfshirë dhe ata të Këshillit të Evropës. Por çështja bëhet akoma më delikate, po të kihet parasysh që në këtë periudhë 3-vjeçare pothuajse të gjitha institucionet e shtetit, ku më shumë dhe ku më pak, janë në duart të kësaj shumice politike, pra dhe të shefit të saj. Mënjanimi apo, më saktë, eliminimi me çdo kusht prej saj i Prokurorit të Përgjithshëm me procedura disa ditore, tashmë të “notifikuara” si jo kushtetuese, flet më shumë se çdo gjë tjetër. Në kushte të tilla, as një ligj, sado i përsosur të jetë ai, nuk mund ta realizonte dot “projeksionin” politik të z. Rama, në kuptimin e pyetjes tuaj (por që edhe mund të mos jetë fare pozicionimi apo projeksioni i tij politik)...
Pozicionimi i dytë mund të duket si më “radikal”, sepse nëpërmjet tij pretendohet të “imponohet” dorëheqja e kryeministrit, në kuvend apo jashtë tij. Edhe ai, politikisht, është brenda të gjitha kornizave demokratike, por manifeston deri diku edhe forcë e mobilitet, për të cilët ka nevojë opozita. Me fjalë të tjera, ky pozicionim nënkupton një vitalizim të veprimit opozitar, pse jo dhe një shkundje të elektoratit të majtë, të mbërthyer jo pak nga apatia e plogështia. Por, nga ana tjetër, për largimin e kryeministrit me rrugë parlamentare kërkohen disa numra të domosdoshëm. Kjo bëhet akoma më e vështirë duke pasur parasysh që me ndryshimet e fundit kushtetuese kërkohet paraprakisht dhe të përcaktohet edhe zëvendësuesi i tij në krye të qeverisë! Ndryshe e thënë, vetëm me numrat aktuale të opozitës një kërkesë e tillë për dorëheqje nuk mund të marrë një përgjigje pozitive. Aq më tepër mungon dhe çdo lloj “kuraje” për emër zëvendësues. Kjo situatë virtuale mund të shndërrohet në reale vetëm nëse brenda shumicës së sotme ndodh një “tsunami” dhe jo ato dallgë të vogla, që shfaqen aty-këtu brenda aleatëve të vegjël të saj. Ndërsa, jashtë kuvendit, të paktën me frymën e sotme, dhe me nivelin e reagimit qytetar, realizimi ose, më saktë, imponimi i asaj kërkese më duket, po ashtu, i pamundur. Por kjo nuk do të thotë aspak që të heqësh dorë nga reagimi i domosdoshëm, nga vitalizimi politik, të paktën për të rritur mobilizimin qytetar, dinamikën politike-partiake dhe ndjeshmërinë reaguese të brendshme ose të jashtme..
Ndryshimet kushtetuese të 21 prillit sipas zotit Rama, nuk i kanë krijuar asnjë lloj koncesioni kryeministrit Berisha. Ndryshimet sipas tij, janë rezultat i arsyetimit se kërkohej një sistem zgjedhor ndryshe nga ai i dështuari i deritanishëm. Nëse do të kishim kushtetutën e vjetër, do të ishte më i mundshëm presioni deri në largim të kryeministrit, apo sot ai ndjehet më i fuqishëm se asnjëherë? A ka ndonjë rëndësi për opozitën dhe vendin që të shkohet me një kryeministër tjetër nga maxhoranca?
Për mendimin tim, mënjanimi i referendumit popullor ishte koncesioni më i madh i mundshëm, sidomos pas ngjarjes tragjike të Gërdecit. Për më tepër që ndryshime parimore kushtetuese pa një miratim-ratifikim me referendum vështirë që të ndeshen në botën demokratike. Por, në situatën e sotme, me sa shihet, po rezulton si njëfarë koncesioni dhe amendamenti për nenin, që lidhet me mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit...
