E Shtunë, 31 Tetor 2026

Myftinia e Durrësit bllokon me gjykatë punimet e bashkisë

Myftinia e Durrësit ka bllokuar me një vendim gjykate punimet tek sheshi “Liria” në qendër të qytetit, pasi klerikët myslimanë akuzojnë drejtuesit e atij institucioni se po marrin tokë nga pronat e xhamisë. Debatet kanë nisur kur bashkia në projektin e saj kishte përcaktuar, ngjitur me xhaminë në qendër të qytetit, edhe ngritjen e një galerie, por pa marrë më parë edhe miratimin e myftinisë. Debatet e hapura institucionale duket se ia lanë vendin rrugës gjyqësore, mes Bashkisë dhe Myftinisë së Durrësit, duke sjellë si rezultat bllokimin e punimeve për planin rregullues të qendrës në sheshin "Liria". Myftinia e Durrësit ka bërë një padi civile për bashkinë, ku kërkon “bllokimin e punimeve dhe zhvlerësimin e vendimit të KRRT-së për ndërtimin e një galerie artesh, në hyrje të xhamisë së qytetit”. Kërkesa e myftinisë është marrë në shqyrtim dhe gjykata, e cila ka vendosur bllokimin e punimeve në sheshin kryesor. Myftiu i Durrësit, Redi Quku, deklaroi dje për “Standard”: “Në investimet që po kryen, Bashkia e Durrësit, pa të drejtë ka tjetërsuar 40 metra katrorë, pronë vakëfi, e cila i përket myftinisë”. Sipas tij “në padinë civile, drejtuesit e myftinisë i kanë kërkuar Gjykatës së Durrësit pezullimin e punimeve që po kryhen për sheshin "Liria", me pretendimin se projekti i miratuar nga KRRT-ja e qytetit ka tjetërsuar një sipërfaqe prej 40 metrash katror tokë, e cila është pronë e xhamisë. Gjykata e Durrësit, sapo ka marrë padinë, ka marrë vendimin e bllokimit të punimeve deri në sqarimin e rrethanave. Në anën tjetër, për këtë problem kryetari i bashkisë, Vangjush Dako, deklaroi: “Gjithë ky skenar për bllokimin e investimit prej 1 milion eurosh ka prapavijë politike”. Por kryetari i Këshillit të Qarkut, Seit Kërtusha, në një prononcim për “Standard” ka hedhur poshtë pretendimin e bashkisë për “prapavijë politike”. Sipas z. Kërtusha, “konflikti mes bashkisë, xhamisë si dhe disa institucioneve të tjera, ka nisur që me vënien në zbatim të projektit, fillimisht, punimet janë bllokuar nga Drejtoria Rajonale Arkeologjike, pasi pjesa juglindore është e pasur me objekte arkeologjike, bashkia duhet të marrë përsipër përgjegjësitë e saj dhe nëse provohet nga gjykata që është tjetërsuar nga ana e bashkisë sipërfaqja prej 40 metrash katror, e cila është në pronësi të Myftinisë së Durrësit, duhet të kompensojë këtë të fundit, aq sa e parashikon ligji”. Punimet për ndryshimin e qendrës të sheshit "Liria" kanë nisur në korrik të këtij viti, parashikohet të kushtojnë rreth 5 milionë euro. Ndërhyrja e parë po realizohet në një territor prej rreth 3100 metrash katrorë pranë xhamisë së madhe të qytetit, duke synuar krijimin e dy minishesheve në nivele të ndryshme, ndërsa mes tyre do të ndërtohen një varg njësish të shërbimeve me destinacion kryesisht turistike që do ti shërbejnë edhe biznesit edhe qytetarëve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›