Lirohen rrugët e Shkodrës, uji largohet 500 m nga qyteti

Nderkohe, ka filluar qe te kete edhe renie te nivelit te ujit ne prurjet e hidrocentraleve e per pasoje edhe shkarkimet tyre. Keshtu, prurjet ne hidrocentralin e Vaut te Dejes kane rene 1300 m3/s dhe nuk ka rrezik per shkarkime masive.
Rrugët e bllokuara nga uji, të ndikuara nga ditët pa reshje në qytetin e Shkodrës, kanë filluar që të lirohen, duke u bërë gradualisht të kalueshme për mjetet e rënda. Ditët me diell e me temperatura shumë të ulëta kanë bërë që niveli i ujit në qytet të bjerë ndjeshëm, duke u larguar me më shumë se 500 metra. Ndërsa dy ditë më parë në fshatin Guri i Zi janë shënuar edhe kthimet e para të familjeve në shtëpitë e tyre. Kanë qenë rreth 2000 persona, të cilët janë rikthyer të parët në banesat e tyre qëkur ka filluar tërheqja e ujit. Ndërkohë, pritet që sot të ketë edhe më shumë persona që do të rikthehen në vendbanimet e tyre, pasi ka rënë numri i banesave që kanë qenë të rrethuara nga uji. Sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Shtabi i Emergjencës, numri i banesave të rrethuara nga uji ka ndryshuar, duke u zvogëluar në rreth 2500. Ndërkohë, ka filluar që të ketë edhe rënie nivelit të ujit në prurjet e hidrocentraleve e për pasojë edhe shkarkime të tyre. Kështu, prurjet në hidrocentralin e Vaut të Dejës kanë rënë 1300 m3/s dhe nuk ka rrezik për shkarkime masive.
Fatkeqësisht, nuk ka asnjë ndryshim në shifra për shtëpitë që ndodhen nën ujë prej disa ditësh. Megjithëse nuk ka pasur asnjë pikë shi dhe ka filluar tërheqja e ujit ditët të fundit, vazhdon që të ketë akoma banesa nën pushtetin e ujit; sipas shtabit të emergjencave, janë po 4660 shtëpi të përmbytura. Për banorët e zonave ku shtëpitë vazhdojnë që të jenë nën ujë, rikthimi bashkë me familjen në banesat e tyre duket akoma i largët. Por këta familjarë nuk i tremben ujit apo edhe ditëve të tjera që do të kalojnë jashtë shtëpive të tyre. Realisht ata e kanë hallin diku tjetër, nëse a do të jenë më në kushte shtëpitë e tyre për t’u rifutur. Koha e gjatë që ka kaluar dhe që pritet të kalojë derisa të bëhet tërheqja e plotë e ujit nga këto zona, mund t’i bëjë të pabanueshme shtëpitë e tyre.
Autoritetet shëndetësore po ndihmojnë familjet që nuk janë evakuuar për çdo nevojë të tyre. Nga Shtabi i Emergjencave mësohet se ka nisur gjithashtu edhe një fazë vaksinimi falas për rreth 1900 familje që janë vendosur nëpër konvikte. Ky vaksinim, sipas mjekëve, që asistojnë banorët e evakuuar, bëhet për të shmangur virozat e stinës. Ndërsa mësohet se në plan të parë tashmë ka kaluar furnizimi me ushqime i të gjitha familjeve të evakuuara dhe atyre që vazhdojnë të jenë në zonat e përmbytura. Mësohet se në zonat e përmbytura, nga tre helikopterë ushtarakë, janë transportuar 45.4 tonë ndihma nga Gjadri në zonat e mbuluara me ujë.
Ndërkohë që fëmijët, që sot do të rinisin mësimin në 12 shkolla, të cilat prej më shumë se një jave ishin mbyllur për shkak të përmbytjeve. Janë 6 shkolla 9- vjeçare dhe 6 shkolla të mesme, të cilat do të hapin nesër dyert për të gjithë nxënësit. Në shkollat ku ka rifilluar mësimi, do të mësojnë edhe fëmijët e banorëve të evakuuar, të cilët për momentin po jetojnë në konvikte, larg banesave të tyre.