Zbulohet diplomati që ndërmjetësoi mes Enverit, Stalinit e Maos
Ferdinand Dervishi
Një personazh duhet të ketë cilësi vërtet të veçanta që të zgjidhet për t’u vendosur në vendet kyçe të interesave të një shteti, jo vetëm në një ndërkohë. Kështu ka ndodhur me Mihal Priftin, diplomatin shqiptar të viteve ’40-‘60, ose saktësisht të besuarin e Enver Hoxhës për marrëdhëniet me gjysmën e botës. Sepse pikërisht Mihalit trupvogël me origjinë nga Lunxhëria e Gjirokastrës iu besuan në të dyja kohët edhe përfaqësia diplomatike e Shqipërisë komuniste në Bashkimin Sovjetik dhe pas prishjes me këta edhe ajo në kryeqytetin aleat të radhës, në shtetin tjetër gjigand të Kinës. Por prej këndej, filluar nga Moska, po Mihal Priftit i kishte rënë detyra t’u “hidhte një sy” edhe marrëdhënieve me Poloninë, Finlandën, Mongolinë apo edhe me Korenë e Veriut e Vietnamin të trazuar nga lufta. Dhe po të shohësh në hartë hapësirën gjeografike që këto shtete zënë, mund të pretendosh se bëhet fjalë për gjysmën e botës. Përgjatë gjithë këtyre viteve, përmes Mihal Priftit, të njëjtit personazh enigmatik, Enver Hoxha këmbente mesazhet për furnizimin e vendit me ushqime, fabrika e armë, por edhe informacionet për ndërtimin e linjës së partisë-shtet, ndryshimin e kursit politik, porositë për blerjen e këmishëve, xhaketave e palltove e të tjera të ngjashme. Kohëra kur Mihali trupvogël, do të vendosej fizikisht në mes të Enverit dhe Stalinit, mes të njëjtit dhe Hrushovit, Molotovit, Mao Ce Dunit, Çu En Lait, Ho Shi Misë e të tjerë liderëve komunistë që në atë kohë bënin apo diktonin politikën globale, me të cilët diplomati shqiptar kishte edhe takime të shpeshta kokë më kokë, me paraqitjen, seriozitetin apo prestigjin e një të barabarti. Ky është në pak fjalë portreti i diplomatit Prifti, të cilin historiani dhe biografi Vangjel Kasapi është përpjekur të vizatojë në monografinë e tij “Mihal Prifti, diplomati i shquar i Shqipërisë”
I besuari
Në fakt Mihal Prifti nuk ishte një personazh i rastësishëm në majën e vlerësimit të politikës shqiptare të kohës. Ai vinte nga radhët e drejtuesve më të lartë të Luftës Antifashiste, kishte qenë zëvendëskomisar i Brigadës së Parë Sulmuese dhe më tej komisar i Divizionit të Dytë. Por edhe para se të aktivizohej në lëvizjen antifashiste, Mihal Prifti gëzonte atributet e një djaloshi të shkolluar në Athinë e Romë, njohës i disa gjuhëve të huaja dhe njëkohësisht profesor i matematikës në Shkollën Tregtare të Vlorës. Për shkak të këtij formimi, por edhe për karakterin që e shfaqte me seriozitet e drejtësi, ai vlerësohet nga idealistët komunistë të kohës të vendosur në krye të Luftës Antifashiste, veçanërisht nga Hysni Kapua. Kështu “Atleti”, pseudonimi i Mihalit në vitin 1942, ngjit me sukses shkallët e karrierës dhe në mars 1945 emërohet sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Dy vite më pas Enver Hoxha dhe krerët më të lartë komunistë vendosin njëzëri kandidaturën e tij si i dërguar i Jashtëzakonshëm dhe ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Bashkimin Sovjetik. Një moment që paracakton edhe karrierën e mëtejme në diplomaci të Mihal Priftit. Nuk vonon shumë dhe “Atleti” organizon vizitën e parë zyrtare të Enver Hoxhës në Bashkimin Sovjetik. Kështu që takimet e lidershipit komunist shqiptar me Stalinin, batutat mes tyre, pyetjet për origjinën e shqiptarëve, rrëmimi për pasardhës të mundshëm tanët në territorin e Bashkimit Sovjetik e të tjera të ngjashme bëhen edhe në praninë e pjesëmarrjen e ambasadorit më të fuqishëm të shtetit shqiptar, Mihal Prifti.
