E zhdukura, gjendet në Sarandë nëna e 2 fëmijëve
Pas tri ditë kërkimesh policia ka arritur të gjejë shtetasen 25-vjeçare, Sheqere Kurti, nënë e dy fëmijëve, që u denoncua si e zhdukur nga bashkëshorti i saj. Sipas burimeve zyrtare të policisë, mësohet se gruaja është gjetur në Sarandë, nga policia e këtij komisariati.
Ajo është sjellë në Elbasan dhe aktualisht është duke u marrë në pyetje për të sqaruar rrethanat në të cilat është larguar nga shtëpia. Nuk dihet nëse gruaja donte të largohej në drejtim të Greqisë dhe motivet që e kanë shtyrë për një veprim të tillë, por ajo që dihet saktësisht (së paku sipas policisë) është se 25-vjeçarja ka ikur me dëshirën e saj.
“Gruaja ka thënë në polici se është larguar nga familja me dëshirën e saj, por ende nuk ka dhënë detaje për shkaqet”- thonë të njëjtat burime.
Ngjarja u denoncua nga bashkëshorti i saj, Astrit Kurti, 27-vjeç, banues në lagjen “Emin Matraxhiu”, i cili deklaroi në polici se gruaja ka dalë nga shtëpia në datën 8 dhjetor në kohën e drekës, rreth orës 14.00 dhe nuk u kthye më.