E Diel, 1 Nëntor 2026

Fabio Kapelo ultimatum lojtarëve: Ai që gabon, mbetet jashtë Botërorit

Anglia

Ai që gabon jashtë fushës së lojës, nuk do të grumbullohet në përfaqësuese për Botërorin 2010. Ky është ultimatumi që Fabio Kapelo i ka bërë lojtarëve të Kombëtares angleze. Tekniku italian duket se është lodhur nga skandalet e fundit, ku janë përfshirë disa prej futbollistëve të “Tre Luanëve”. Kapelo e ka bërë këtë deklaratë vetëm pak ditë përpara miqësores me Egjiptin në “Uembli”, e cila është ndeshja e parë pas miqësores së nëntorit me Brazilin. Ai ka përdorur pak fjalë për të shpjeguar se prioritet është krijimi i atmosferës së duhur në skuadër. “Lojtarët duhet të kuptojnë se çfarë pretendoj prej tyre, nëse kanë dëshirë që të jenë pjesë e skuadrës sime”, deklaroi trajneri. “është shumë e rëndësishme, pasi duhet të krijojmë një grup kompakt. Në miqësoren e javës së ardhshme, do të bisedoj personalisht me lojtarët. Preferoj të flas me ta ballë për ballë dhe jo në telefon, pasi nuk jemi takuar prej afro katër muajsh. Thelbi i këtyre diskutimeve do të jetë fakti sesa e rëndësishme është sjellja e gjithsecilit në jetën e përditshme, mbi të gjitha kur je pjesë e ekipit Kombëtar. Kupa e Botës është mjaft e rëndësishme për ne, për Anglinë dhe për vetë futbollistët. Duhet të qëndrojmë të bashkuar në çdo moment. Kjo është detyra ime kryesore: të krijoj një shpirt grupi”. Kapelo konfirmoi gjithashtu se nuk do të hezitojë të grumbullojë në skuadër mbrojtësin Uejn Brixh, pasi i hoqi Xhon Territ shiritin e kapitenit. Kjo do të thotë se pas disa ditëve, lojtarët do të jenë përballë njëri-tjetrit, pas lidhjes së Territ me Vanesa Perronçel, ish e fejuara e Brixh. Ndërkohë, Ashli Kol, protagonisti i një tjetër skandali në Angli, ka vendosur të ndjekë shembullin e Tajger Vuds, për t’u kuruar për vartësinë ndaj seksit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›