Këshillat e pazbatuara të Stalinit
Në shënimet e ambasadorit Prifti, të hulumtuara nga autori i librit Vangjel Kasapi, ka edhe detaje që zbardhen për herë të parë. Kështu në asnjë rast në historiografinë shqiptare nuk është shkruar se një nga këshillat e Stalinit për Enverin (në takimin e dytë mes tyre, mars 1949) ishte që “për të zbutur kërcënimet e jashtme, Shqipëria duhet të hyjë në marrëdhënie me Italinë, SHBA-në dhe Anglinë”. Një këshillë që dihet nga të gjithë që nuk u realizua e plotë. Në të njëjtën linjë del se komunistët shqiptarë i kanë keqzbatuar në praktikë edhe disa këshilla të tjera të Stalinit, të cilat më pas treguan se ndikuan shumë për keq në mirëqenien e shqiptarëve. Kështu për bujqësinë këshilla e Stalinit ishte: “Nuk duhet të shpejtoni kooperativizmin. Vendi juaj është malësi dhe variabël. Fshatarët i ndihmoni. Për futjen në kooperativa të mos jetë e detyrueshme, por vetëm kur ta kërkojnë ata vetë... Ata që i kujtojnë këto kohëra e dinë mirë se në praktikë nuk është vepruar kështu. Një tjetër këshillë e Stalinit e pazbatuar, ose e keqzbatuar duket ka qenë ajo për borgjezinë tregtare. “Për këtë çështje nuk keni vepruar mirë. Se po të keni borgjezi patriotike, tregtarët patriotë duhet t’i ndihmoni dhe nuk duhet t’i përbuzni”, ishte këshilla tjetër e pazbatuar e Stalinit.
Misioni i fundit, ambasador në Kinë
Ende pa u prishur me sovjetikët, në shtator 1959, sërish krerët komunistë të Tiranës zgjedhin “Atletin”, Mihal Priftin t’i përfaqësojë në shtetin aleat të radhës, në Republikën e Kinës. Ai e kishte vërtetuar se ishte më i besuari, ai ishte më i sakti. Dhe të ishe në këtë kohë ambasador në Kinë, duhet t’i hidhje një sy edhe Vietnamit, Koresë së Jugut dhe Mongolisë. Të organizoje vizita pune të rangut më të lartë, të përfaqësoje vendin tënd dhe ç’ishte më kryesorja, të ndiqje me kujdes interesin ekonomik. Sepse krerët komunistë shqiptarë, përpos ligjeve të politikës së konceptuar sipas tyre, dihet se zhvatën sa mundën ndihma nga dy shtetet e mëdha aleate, Bashkimi Sovjetik dhe Kina. Madje, ekonomia e re shqiptare varej tërësisht nga ndihmat e tyre, fabrikat e ndërmarrjet e ndërtuara, lënda e parë e të tjera. Një impenjim që ndërthurte si parësore edhe punën e ambasadorit Mihal Prifti.
Por karriera e Mihal Priftit në Kinë nuk ka të njëjtën jetëgjatësi si në Bashkimin Sovjetik. Shkak bëhet prishja me sovjetikët dhe gjetja e “armiqve” të radhës në “gjirin” e udhëheqjes komuniste të Tiranës... Saktësisht gjithë trazirat i shkakton vizita e dy krerëve komunistë të kohës, Haxhi Lleshit dhe Liri Belishovës, në Kinë. Sipas informacioneve që Tirana komuniste kishte siguruar, Liri Belishova kishte konsumuar në Pekin një incident të rëndë. Pasi kishte mësuar të dëgjuara drejtpërdrejt nga kinezët për mosmarrëveshjet e tyre për linjën politike me Bashkimin Sovjetik, Liri Belishova i kishte raportuar gjithçka këshilltarit të ambasadës sovjetike në Pekin. Ky informacion që duket i shpëton mbikëqyrjes së ambasadorit Prifti, shkakton tërmet në Tiranë. Belishova konsiderohet spiune e sovjetikëve dhe kryqëzohet në plenumin e shtatë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Furtunës nuk i shpëton as ambasadori i mirëvlerësuar Mihal Prifti. Enver Hoxha firmos largimin e tij nga Kina me dorën e tij: “Mihal Prifti, deri tani ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i RP të Shqipërisë në RP të Kinës të shkarkohet nga kjo detyrë dhe të emërohet zv/ministër i Punëve të Jashtme. Por Mihali nuk e gëzon pothuaj asnjë ditë këtë post. Ai besohet nga krerët komunistë se nuk ka lëvizur nga pozicioni që i kërkohej, por duket nuk i falet “incidenti” i Pekinit. Dhe krerët komunistë shqiptarë janë bërë të njohur se kur të kthenin kurrizin, të harronin. Kështu ndodh edhe me Mihal Priftin. Ai emërohet drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe lihet të dalë në pension po këtu. Gjithsesi, Mihal Prifti sërish shkëlqen mes shoqërisë së kohës, për të përmbushur me korrektësinë që e karakterizonte funksionin në krye të këtij institucioni arsimor. Mihal Prifti, ish-ambasadori i parë shqiptar në Bashkimin Sovjetik dhe në Kinë, ndërroi jetë si pensionist më 16 mars 1986 në moshën 68-vjeçare.
