E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lulzim Basha: Prokuroria veprime politike

Tiranë- Çështja “Basha” është bërë temë e diskutimit të lirë jashtë rendit të ditës, në seancën e sotme të Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë që pritej, por nuk shkoi në Prokurori, ku ishte thirrur si i pandehur, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij nga foltorja e kuvendit, duke e cilësuar cështjen në ngarkim të tij asgjë më shumë sesa një skenar të pastër politik. Menjëherë ka reaguar deputeti socialist Taulant Balla, duke e quajtur të turpshëm veprimin e bërë nga Basha, i cili e ka vendit tjetërkund dhe jo në këtë sallë parlamenti.

“Në këtë çështje ka një precedent të turpshëm është rikthyer prokuroria politike. Kjo është e qartë për partnerët tanë ndërkombëtarë, kur lexon se çfarë akzuash ngre prokuroria kundër ministrit; paparazi në tendera. A e morët mundimin kolegë, të lexoni dokumentet përkatëse e ta shikoni se përzgjedhjea e konsulentit nuk është bërë me tender. Atëherë cili është qëllimi i këtij mashtrimi?”- ka thënë Basha në fjalën e tij, duke akuzuar hapur Prokurorinë e Përgjithshme.

Duke kujtuar mbrojtjen e hapur të bërë nga vetë kreu i qeverisë Berisha, Basha ka kujtuar se edhe akzua për shpërdorim detyre nuk mund të qëndrojë, pasi nuk ka vend për shpërdorim në një rast të tillë, kur vetë Këshilli i Ministrave i ka sanksionuar vetë hap pas hapi vendimet përkatëse.

“Jam betuar para kushtetutës se do t’i shërbej vendit, dhe këtë do ta bëj pvarësisht nga sulmet e zyrës së Ramës dhe segmentet e tij në prokurori”- ka thënë ai, duke shtuar se ka besimin e shumicës së qytetarëve.

Ndërkohë deputeti socialist Taulant Balla e ka quajtur të papranueshëm faktin që një i pandehur nuk shkon të japë shpjegime në prokurori, aty ku duhet të jetë, por vjen pa turp dhe jep shpjegime në Kuvend.

“Në një shtet demokratik një i pandehur vete në prokurori dhe nuk jep shpjegime këtu. Në një shtet demokratik, në një moment që individi, aq më tepër kur është ministër, shpallet i pandehur, duhet liruar nga pozicionet publike që mban”- tha Balla, duke sjellë në kujtesën e deputetëve rastet e ngjashme në botë. Ai ka kujtuar ministrin e jashtëm të Finlandës që u akuzua se kishte harxhuar lekë nga telefoni i zyrës, (200 e ca euro) për një bisedë private dhe për këtë dha dorëheqjen.

“Në Shqipëri kemi një njeri që akuzohet për 230 milionë euro dhe ky njeri ka ende guxim që përmes këtij mandati t’i fshihet prokurorisë dhe hedh baltë këtu mbi demokracinë e vendit. Demokracia nuk është mburojë politike, por demokraci është të respektosh ligjin”- tha ai.

Ai ka thënë më tej, se po të ishte në vend të Bashës do të jepte pa mendur dy herë dorëheqjen dhe nuk do të merrej më kurrë me politikë. “Ky këtu vjen e shet dëngla në një kuvend që nuk shquhet për burrëri, por ai nuk duhet të shkel më këtu, ka ende kohë të reflektojë dhe të shkojë në prokurori”- tha ai, duke kërkuar së fundi sqarim për një pyetje shumë të rëndësishme.

Sa do kushtojë rruga Durrës-Kukës? Sipas Ballës, janë llogaritur 419 milionë euro, por sot ka arritur 1 miliardë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›