E zhagisin reformën zgjedhore

Partitë politike kanë nisur diskutimet me Presidenten Jahjaga për datën e zgjedhjeve lokale, pa përfunduar reformën zgjedhore. LDK fajëson PDK’në se po bllokon këtë proces, ndërsa në AAK thonë se asnjë palë zgjedhje nuk duhet të mbahen pa ligj të ri zgjedhor.
Partitë politike po bëhen gati që në vjeshtën e këtij viti t’i hynë garës për zgjedhjet lokale.
Gatishmërinë e tyre për këtë përfaqësuesit e partive politike në Kosovë ia kumtuan së fundi edhe të parës së shtetit Atifete Jahjaga.
Por, krejt ky muhabet u bë ende pa përfunduar reforma zgjedhore e cila nisi me 22 prill të viti 2011, e që për synim kryesor ka krijimin e një sistemi zgjedhor që do të pamundësonte manipulime në zgjedhje e sidomos vjedhjeve të votave.
Për të mos përsëritur ndodhitë e asaj kohe përfaqësues të partive politike në vend sot e shohin si tejet të nevojshme që reformat zgjedhore të përfundojnë para tetorit të këtij viti kur pritet të mbahen zgjedhjet lokale.
Sipas deputetit Arben Gashi nga LDK, pavarësisht se reforma zgjedhore ka për objekt kryesor zgjedhjet përgjithshme, ajo do të ndikonte edhe në evitimin e manipulimeve eventuale edhe në ato lokale.
“Teorikisht kish qenë më mirë të përfundojë reformat zgjedhore para se të mbahen zgjedhjet lokale”, ka thënë Gashi, për Express.
Por, për t’u arritur kjo, sipas Gashit, duhet vullneti politik i partive që deri tani ka munguar, në përfundimin e procesit të reformave.
Ato për çka udhëheqësit e partive nuk kanë arritur të gjejnë ende një pajtim janë përcaktimi për pragun zgjedhor si dhe çështjen e listave zgjedhore.
Deputeti Ahmet Isufi nga AAK ndërkaq tha se asnjëra palë zgjedhje nuk duhet të mbahen pa përfunduar reforma zgjedhore.
“Pa reformën zgjedhore nuk besoj që asnjë parti politike është e gatshme të hyjë në zgjedhje sepse ka ende defekte lidhur defekte lidhur me ligjin zgjedhor që ka ekzistuar deri më tani”, ka thënë Isufi.
Kritikat më të mëdha për ngecjen në përfundimin e reformave elektorale po i adresohen PDK’ së, së Hashim Thaçit.
“PDK është ajo e cila po bllokon jo vetëm reformën zgjedhore por tërë vendin”, ka thënë deputetit Arben Gashi nga LDK.
Por kështu nuk e shohin edhe në PDK. Përkundrazi anëtari i dikurshëm i kësaj partie në Komisionin parlamentar për reforma Halit Krasniqi thotë se procesione bllokoi pikërisht LDK’ja, duke tërhequr anëtarët e saj nga Komisioni ad-hoc që kishte përsipër reformën në Ligjin zgjedhor e që kryesohej nga po e njëjta parti me deputetin Haki Demolli.
Sido që të jetë Krasniqi u shpreh i bindur se reformat zgjedhore do të përfundojnë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale këtë vit. Ndonëse sipas tij, edhe infrastruktura ekzistuese ligjore mundëson mbajtjen e zgjedhjeve dhe monitorimin e tyre.
“Ajo që mund të them është se mirë është që reforma zgjedhore të përfundojë dhe neve të hyjmë me ligjin e ri në zgjedhjet e reja qoftë lokale apo të përgjithshme”, tha ai.
“Po që se ka vullnet dhe nëse me mund përpjekje do të manifestoheshin te lidershipi edhe ekipi i reformës zgjedhore ka mundësi ta përfundojë ligjin plotësisht dhe së shpejti ta rrumbullakojë dhe ta dërgojë në Kuvend për ta aprovuar kështu që janë gjasat optimale dhe reale që ligji mund të përfundojë dhe zgjedhjet e reja të mbahen me ligjin e ri”, shtoi Krasniqi.
Edhe AKR’ja e Behgjet Pacollit është ranguar krahë partive që janë të interesuara ta përfundojnë reformën zgjedhore para mbajtjes së zgjedhjeve.
Deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu tha se gjendja në vend po ashtu nuk lejon asnjë lloj shtyrjen e zgjedhjeve. “Duhet të mbahen sa më parë mirëpo është e rëndësishme që këto zgjedhje të fillojnë në dritë dhe të përfundojnë në dritë meqë pushteti e ka më të vështirë luftën për të vjedhur votat e qytetarëve”, ka thënë ajo për Express.
Përfaqësuesi special i BE’së në Kosovë, Samuel Zbogar për këtë madje pati adresuar edhe një letër publike. Deri më tani, pas një sërë takimesh kryetarët partive kanë arritur të pajtohen që Kosova të jetë vetëm një zonë zgjedhore./Indeksonline/