Përsa i përket sistemit zgjedhor, të fiksuar në kushtetutën e 1998-ës me dy raunde, askush nuk ka të drejtë të pretendojë se ka qenë i dështuar. Përkundrazi, ai i ngjiste deri në detaje sistemit zgjedhor gjerman. Veç kësaj, sipas kësaj kushtetute KQZ-ja përcaktohej si një institucion i pavarur kushtetues dhe jo si një komision bipartizan, siç u transformua ai gradualisht prej disa vitesh. Po ashtu, nuk duhet harruar se në realizimin praktik të këtij sistemi zgjedhor, në vitin 2001, gabimi apo paqartësia erdhi nga KQZ-ja, që pasi deklaroi rezultatin përpjesëtimor, lejoi të numëroheshin votat proporcionale për zgjedhjet në zonën e Dushkut disa javë më vonë (pas deklarimit paraprak të rezultatit përpjesëtimor). Dhe dihet çfarë prodhoi një gjë e tillë, dukurinë e famshme të Dushkut, për të cilën buçitën me të madhe disa altoparlantë të brendshëm dhe të jashtëm.. Më tej, deformimi në votën përpjesëtimore, me më pak se 2.5% në vitin 2001, u thellua në zgjedhjet e vitit 2005 me kalimin nga dy raunde në një raund zgjedhjesh (duke “ekstrapoluar” në interpretim nenin përkatës të kushtetutës së Shqipërisë). Si rrjedhojë, në zgjedhjet e vitit 2005 u ekspozua në mënyrë makroskopike e njëjta dukuri e vitit 2001, por tani si Megadushk, me një shformim të jashtëzakonshëm, me mbi 50% të votës përpjesëtimore, aq sa dy partitë e mëdha, PD-ja dhe PS-ja, në pjesën proporcionale dolën me më pak se 10% secila. Për “çudi”, në këtë rast, të njëjtët altoparlantë të dikurshëm heshtën plotësisht. Pra, kuptohet se nuk ishte faji i kushtetutës dhe i sistemit zgjedhor, por ai i “lojës” së skajshme politike, për të cilën e meriton “medaljen e artë olimpike” një pjesë e hierarkisë së lartë të klasës politike shqiptare.
Ndërsa, për sa i përket pjesës së fundit të pyetjes suaj, mund të them se përgjigja është evidente. Me largim të detyruar të kryeministrit, d.m.th. me rënien e një qeverie dhe krijimin e një qeverie tjetër, sidomos kur të ndan më pak se një vit nga zgjedhjet parlamentare, ajo që fiton më shumë terren politik dhe elektoral është opozita, dhe ajo që lëkundet e dobësohet është pozita. Kjo është e përgjithshmja, por nuk përjashtohet, edhe pse me probabilitet shumë të vogël, të ndodh në ndonjë rast dhe ndryshe. Këtë e di mirë dhe z. Berisha.
Kreu i LSI-së Ilir Meta, është shprehur në një intervistë për gazetën “Panorama”, se opozita do të merrte me tepër vota nëse do të hynte në zgjedhje me dy koalicione, për shkak të shumë qëndrimeve të ndryshme, që ato ndajnë për çështje themelore dhe më pas në bazë të rezultatit të negociohej koalicioni qeverisës. Si e gjykoni ju këtë opsion dhe a do të ishte më oportune që e majta të dilte e bashkuar?
Matematikisht, nuk mund të jetë e vërtetë nëse flitet për dy konfigurime të grupimeve të mëdha apo krahëve politikë, pra, nëse një krah futet në zgjedhje i bashkuar, kurse tjetri i ndarë. Firot rezultojnë më të mëdha në rastin e dytë. Ndërsa, brenda të njëjtit kamp, p.sh., në kampin e majtë, që një parti, siç është LSI-ja, të marrë më shumë vota e vetme (apo me koalicionin e saj) sesa si pjesë aleate në koalicion me PS-në, kjo ka një probabilitet të madh të rezultojë plotësisht e vërtetë. Edhe për arsye psikologjike. Natyrisht, nëse kihet parasysh plotësimi i disa kushteve, që e favorizojnë depërtimin elektoral të kësaj partie, e ndihmojnë ushqimin e besimit ndaj saj, apo dhe fushata nuk ekstremizohet tej disa kufijve të arsyeshëm, sidomos midis partive të një krahu...
