E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Spiunët, PD miraton draftin, PS braktis votimin

Anëtarët demokrat të komisionit të ligjeve miratojnë draftin për spiunët. PS nuk moripjesë gjatë votimit

TIRANË- Pozita dhe opozita nuk ka arritur dot të gjejnë gjuhën e përbashkët për projektligjin “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të zgjedhurve” ose thënë ndryshe projektligjin për hapjen e dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Pas më shumë se gjashtë muaj debat institucional dhe jo institucional, mazhoranca ka vendosur dje në mënyrë të rrufeshme të kalojë për diskutim dhe më pas miratimin në komisionin parlamentar të Ligjeve projektligjin për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit. Kjo ka kapur në befasi opozitën, e cila e vene përpara një fakti të kryer ka kërkuar prej deputetëve të shumicës që të shtyjë debatin për një seancë tjetër, ku të ishte i pranishëm dhe relatori socialist Arben Isaraj. Fillimisht në emër të opozitës ka folur deputeti Bashkim Fino, i cili duke sjellë në vëmendje rëndësinë e një nisme të tillë ligjore, ka kërkuar kohë prej përfaqësuesve të mazhorancës për kalimin e tij. “Nuk mund të hyjmë në diskutim nen për nen ndërkohë që relatori ynë nuk është në mbledhje. Në rast se ju doni ta kaloni pa votat tona e kaloni, por e besojmë se nuk duhet të veprojmë kështu për një ligj kaq të rëndësishëm”, - tha Fino. Por këtij qëndrimi i janë kundërvënë deputetët e mazhorancës të cilët kanë këmbëngulur në idenë e miratimit të këtij projektligji brenda kësaj séance. Kryetari demokrat i komisionit, Ilir Rusmali ka hedhur poshtë argumentet në të cilën deputetët e opozitës mbështesnin kërkesën e tyre të shtyrjes së mbledhjes, pasi sipas tij Isaraj ka qenë njoftuar njësoj si gjithë deputetët e tjetër të komisionit një ditë më parë për diskutimin e këtij drafti. Por një fakt të tillë është kundërshtuar nga nënkryetari socialistë i komisionit Fatmir Xhafaj, i cili tha se komisioni, një ditë më parë, pra ditën e martë, në mungesë të relatorit demokrat Aldo Bumçi nuk kishte mundur të caktonte një datë se kur dhe mund të diskutohej ky projektligj. “Mendoj që edhe nga pikëpamja proçeduriale por edhe nga pikëpamja etike nuk mendoj se duhet ta shqyrtojmë sot këtë qoftë edhe për një arsye fare të thjesht. Ne kemi pyetur dhe dje dhe kemi pyetur nëse do të vazhdonte të qëndronte në rend të ditës dhe kemi marrë përgjigjen se meqenëse dje z.Bumçi nuk ishte i pranishëm nuk mund të kishim një përgjigje nëse do të bëhej sot apo jo, ndërsa sot relatori ynë nuk është prezent, për shkak të mos qenies në dijeni dhe për shkak mospasjes një vendimi përfundimtar për ta diskutuar këtë çështje”, - tha Xhafaj duke ripërsëritur kërkesën për shtyrjen e këtij debati. Gjithashtu Xhafaj ka kërkuar që shumica qeverisëse të krijoj mundësi për gjetjen e një konsensusi sa më të gjerë në mënyrë që ligji që do të miratohet të ketë një zbatim sa më efektiv. Pavarësisht kundërshtimit të opozitës, kryetari i komisionit ka hedhur në votë propozimin e opozitës për të shtyrë debatin, duke rrëzuar atë me shumicë votash. Vlen të theksohet se edhe deputeti i PBDNJ-së Spiro Peçi dhe ai i LSI-së Spartak Braho kanë votuar pro shtyrjes së seancës. Vendosmëria e shumicës për të vazhduar diskutimin e projektligjit nen për nen ka detyruar deputetët socialistë që në shenjë papajtueshmërie me ngutjen e të djathtëve për ta kaluar ligjin me shpejtësi dhe pa konsensus të largohen nga mbledhja.

Hiqet verifikimi i pastërtisë së figurës për ata që kane qenë ministra gjatë kabineteve qeveritare të para dhjetorit 1990 dhe kandidatët për anëtarë të Komitetit Qendror.

Ligji i dosjeve, kush lë detyrën

Drafti për hapjen e dosjeve pritet të ketë efekt mbi institucionet e drejtësisë

TIRANË- Drafti ligjor për hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të ish-Sigurimit të Shtetit që pritet të miratohet tashmë në Kuvend nuk do të sjellë ndonjë efekt të madh, kjo të paktën përsa i përket “peshqve të mëdhenj” që militojnë sot në politikë. Projektligji i miratuar dje nga Komisioni Parlamentar i Ligjeve me votat vetëm të mazhorancës, ka përjashtuar nga papajtueshmëria me funksionet që mbajnë të gjithë ata që në sistemin e shkuar kanë qenë ministra, zëvendësministra dhe sekretarët e partisë në rrethe. Ndërkohë duke iu referuar akuzave që vet klasa politike ka bërë, por edhe fakteve që ka sjellë klasa e ish të përndjekurve politike, duket se fusha ku do të ketë më shumë efekt ky draft që pritet të bëhet ligj, është ajo e drejtësisë, në institucionet e së cilës janë të punësuar shumë ish-prokurorë, ish-hetues apo edhe ish-gjyqtarë.

