E Shtunë, 31 Tetor 2026

E zgjodhën Selmanin

Dilema e trajnerit të Kosovës së Vushtrrisë ka marrë fund të mërkurën. Sepse udhëheqësit e klubit bardh e kaltër nuk kanë pritur më dhe e kanë zgjedhur trajnerin Agron Selmani për ta udhëhequr ekipin e tyre në vazhdim të sezonit.

Këtë lajm e ka bërë të ditur vetë ish trajneri i Ulpianës dhe i Gjilanit, të mërkurën për Express.

“Sot arritëm marrëveshje me drejtuesit e Kosovës për ta udhëhequr këtë ekip në pranverë. Klubi nuk ma kushtëzoi mbetjen në Superligë. Por, unë do të mundohem ta ndërtoj një ekip kompakt në mënyrë që të mbetemi pjesë e kësaj shoqërie. Vushtrriasit nuk dorëzohen deri në momentet e fundit, kjo është një gjë pozitive”, tha Selmani.

Lajmin e ka konfirmuar edhe kryetari i klubit vushtrrias, Basri Asllani, i cili së bashku me zyrtarët tjerë të klubit vendosën për Selmanin, para Besnik Kollarit dhe Gani Sejdiut.

“Ata të dy u treguan më të pavendosur, kurse na pëlqeu gatishmëria e Agron Selmanit, të cilin e angazhuam pa u hamendur dhe pa menduar dy herë”, tha Asllani i cili nuk e përjashtoi mundësinë që palët ta vazhdojnë bashkëpunimin edhe pas përfundimit të sezonit.

“Nëse ka sukses, pse jo. Varet krejt se si shkojnë punët dhe në çfarë rrethana gjendemi në fund të sezonit”, u shpreh ai. Asllani nuk e përjashtoi mundësinë që vushtrriasit të sjellin përforcime, sigurisht nëse kërkon trajneri i ri, Agron Selmani.

BOX: Asllani: Sadiku është i Kosovës

E ardhmja e portierit Burim Sadiku mbetet ende e paqartë, me gjithë faktin se portieri vushtrrias ka nënshkruar kontratë për dy vjet me kampionin aktual, Prishtina.

Klubi i Kosovës së Vushtrrisë e mban librezën e futbollistit dhe llogarit në të për sezonin pranveror, pavarësisht se Sadiku gjendet në përgatitje me Prishtinën në Ulqin.

Drejtori i përgjithshëm i Prishtinës, Edmond Rugova, është informuar për këtë vendim të vushtrriasve, por ai nuk beson se do t’i dalë ndonjë problem klubit të tij për çështjen Sadiku.

“Kur Burimi ka ardhur tek ne, ai ka nënshkruar vetëm pas arritjes së marrëveshjes në mes të dy klubeve. Çdo gjë është e rregullt, nuk besoj se do të dalë ndonjë problem. Ai në pranverë do të jetë i yni. Nuk kemi marrë asnjë informatë zyrtare nga udhëheqësia e Kosovës, kështu që besojmë dhe shpresojmë se nuk do të hasim në ndonjë problem nga ana e tyre. Në këtë transfer çdo gjë është vepruar në bazë të marrëveshjes”, tha drejtori Rugova.

Në anën tjetër, kryetari i vushtrriasve, Basri Asllani këmbëngul se Burim Sadiku është i rëndësishëm për ta dhe se ai do të vazhdojë t’i mbrojë ngjyrat e Kosovës (V).

“Ne e mbajmë librezën e Burimit dhe ai do të luajë me ne në pranverë, sepse nuk kemi portierë që mund ta zëvendësojnë si duhet. Si duket, njerëzit e kanë keqkuptuar shkuarjen e tij në Prishtinë. Ne vetëm e kemi dërguar atë të stërvitë me Prishtinën, që të jetë i gatshëm kur të merr ndonjë ofertë nga ne. Ne nuk e kemi lëshuar atë të shkojë për të luajtur në pranverë me Prishtinën”, tha Asllani.

Nga ky rast sigurisht se portieri Sadiku është vënë në siklet. Librezën e tij, të regjistruar në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e mban Kosova e Vushtrrisë, ndërsa ai ka nënshkruar kontratë me Prishtinën për dy vjet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›