Si u përjetua premiera e filmit “Skënderbeu” në Moskë
Në një letër dërguar Ministrisë së Jashtme më 4 dhjetor 1953, ambasadori shqiptar në Bashkimin Sovjetik përshkruante se si u prit në Moskë premiera e filmit “Skënderbeu”. Më poshtë po rendisim pjesë të saj.
“...Filmi u shfaq më 28 nëntor në një kinema nga më të mirat e Moskës, në sallën “Dom-Kinon”. Në shfaqjen e filmit u ftuan rreth 1000 vetë, përfaqësues të ministrive të Jashtme, të Kulturës, Mbrojtjes, ministrive të tjera, përfaqësues nga organizatat e ndryshme të Moskës, punëtorë të filmit... Nga trupi diplomatik u ftuan ambasadorët e vendeve mike. Pjesëmarrja ka qenë shumë e madhe, sa nuk ka pasur në asnjë rast tjetër që kanë organizuar përfaqësitë mike. Para fillimit të shfaqjes titullari i ambasadës mbajti një fjalë të shkurtër mbi përmbajtjen e filmit, mbi rëndësinë e figurës së Skënderbeut dhe rëndësinë e ditës 28 dhe 29 Nëntor. Pasi filmi mbaroi na rrethuan, na falënderonin, na përgëzonin për figurën e Skënderbeut e për popullin tonë. Të gjithë me radhë, shprehën duke dalë shumë të kënaqur si asnjëherë se “është i mirë”, “është i lartë”, “është i shkëlqyer” etj... Ilia Kopalin, skenarist me famë, laureat 4 herë i çmimit “Stalin” tha: “Filmi shumë i mirë. Është ekzekutuar mirë. Bravo artistëve tuaj!” Ambasadorja bullgare, Stellea Bllagojeva tha: “Skënderbeu juaj është i madh dhe i shkëlqyeshëm. Duhet t’ia tregoni gjithë botës, akoma dhe turqve”. Ministri i Egjiptit, Azis El Masri (ka qenë oficer i ushtrisë turke në Shqipëri, më 1908) u shpreh: “Filmi është bërë shumë i mirë. Ai tregon të vërtetën mbi popullin tuaj. Më pëlqeu shumë, shumë”. Ministri i Iranit, Nadrik Araste u shpreh: “Filmin për Skënderbeun duhet ta shfaqim patjetër në Iran që të inspirohet populli në luftën e tij për naftën”. Këshilltari i ambasadës kineze, Ge Bao Cjuan tha: “Filmi për Skënderbeun jo vetëm që është realizuar shumë mirë artistikisht, por ai ka edhe një përmbajtje të madhe, të thellë dhe shumë të lartë ideologjike”. U interesua dhe pyeti: Është e vërtetë se Pali, Donika dhe Mamica kanë artistë shqiptarë? I mburri shumë dhe shtoi: Duhet që patjetër këtë film ta dërgojmë në Kinë. Këshilltari i ambasadës çekosllovake, Ecni vijoi: “Skënderbeu ka qenë i shekullit të 15-të, por ai është aktual edhe sot, sidomos për italianët dhe jugosllavët”. Molotovi, Ministri i Jashtëm i Bashkimit Sovjetik në mbrëmjen e 29 nëntorit i tha titullarit (Mihalit): “Kam marrë vesh se doli filmi mbi Skënderbeun. Thonë se është i mirë. Akoma nuk e kam parë, por do ta shoh. Titullari ju përgjigj: Në Tiranë e pa Qeveria dhe Komiteti Qendror. E pëlqyen shumë dhe e aprovuan njëzëri. E vlen ta shikoni. Molotovi u përgjigj: Do ta shikoj patjetër.
Filmi më 30 nëntor u shfaq në mbrëmjen e organizuar me studentët me rastin e festës sonë nacionale. Më ndërhyrjen e ambasadës mbrëmja u bë në Universitetin e Ri të Moskës dhe filmi u shfaq në sallën e madhe... Pati mbi 1000 spektatorë dhe shumë qëndronin në këmbë. Filmi u prit me entuziazëm të madh. Ovacione dhe duartrokitje dëgjoheshin në sallë gjatë gjithë shfaqjes, veçanërisht gjatë luftimeve mes dy ushtrive”.
Nënshkruar, ambasadori, Mihal Prifti.