Sidoqoftë, sipas disa arsyetimeve e llogaritjeve paraprake jo të plota, dalja majtas me dy koalicione në mënyrë të natyrshme krijon firo apo mbetje elektorale, pra dhe përfaqësim parlamentar më të reduktuar. Për një rezultat përpjesëtimor të LSI-së të afërt me vlerën mesatare kombëtare, humbjet në krahun e majtë, sipas një perceptimi të parë, mund të përbëjnë 2-4 vende në kuvend. Por, ndërkohë, nuk duhet harruar, që sistemi zgjedhor rajonal i ngushton diferencat e rezultateve midis dy krahëve të politikës. Në këtë këndvështrim, për të rritur shkallën e sigurisë për fitore elektorale nevojitet bashkimi i plotë i forcave politike të këtij krahu. Ndërkohë, që besohet se bashkimi në krahun e djathtë do të ndodhë. Pra, edhe pse politika nuk është matematikë, këtë të jep matematika në këtë rast!...
Duke parë përplasjet brenda së majtës që kulmuan me protestën për flamujt dhe pankartat kundër qeverisë, a shikoni mundësi reale që PS-ja dhe LSI-ja të shkojnë me një koalicion të përbashkët në zgjedhje? Sa e rëndësishme është kjo për të majtën dhe si mund të arrihet?
Sot për sot duket tepër e vështirë, por jo krejtësisht e pamundur. Duhen mbajtur hapur kanalet e kontaktit, diskutimit e kompromisit. Në radhë të parë, kjo i takon partisë më të madhe, d.m.th., PS-së. Një bashkëpunim politik ndërmjet forcave politike të kampit të majtë, është jo vetëm në interes të këtyre forcave politike, por dhe në interes të qytetarëve shqiptarë. Një rotacion i ri politik, veçse mirë i bën zhvillimit normal të Shqipërisë. Aq më tepër që qeverisja e sotme duket e “lodhur”, madje e konsumuar dhe e zhytur në skandale të rënda, ku me gisht, kudo në botë, shënohet ngjarja e Gërdecit.
Si e vlerësoni profilin politik të z. Rama si kryetar i partisë më të madhe të opozitës, tezat e tij për “bashkimin e ri” përtej së majtës dhe së djathtës, si dhe idenë se politika nuk duhet të jetë e politikanëve zanatçinj dhe as e kryetarëve të partive, por e qytetarëve?
E kam të vështirë të përcaktoj qartë ndonjë profil politik të zotit Rama. Ndoshta, dhe po të pyetej vetë z. Rama mund ta kishte relativisht të vështirë ndërtimin e një përgjigjeje të plotë dhe të argumentuar. Ndërsa nëse pyetja do të ishte tjetër, p.sh.: A është punëtor apo jo z. Rama? Përgjigja do të ishte e menjëhershme, aprovuese me të dyja duart. Sidoqoftë, duhet pranuar se probleme të një paqartësie profilizimi konstatohen dhe në botë në formacione homologe, për të vendosur në raporte sa më të drejta zhvillimin e konkurrencën, kohezionin social, ligjin e liritë. Nuk përjashtohet që dhe z. Rama, si dhe drejtues të tjerë, të jetë në kërkim të vetvetes, në një proces ndryshimi e evoluimi, që lidhet me sjelljen, konceptimin e vendimmarrjen politike. Aq më tepër që brenda një periudhe të shkurtër kemi një kthim me gati 180 gradë në stil e përmbajtje, në paraqitjen dhe sjelljen e tij publike e politike.
Për sa i përket “bashkimit të ri përtej së majtës dhe së majtës”, unë, personalisht, nuk e kuptoj. Madje, jam skeptik dhe më duket si një “formulë” me prirje populiste. Për disa arsye. Së pari, ai, në thelb, nënkupton zëvendësimin e konceptit dhe të strukturimit me nënbashkësi (parti) me ato të një bashkësie (populli). Së dyti, e majta dhe e djathta në Shqipëri janë thjesht klasifikime pak a shumë artificiale, qoftë në platforma e programe, qoftë në shtresimet që ato përfaqësojnë. Do ta quaja më realist një bashkim të tillë në funksion të konsumatorit (i cili, në fakt, në lidhje me konsumin e mallrave dhe të shërbimeve, nuk manifeston kurrfarë krahu). Por ky nuk është rasti. Së treti, një tezë e tillë nuk dha rezultate në vende shumë më të emancipuara politikisht se Shqipëria, dhe jo më të funksionojë në Shqipëri, ku fryma militante e partizane është e “notave” tepër të larta, kurse llogoret e ndërsjella partiake gati-gati të pakapërcyeshme. Së katërti, teza të tilla mund të zhvilloheshin e ngjisnin atje ku dhe politika qeverisëse do të ishte korrekte, tepër qytetare e shumë pak partizane e militante, dhe jo si në rastin tonë, ku në vend të profesionalizmit, aftësisë dhe ndershmërisë, përkatësia partiake, nepotizmi dhe klanizmi janë kërkesat bazë të rekrutimit institucional-administrativ apo dhe të favorizimeve të tjera. Së pesti, kur hidhet një tezë e tillë, nënkuptohet se e ke vendosur rregullin e “harmoninë” në shtëpi. Me fjalë të tjera, pa bashkuar partinë (ku sapo ka ndodhur një shizëm) apo pa u marrë vesh, harmonizuar e bashkuar me të gjitha partitë e krahut të majtë, vështirë të arrish të bësh një “bashkim të ri” përtej tyre, sepse dhe ato, në fund të fundit, janë pjesë të tërës! Në fund të fundit, kjo është dhe dialektika e pjesës dhe të tërës...
