E Shtunë, 31 Tetor 2026

E vret se i shau kushëririn, arrestohet autori

Fillimisht ka qene nje grindje ne distance per motive banale te çastit, qe ka lindur ne kafene, midis viktimes Cakoni dhe kusheririt te autorit te ngjarjes, nuk ka zgjatur gjate debati kur...

Pas një sherri të lindur në lokal me kushëririn e autorit të vrasjes, ka humbur jetën babai i dy fëmijëve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Krastë të komunës Martanesh të Bulqizës. Mësohet se viktima është Skënder Cakoni, 40 vjeç, babai i dy fëmijëve lindur e banues në fshatin Bazë të rrethit të Matit. Ndërkohë që burimet nga policia e Bulqizës bëjnë me dije se kanë bërë të mundur edhe arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes, sipas tyre ai është 33-vjeçari nga Martaneshi i Bulqizës, Allaman Isaku. Sipas policisë së Bulqizës, ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 15:30 në një kafene në vendin e quajtur Krastë në Martanesh.

Ata kanë qenë në të njëjtin lokal, por të ulur në dy tavolina të ndryshme. Në njërën nga tavolinat gjendej viktima Skënder Cakoni, baba i dy fëmijëve dhe në tjetrën, ishte ulur i riu Allaman Isaku së bashku me kushëririn e tij, që ishte pjesë e konfliktit. Fillimisht ka qenë një grindje në distancë për motive banale të çastit, që ka lindur në kafene, midis viktimës Cakoni dhe kushëririt të Allaman Isakut. Nuk ka zgjatur gjatë debati kur Isaku është ngritur në këmbë, duke dalë nga tavolina dhe i është afruar tavolinës ku ishte ulur viktima. Në këtë moment Isaku ka nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë, duke ia drejtuar 40-vjeçarit Skënder Cakoni. Ai ka qëlluar më pas mbi babanë e dy fëmijëve tri herë me pistoletë, duke i futur tre plumba në bark. Pas kësaj 33-vjeçari është larguar furishëm nga vendi i krimit, në mënyrë që t’i shpëtonte edhe kapjes së tij nga policia. Pavarësisht se kishte marrë tre plumba në trup, Cakoni ka qenë ende gjallë në momentin kur është larguar vrasësi i tij. Kanë qenë persona të tjerë, bashkëfshatarë, ata që kanë njoftuar policinë dhe e kanë nisur me urgjencë për në spitalin e Bulqizës, si spitali më i afërt i zonës. Por rrugës për në spital babai i dy fëmijëve ka ndërruar jetë, duke mos u bërë më ballë plagëve të marra nga plumbat.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i policisë së Bulqizës, e cila mbas sinjalizimit për krimin e ndodhur, është vënë në kërkim të autorit të vrasjes. Pasi ka mbërritur në vendin e krimit, policia ka bërë edhe procedurat hetimore, nga marrja e dëshmive të para ajo ka bërë zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit. Ka qenë policia e këtij rrethi ajo që i ka vënë prangat edhe autorit të dyshuar të vrasjes, Allaman Isaku. Arrestimi i tij ka ardhur vetëm gjysmë ore pas ngjarjes që i kushtoi jetën 40-vjeçarit nga fshati Bazë i rrethit të Matit.

Ndërkohë, nuk bëhet i ditur identiteti i kushëririt të Isakut, me të cilin viktima ka pasur edhe konfliktin që i ka kushtuar edhe jetën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›