E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i Prokurorisë, Hajdari: Të pyeten prokurorët

Nga Klodiana Lala
Shoqata e Prokurorëve do t'i drejtohet zyrtarisht komisionit të Ligjeve me një kërkesë, për të bërë kundërshtimet e tyre në lidhje me projektligjin për prokurorinë, që pritet të kalojë për diskutim. 

TIRANE-Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë duket se nuk është dakord me projektligjin për prokurorinë që pritet të diskutohet në komisionin e Ligjeve. "Do t'i kërkojmë zyrtarisht komisionit të Ligjeve që të dëgjojë dhe pretendimet tona", - tha Shkëlqim Hajdari, sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prokurorëve. Hajdari pohoi se ende nuk kanë në dorë draftin përfundimtar që Ministria e Drejtësisë ka dorëzuar në qeveri. "Nuk jemi në dijeni të ndryshimeve. Ne si shoqatë i kemi bërë kundërshtimet tona. Pasi ta kemi në dorë draftin, do të bëjmë kërkesë në komision", - u shpreh më tej ai. Në fakt, Shoqata e Prokurorëve e ka kundërshtuar ashpër draftin e përgatitur nga Ministria e Drejtësisë, sidomos nenin ku parashikohej heqja e imunitetit të prokurorëve.
Kundërshtimet
Prokurorët duket se sërish nuk janë të kënaqur me projektligjin e hartuar nga Ministria e Drejtësisë, që është dorëzuar në qeveri dhe së shpejti pritet të kalojë në komisionin e Ligjeve. Megjithëse ende në duart e tyre nuk ka mbërritur drafti përfundimtar, përfaqësuesit e organit të akuzës shprehen se do t'i drejtohen komisionit të Ligjeve zyrtarisht me një kërkesë, që të dëgjojë pretendimet e tyre. Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme nuk ka bërë asnjë reagim zyrtar lidhur me draftin përfundimtar që është miratuar në qeveri, edhe pse disa nga nenet e shumëkontestuara nga prokurorët kanë mbetur të njëjta. "Komisioni i Ligjeve duhet të dëgjojë dhe pretendimet tona, pasi ne jemi grup interesi", - tha Hajdari. Nuk dihet nëse komisioni që do të diskutojë projektligjin për prokurorinë do ta pranojë kërkesën e përfaqësuesve të organit të akuzës, por ka mjaft gjasa të bëjë një gjë të tillë, duke iu referuar kështu precedentit të mëparshëm, kur përfaqësues të Shoqatës së Gjyqtarëve u thirrën për të dhënë argumentet e tyre për projektligjin "Për organizimin dhe funksionimin e gjyqësorit".
Drafti
Në draftin që qeveria ka miratuar dhe e ka kthyer për disa ndryshime teknike, parashikohet që prokurorët të jenë pa imunitet. Një tjetër pikë që duket se do të kontestohet mjaft ashpër, ka të bëjë me masat disiplinore që ministri i Drejtësisë propozon për prokurorin e Përgjithshëm. Kreu i dikasterit të drejtësisë nuk është tërhequr dhe sa i përket raportit të detajuar që paraqet një herë në vit në Kuvend, në lidhje me inspektimet e kryera në prokurori. Debatet, që në fakt nuk kanë munguar edhe më parë mes qeverisë e Prokurorisë së Përgjithshme, duket se do të ashpërsohen sërish, në momentin që projektligji do të kalojë për diskutim në komisionin e Ligjeve.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›