Sidoqoftë, duke ndaluar këtu, mund të them se ky slogan nuk është negativ në kuptimin njerëzor, por nuk më duket se ka ndonjë vlerë në planin politik e elektoral. Sidomos në Shqipëri! Madje, në kuptimin partiak, mund të rezultojë dhe joefektiv, mund të sjellë keqkuptime, aty këtu dhe pakënaqësi e çmobilizim...
Ndërsa, për pjesën e fundit të pyetjes suaj, sinqerisht, mund të pohoj se do të më pëlqente të ishte e vërtetë. Madje, do të ishte ideale (edhe pse limite) një politikë e qytetarëve. Prandaj, prej kohësh e kam sforcuar veten tej mase për ta pranuar, më saktë besuar, një gjë të tillë. Por, fakti, që dhe një mundësi e dhënë, siç do të ishte referendumi mbi ndryshimet kushtetuese për të përfshirë në vendimmarrje qytetarët, iu mohua atyre, nuk mund të mos linte një shije të kundërt...
Si janë raportet tuaja me kryetarin e PS, Edi Rama? Si do ta gjykonit një ftesë nga ana e tij për të qenë pjesë e listave për deputetë të PS-së?
Krejt normale. Kur takohemi dhe diskutojmë apo ai kërkon ndonjë mendim, i shkon apo jo pas shtatit, i pëlqen ose jo, ia jap ashtu siç e gjykoj, në bazë të një analize personale, zakonisht paraprake dhe të hollësishme. Padyshim, pa pretenduar as pronësinë e mençurisë, as atë të vërtetës absolute! Do të më pëlqente, madje do të uroja, që shkëmbime të tilla mendimesh të hapura, me mendje të pavarura, realiste e kritike, ai të ketë sa më shumë. Dhe mbi të gjitha jo vetëm t’i dëgjojë, por dhe t’i analizojë e mishërojë vëzhgimet, argumentimet e sugjerimet e tyre. E them këtë sepse, siç lexohet relativisht lehtë, një pjesë jo e vogël e politikës shqiptare, përfshirë dhe “prurje të reja”, vuan jo thjesht e vetëm nga “servilizmi hierarkik”, por dhe më keq nga “proskinezia mendore”. Dhe kjo ka efekte paralitike në politikë, në evoluimin e mendimit politik, në dinamikën partiake, në saktësinë e prognozës dhe të analizës. Ndryshe nga idealizmi fillestar i ndeshur në politikë në shumicën e rasteve, në agimet e tranzicionit, kjo lloj proskinezie aktuale ma bën tepër të padëshiruar, vështirësish të gëlltitshme, gati-gati të pamundur, një kthim “vullnetar” në politikën aktive. Pra, nuk është fare punë ftesash, sidomos po të kihet parasysh (qoftë dhe pa modesti) se me qenien dhe përvojën time më shumë bëj nder sesa më bëjnë nder! Shtysën për këtë pohim jo modest, ma jep ndjesia e ndeshjes, gati-gati kudo, të një mirëkuptim e dashamirësie kërkuese të qytetarëve të thjeshtë...