Ndryshimet

Me propozim të relatorit demokrat, Aldo Bumçi komisioni i Ligjeve në përpjekje për të gjetur edhe konsensusin e opozitës gjatë diskutimit të tij në seancë plenare në Kuvend, ka bërë një sërë ndryshimesh në draftin fillestar. Kështu, në nenin 4 të këtij drafti, ku përcaktohen detyrat që konsiderohen si të papajtueshme me moralin e funksioneve të sotme shtetërore, është hequr pozicioni i ministrit (përveç ministrit dhe zëvendësministrit të Brendshëm) gjatë kabineteve qeveritare të para dhjetorit 1990. Gjithashtu nga kjo listë janë përjashtuar edhe të gjithë kandidatët për anëtarë të Komitetit Qendror. Modifikimi i këtij neni ka sjellë revoltën e disa prej deputetëve të mazhorancës, siç ishte rasti i Dashnor Sulës, i cili në shenjë proteste për një lëshim të tillë është larguar nga mbledhja. Por ky ndryshim sipas Bumçit është bërë për shkak se personat që kanë mbajtur këto poste nuk kanë qenë pjesë e hartimit të politikave përndjekëse, ndërsa sipas kryetarit të komisionit Ilir Rusmali kjo është pjesë e lëshimeve që mazhoranca bën kundrejt opozitës për të gjetur konsensusin e saj. Ky nen ka pësuar edhe një ndryshim tjetër, pasi është bërë një shtesë ku tentohet të mënjanohet konflikti i interesit, midis anëtarëve të Autoritetit të Kontrollit të Figurës në rastet kur ka lidhje direkte miqësore apo farefisnore me personat që do të jenë objekt verifikimi. Ndërkohë një person që ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë së funksioneve të këtij ligji nuk mund të marrë pjesë në asnjë lloj pozicioni të Autoritetit të Kontrollit të Figurës, si dhe nuk mund të jetë pjesë e trupave gjyqësore që marrin në shqyrtim këtë ligj. Një ndryshim i rëndësishëm i është bërë dhe nenit 5, ku përcaktohet se në rastet kur njëra palë që ka të drejtë të propozojë emrat për anëtarë të këtij autoriteti nuk pranon ta përmbushë këtë të drejtë, atëherë vendet vakante plotësohen me kandidatura që vijnë nga shoqëria civile. Draftit i është shtuar dhe një nen i ri ku tentohet që të realizohet praktika gjermane e dhënies së të drejtës gjithkujt që të njihet me dosjen e vet. Kështu, në bazë të këtij neni çdo individë ka të drejtë që të kërkoj nga autoriteti që ti vihet në dispozicion dosja nëse ka, por me një kusht që ai të mos njihet me emrat e të tretëve që ajo përmban.

Subjektet

Jo çdo ndryshim që i është bërë dje këtij projektligji ka marrë pëlqimin e të gjithë deputetëve të mazhorancës. Një nga nenet që ka sjellë më shumë debate ka qenë neni 3 që përcakton subjektet që do ti nënshtrohen verifikimit të figurës. Me propozim të Bumçit komisioni me shumicë votash ka shtuar në listën e këtyre subjekteve edhe dekanët, akademikët dhe deri tek drejtorët e gjimnazeve. Përfshirja e këtyre të fundit në këtë listë ka sjellë dhe debatin më të madh, pasi një pjesë e mirë e deputetëve e kanë cilësuar këtë ndërhyrje si të pavend, për shkak se në këtë mënyrë ligji bënë një verifikim selektiv, pasi ndërsa përfshinë drejtorët e gjimnazeve përjashton drejtorët e drejtorive arsimore ne rreth, apo drejtorët e tjerë të këtij niveli. Por sipas relatorit Bumçi kjo është bërë për shkak se arsimi është një sektor me ndjeshmëri të madhe tek brezi i ri. Me këmbënguljen e deputetëve kësaj liste i janë shtuar të gjithë funksionet e drejtorëve në nivel rajoni dhe qarku, të të gjitha llojeve, deri tek drejtuesit e Policisë së Shtetit. Ligji do të kontrollojë pastërtinë e figurës së çdo funksionari që kanë qenë pjesëmarrës në strukturat politikbërëse gjatë periudhës 29 nëntor 1944 deri në 8 dhjetor 1990. Edhe përcaktimi i kësaj periudhe ka pasur debat, pasi deputeti Dashnor Sula ka kërkuar ta shtrijë atë deri në zgjedhjet e marsit 1991. Sipas këtij drafti të gjithë ata zyrtarë që kanë papajtueshmëri nuk do të shkarkohen nga detyrat që mbajnë, ndërsa ata që do të kërkojnë të garojnë për deputetë nuk do të lejohen.

