Denoncimi i nënës: “Vajzën po e shfrytëzojnë si prostitutë”
Nëna e një 17-vjeçareje nga kryeqyteti ka denoncuar largimin nga banesa të vajzës së saj dhe shfrytëzimin e mundshëm si prostitutë nga persona të panjohur. Policia vihet në lëvizje për zbardhjen e ngjarjes
Tiranë Një denoncim tronditës ka mbërritur pak ditë më parë në policinë e Tiranës, ku një nënë thotë se vajzën e saj po e shfrytëzojnë prej disa kohësh si prostitutë. Ngjarja e rëndë vazhdon të ndodhë ende në kryeqytet, edhe pse kalvari i kësaj historie nis kohë më parë, me largimin nga banesa të 17-vjeçares. Sikur të mos mjaftonte mosgjetja e vendndodhjes së vajzës, nëna e saj ka vendosur t’i drejtohet sërish policisë, por këtë radhë për të dhënë një tjetër informacion, duke ngritur dyshimin se 17-vjeçarja po shfrytëzohet si prostitutë nga persona të panjohur. Lajmi konfirmohet nga burime të rezervuara të policisë, të cilat thonë se denoncimi është bërë pak ditë më parë në komisariatin nr.2 në Tiranë. E.S. e cila banon pak metra larg komisariatit të policisë, ka trokitur në derën e tij për të denoncuar shfrytëzimin e vajzës së saj të mitur si prostitutë. Vajza A.S. vetëm 17-vjeçe, sipas të ëmës, nuk kthehet në shtëpi prej rreth më shumë se një muaji. Gjatë kësaj kohe nëna ka mësuar se e bija mund të mbahet e izoluar dhe kundër vullnetit të saj shfrytëzohet si prostitutë, me qëllim përfitimin e parave nga shfrytëzuesit e saj. Në denoncimin e bërë në polici, gjithashtu, jepen detaje edhe për historinë e largimit të vajzës nga banesa e familjes. Kjo ngjarje mësohet se ka ndodhur rreth një muaj më parë, kur E.S. ka denoncuar zhdukjen nga banesa të vajzës së mitur. Ende nuk dihet nëse policia ka bërë të mundur vendndodhjen e 17-vjeçares. Por kur ka kaluar rreth një muaj nga denoncimi i parë, nëna e saj pretendon se ka informacione që të bijën ia shfrytëzojnë si prostitutë. Sipas denoncimit, mësohet se 17-vjeçarja mbahet në Tiranë nga persona të pa njohur, të cilët pritet të identifikohen nga hetimet e mëtejshme të policisë. Me të marrë denoncimin e dytë, mësohet se është vënë në lëvizje njësia kundër trafiqeve të paligjshme, e cila po verifikon të gjitha të dhënat e paraqitura nga nëna e 17-vjeçares në kallëzimin penal. Dyshohet se historia e 17-vjeçares A.S. mund të ketë nisur pas një konflikti në familje, i cili është pasuar me largimin e vajzës nga banesa. Kjo ngjarje është denoncuar në polici nga familjarët e vajzës, të cilët raportuan largimin e 17-vjeçares. Por detajet e hetimit të policisë për këtë rast mbeten të panjohura, pasi nuk dihet nëse vajza është kthyer në banesën e saj, apo është rrëmbyer me qëllim shfrytëzimin e saj si prostitutë. Pikërisht ky informacion është dhënë vetëm pak ditë më parë në polici nga nëna e vajzës, e cila ka kërkuar ndihmën e uniformave blu për gjetjen e vendndodhjes së vajzës së mitur dhe rikthimin e saj pranë familjes. Mësohet se policia është angazhuar maksimalisht për këtë rast, por deri ditën e djeshme nuk kishte asnjë informacion zyrtar rreth hetimeve të nisura për largimin nga banesa të 17-vjeçares dhe pretendimin e s’ëmës se vajza po shfrytëzohet si prostitutë nga persona të panjohur. Ky informacion pritet t’u nënshtrohet verifikimeve të nevojshme nga ana e policisë, e cila është angazhuar maksimalisht për këtë rast. Kohët e fundit të dhënat tregojnë për evidentimin e disa rasteve të shfrytëzimit të prostitucionit. Edhe pse një pjesë e mirë e vajzave kanë pranuar se e kryejnë me dëshirë këtë gjë, sërish policia ka mundur të hetojë raste kur shfrytëzuesit përfitojnë nga konfliktet familjare të vajzave, për t’i kthyer ato në prostituta në hotelet e kryeqytetit.