Pak ditë më parë është krijuar partia më e re e majtë, ‘Partia Socialiste ’91, nën drejtimin e Petro Koçit. Sipas jush pse nga PS-ja kemi përsëri lindjen e një partie të re? Çfarë efekti do të ketë kjo parti në zgjedhjet e vitit të ardhshëm? Ka dhe një ftesë të kësaj partie ndaj jush, ku ju jeni të mirëpritur. Do të aderoni në këtë parti?
Po, këtë informacion e mora nga gazeta juaj. Nuk i kisha ndjekur lajmet televizive të një dite më parë. Sidoqoftë, nga shumë lëvizje e deklarime të mëparshme duhej të pritej një gjë e tillë. Por a mund të evitohej kjo ndarje e re? Padyshim që po. Veçse kërkohej një filozofi tjetër drejtimi e PS-së, me rrahje mendimesh e argumentesh, me debate, analiza e peshime të kujdesshme. Dhe, mbi të gjitha, respekt i ndërsjellë, solidaritet e kohezion politik në diversitet. Pra, jo nëpërmjet komandimit, rreshtimit apo unitetit në njëtrajtshmëri, por solidaritetit e mirëkuptimit në shumëllojshmëri. Ndryshe e thënë, një ndërveprim individësh e faktorësh nëpërmjet inkluzionit (përfshirjes) dhe jo ekskluzionit (përjashtimit). Prandaj, prej shumë vitesh, kam mbrojtur e vazhdojë të mbroj idenë e fraksioneve, të përfaqësimit dhe të organizimit të partisë sipas tyre, ndryshe nuk dihet se ku mund të mbyllet kjo histori! Dhe jo vetëm kaq: në prani të fraksioneve merr vlerë reale dhe forca e liderit, kapaciteti i tij, apo marrin kuptim iniciativat e tij...
Pa e zgjatur, si një ish-sekretar i përgjithshëm i PS-së, nuk më vjen mirë që po vazhdojnë shizmat në gjirin e PS-së. Aq më tepër që po afrojnë dhe zgjedhjet e përgjithshme. Edhe në kohën që kryeja atë detyrë në PS u shfaqën prirje të tilla ndarjeje, por unë arrita me përfshirje e mirëkuptim, respekt e tolerancë, argumentim e kolegjialitet t’i kapërceja ato. Duke e ndarë pushtetin në parti jo e përqendruar atë. Dhe them se bëra mirë. Në gjykimin tim, ideja e liderit të pagabueshëm, të plotfuqishëm dhe që i di të gjitha, rrëmbimi nga pasionet politike apo qejf-mbetjet e inati veçse e dëmtojnë rëndë partinë, por dhe drejtimin e saj...
Por le të kthehemi më konkretisht tek pyetja e juaj. Aktualisht, është vështirë të përcaktohet se ç’përfaqësim elektoral të majtë ka ky grupim i ri politik. Sidoqoftë, nga emrat e lexuar në gazetën tuaj (të atyre të caktuar përkohësisht në drejtimin e kësaj partie) apo nga ajo “historia e teserave” që përmendej aty, duke i marrë si të vërteta të gjitha ato rreshta të shkruara, mund të jap vetëm një vlerësim “ad hoc” mbi efektin e saj në zgjedhjet e ardhshme. Duke e gjykuar si të mundshëm një rezultat prej 3-5% të këtij grupimi të ri politik (nesër mund të shihet më qartë nëse është më shumë apo më pak se aq), kuptohet dëmi që mund të sjellë ai në kampin e majtë po të futet në zgjedhje si një grupim i tretë i këtij spektri. Natyrshëm ai, i bashkuar në koalicion me LSI-në, mund të sjellë më pak firo, sepse nga ndarja treshe kalohet kështu në një ndarje dyshe (apo, më saktë, nga mbetjet ose firot e tre grupimeve kalohet në firot e dy grupimeve). Ndërkohë që, sot për sot, duket krejt i paimagjinueshëm një bashkim i tij me koalicionin e PS-së. Veçse nëse, në prag të zgjedhjeve, ndodh “magjia” e madhe dhe të gjitha forcat e majta rreshtohen në të njëjtin front elektoral. Këtë të fundit do ta uroja me gjithë zemër, madje po të më kërkohej do të isha i gatshëm të jepja dhe kontributin tim modest për t’i afruar e bashkuar sado pak këto formacione politike. Edhe duke pasur parasysh se përkatësia ime është dhe mbetet sa stacionare, po aq dhe neutrale...