“E vetmja rrugë” e Edi Ramës, peshku i artë për të kontrolluar PS-në
Gjatë mitingut elektoral në Pukë, Berisha detajon strategjinë apatride të Edvinit, i cili ka përzgjedhur “rrugën e vetme”, si mjet për të bllokuar Shqipërinë e për të mbajtur nën diktat kryesinë e PS
Kryeministri Sali Berisha, përshëndeti dje paradite, tubimin e organizuar me qytetarë të bashkisë së Pukës, gjatë të cilit vlerësoi dhe mbështeti kandidaturën e Beqir Arifaj, si kryetar bashkie i qytetit, përfaqësues i koalicionit “Aleanca për Qytetarin”.
Kryeministri premtoi se gjatë 4 viteve që vijnë do të asfaltohet çdo rrugë e këtij rrethi nga Fierza deri në Koman, si dhe do lidhet çdo komunë e këtij rrethi me rrugë të asfaltuara, me rrugën kombëtare. Kryeministri u shpreh se do të jenë të shumta projektet që do të promovojnë Pukën turistike, me bukuritë mahnitëse që e rrethojnë, duke e shndërruar atë, në një nga trevat më të rëndësishme të turizmit malor.
Berisha përmendi se në rrethin e Pukës, këto vitet e fundit janë investuar në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, çerdhe, shërbim shëndetësor, ferma,etj, mbi 22 milion dollarë, duke premtuar se gjatë 4 viteve që vijnë do të gjashtëfishohen investimet në rrethin e Pukës.
“Një mirënjohjet thellë ndaj jush, ndaj të gjithë banorëve të këtij rrethi për mbështetjen e madhe që i keni dhënë Partisë Demokratike që nga themelimi i saj e deri më sot, mbështetje e cila ka qenë jetike për të gjitha arritje që bashkërisht kemi shënuar në rrugën tonë të lirisë. Por unë jam sot këtu, për tu zotuar solemnisht para jush se suksesi personal të intelektualit tuaj të shquar, të qytetarit tuaj shembullor Beqir Arifaj, në datën 8 maj, së bashku me Beqirin dhe deputetin tuaj Parruca do ta shndërrojmë në një sukses të gjithsecilit prej jush, për fëmijët tuaj, për familjet tuaja, për komunitetin tuaj, për Pukën në tërësi. Në rrethin tuaj, përfshi bashkinë Pukë, këto vitet e fundit ne kemi investuar në rrugë, ujësjellës, kanalizime, shkolla, kopshte,çerdhe, shërbim shëndetësor, ferma, mbi 22 milion dollarë. Ne kemi asfaltuar rrugë, kemi ndërtuar ujësjellësa, kemi rindërtuar shkolla, por unë jam sot këtu, për tu angazhuar para jush, se me Beqir Arifaj dhe me zotërinjtë kryetarë bashkie dhe komunash të këtij rrethi, gjatë 4 viteve që vijnë do të gjashtëfishojmë investimet në rrethin tuaj. Gjatë 4 viteve që vijnë ne do të asfaltojmë çdo rrugë të këtij rrethi nga Fierza deri në Koman, do lidhim çdo komunë të këtij rrethi me rrugë të asfaltuara, me rrugën kombëtare. Do të ndërtojmë ujësjellës në Pukë e kudo për ujë 24 orë. Do të rindërtojmë çdo shkollë dhe kopsht në mënyrë që fëmijët tuaj të shkollohen në shkolla të standardeve evropiane. Do të bëjmë gjithçka për Pukën turistike, Pukën e bukurive mahnitëse. Do të bëjmë çdo gjë që pasuritë e mëdha nëntokës dhe mbitokës së këtij rrethi të shndërrohen në vlera për qytetarët e saj”, u shpreh kryeministri Berisha.
Kreu i qeverisë iu referua edhe propagandës së shpifjeve dhe trillimeve të opozitës si dhe “rrugës së vetme” të Edi Ramës.
Sipas kreut të qeverisë “rruga e vetme” është njësoj si sloganet e Partisë së Punës. Përmes saj, tha Berisha, Rama kërkon të bllokojë aspiratën e integrimit të Shqipërisë në mënyrë që të mbrojë peshkun e artë të kryesisë së PS.
“Ju po dëgjoni tani, ‘rrugën e vetme’. Të dashur miq, kjo rruga e vetme është një slogan i marrë nga etërit e tyre, por natyrisht nuk ka domethënien që kishte në kohën e Partisë së Punës. Ka një domethënie të re. Domethënia e kësaj rruge është të votojnë çdo gjë, kundër interesit tuaj, të votojnë kundër rritjes së rrogave, të votojnë kundër rritjes së pensioneve, të votojnë kundër ndërtimit të rrugës së kombit, të bëjnë gjithçka për të bllokuar anëtarësimit në NATO, të votojnë kundër çdo ligji për heqjen e vizave. Të hedhë vallen në Shqipëri, në përpjekjen e panjerëzishme për të futur vizat tuaja anë kuti, të votojë kundër amnistisë së bizneseve, të votojnë kundër faljeve të detyrimeve të energjisë dhe ujit për shtresat në nevojë. Në fakt, emrin e ka gjetur të bukur, se rrugë më të vetme se kjo nuk ka dhe nuk mund të bëhet, se ai në këtë ai ka bindje absolute se duke ju bllokuar ju do të mund të realizojë ëndrrën e tij të artë karrigen e kryeministrit. Ai ka bindjen e tij të plotë se duke ju bllokuar ai do të mund të mbajë gjithnjë në brez lugën e artë të bashkisë së Tiranës. Ai ka bindjen e tij të plotë se duke ju bllokuar ju, do të mund të mbajë peshkun e artë të kryesisë së PS. Kjo ishte njëra anë e rrugës së vetmisë, kurse ana tjetër është sharje, shpifje, mashtrime e trillime, jashtëzakonisht të largëta me moralin qytetar, jashtëzakonisht të papranueshme për moralin shqiptar”, deklaroi më tej kryeministri Berisha para qytetarëve pukjanë, në prezantimin e kandidatit për kryetar bashkie, Beqir Arifaj.