Neni 3

Subjektet e Verifikimit

Presidenti i Republikës

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë

Anëtarët e Këshillit të Ministrave, zv-Ministrat, funksionarët politikë, sekretarët e përgjithshëm, drejtorët e përgjithshëm dhe drejtoret e drejtorive të dikastereve, si dhe të barazuarit me ta në institucionet e tjerë shtetërore qendrore ose të pavarura

Anëtarët e KLD-së, si dhe gjyqtarët e prokuroret pranë gjykatave dhe prokurorive të të gjitha niveleve

Funksionarë të lartë të Presidencës, administratës së Kuvendit, KLD-së, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, Prokurorisë së Përgjithshme

Guvernatorë, zv-guvernatorë dhe drejtorët e Bankës së Shqipërisë

Funksionarë në Forcat e Armatosura, në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, si dhe oficerët me gradë “Gjeneral” dhe Kolonel”

Prefektët, kryetarët e këshillave të qarqeve si dhe kryetarët e bashkive dhe komunave

Në SHISH, SHIU dhe SHIR dhe çdo shërbim tjetër inteligjent

Në gardën e Republikës

Drejtor i Policisë së Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati

Drejtuesit e përfaqësive diplomatike

Rektorë, dhe zv-rektorë të universiteteve publike

Çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi

Ai deputet që ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, nuk mund të garojë për një mandat tjetër

Vendimi, “spiunët” jo më në Kuvend

TIRANË- Një nga qëllimet kryesore për të cilën është ndërmarrë kjo nismë ligjore është edhe ajo për pastrimin e politikës shqiptare nga të gjitha ata individë që përpara 8 dhjetorit 1990 kanë qenë funksionar të lartë të administratës së sistemit komunist, dhe që kanë pasur rol në politik-bërje. Në bazë të këtij drafti që dje mori “OK” e komisionit parlamentar të Ligjeve objekt i verifikimit do të jenë jo vetëm ata politikanë që do të kërkojnë të hyjnë në parlament, por edhe ata që sot ndodhen në të. Neni 3 i projektligjit përcakton në listën e individëve, që do t’i nënshtrohen verifikimit edhe deputetët, apo ata që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme për të qenë pjesë e institucionit ligjvënës. Por ky projektligj për shkak të kohës së pamjaftueshme të aplikimit të tij, duket se do të ketë më shumë efekt për pastrimin e Kuvendit të ri dhe jo të këtij aktualit. Në këtë mënyrë, duke iu referuar nenit 13 të draftit, rezulton se në rastin e të zgjedhurve në Kuvend, kandidatët që konkurrojnë i nënshtrohen verifikimit të figurës së zyrtarit përpara regjistrimit si kandidat në procesin përkatës zgjedhor. KQZ nuk do të regjistrojë si kandidatë ata individë që nuk do të paraqesin dëshminë e verifikimit të lëshuar nga Autoriteti i Kontrollit të Figurës. Ndërsa në rastin e deputetëve aktual, gjithmonë në rast se do të mjaftojë koha, pasi mandati i tyre mbaron në shtatorin e ardhshëm, kontrolli do të kryhet me kërkesë të kreut të Kuvendit ose të vet deputetit. Në bazë të rezultatit, në rast se një deputet do të dalë se gjatë sistemit të mëparshëm ka mbajtur një nga funksionet e papajtueshme me moralin e pastërtisë së figurës së zyrtarit të sotëm, atëherë kryetari i Kuvendit i kërkon atij dorëheqjen. Në rast se ai nuk pranon atëherë i hiqet mandati. Por projektligji nuk përcakton se kush do t’ia komunikojë shkarkimin nga detyra në rast se edhe titullari i këtij institucioni do të rezultonte i implikuar në funksione që ligji i konsideron sit ë papajtueshme. E njëjta praktikë ndiqet edhe për të gjitha rastet e tjera të funksionarëve të ndryshëm në të gjitha nivelet që përcakton ligji.

Dy do ti propozojë mazhoranca, dy opozita, ndërsa kryetari do të zgjidhet me një shumicë të cilësuar votash

Verifikimi, Autoriteti i Kontrollit me 5 anëtarë

TIRANË- Autoriteti i Kontrollit të Figurës do të ketë 5 anëtarë, njeri prej të cilin do të mbajë edhe postin e kryetarit. Ai do të krijohet sipas një formule ku do të synohet një balancim politik, ku dy do ti propozojë mazhoranca, dy opozita, ndërsa kryetari do të zgjidhet me një shumicë të cilësuar votash në Kuvend, duke i detyruar forcat politike që të gjejnë nja kandidaturë konsensuale. Me propozim të relatorit të këtij ligji, Aldo Bumçi, projektligjit i është bërë një ndryshim edhe në nenin pesë ku përcaktohet formati i këtij autoriteti, sipas të cilit tentohet të shmanget bllokimi i veprimtarisë së tij. Në këtë mënyrë në draft u përfshi një pikë shtesë, sipas së cilës për të mos bllokuar punën e autoritetit në rast të mungesës së vullnetit të njërës prej forcave politike, atëherë vendet vakante plotësohen me kandidatë që propozohen nga shoqëria civile.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›