E Shtunë, 31 Tetor 2026

EKSPOZITA , Ftohtësi ndaj artit, te Onufri 2008 vetëm 150 vizitorë

>Edicioni XV-të i konkursit ndërkombëtar të arteve pamore do të shpallë fituesin në datën 14 janar
 
Ftohtësi dhe indiferencë e publikut tonë apo mungesë organizimi në promovimin e artit? Kjo dilemë të lind nga vëzhgimi i  Edicioni XV-të të konkursit ndërkombëtar të arteve pamore Onufri 2008.  Ka shumë pak vizitorë, mesatarisht 4 vetë në ditë. Një numër i tillë nuk justifikohet sa më faktin se piktura ka admirues elitar, po të kemi parasysh se ajo ka një kohë të gjatë që është hapur dhe mediat e kanë përcjellë si aktivitet. Gjithsesi, kjo nuk ia ul vlerën piktorëve tanë. Artisti më i mirë do të vlerësohet  në datën 14 janar. Janë 13 artistë që kanë prezantuar punimet e tyre në këtë edicion të Onufri-t, ku pothuajse të gjithë janë artistë të rinj që kanë studiuar për arte jashtë vendit. Megjithëse është një ekspozitë, e cila funksion si një konkurs artesh pamore, ajo është dhe e vetmja që gjendet në këto ditë janari në Galerinë Kombëtare të Arteve. Nga ky institucion mësohet se që nga dita kur Onufri 2008u hap në datën 20 dhjetor në mjediset e GKA ka pasur një numër të konsiderueshëm vizitorësh që e kanë ndjekur,vizita të cilat janë zbehur pak gjatë ditëve të festave, për tiu rikthyer sërish punimeve që janë prezantuar në këtë edicion të arteve pamore. Deri tani ekspozita është vizuara nga 150 vizitorë, ndërkohë që këtu nuk janë të shënuar dhe të ftuarit, të cilët kanë qenë të shumtë, por nuk mund të llogariten sepse janë vizita kortezie. Ekspozita konsiderohet si një prej ngjarjeve më të mëdha të arteve pamore në vendin tonë, dhe ajo ka mbledhur rreth saj emra të njohur artistësh si: Ilir Koka, Eltjon Valle, Elsa Martini, Dritan Hyska, Alban Hajdinaj, Heldi Pema, Orion Shima, Pleurat Xhafa, Driant Zeneli, Gentian Shkurti, Yllka Gjollesha, Shpëtim Kërçova dhe Fani Zguro. Artisti i huaj i ftuar është Bert Theis nga Luksenburgu, i cili ka sjellë në Tiranë një projekt që e ka prezantuar në mjaft muze prestigjiozë të Evropës. Juria ndërkombëtare që do të shpallë dhe fituesin e Onufri-t është e përbërë nga: Nissim Tal drejtor i përgjithshëm i Muzeut të Artit, në Halifa (Izrael), Raya Zommer drejtore dhe kuratore e Muzeut Janco-Dada, në Ein-Hod (Izrael), Elizabeth Neilson Kuratore dhe Drejtoreshë e Zabludoëicz Collection, Angli, Daniele Capra, kritik arti për revistën italiane Exibart si dhe Parid Teferici, artist. Përfaqësuesit e jurisë do të vijnë në Tiranë në datën 14 janar dhe po atë ditë do të shpallen dhe çmimet për artistët më të mirë. Për herë të parë në historinë e Onufri-t vjen një kurator i huaj. Profesori italian i fenomenologjisë Riccardo Caldura, është përzgjedhur si kurator i edicionit të XV të Onufrit. Caldura e ndërtoi ekspozitën mbi konceptin e një vargu të Gëtes A e dini ku lulëzojnë limonat?, varg nga i cili shkrimtari gjerman i referohet Italisë si vendi i limonave. Kuratori italian e huazon shprehjen, duke iu referuar Shqipërisë si vendi i paradokseve dhe ekspozita është ndërtuar mbi këtë temë.
Në këtë ekspozitë gjejmë në mënyrë metaforike gjendjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve, një reflektim mbi tokën dhe gjuhën e artit dhe mënyrën si vjen te publiku ky art, thotë ai. Më tej duke folur mbi ekspozitën kuratori italian tregon se për të është shumë e rëndësishme kurimi i një ekspozite me të tilla përmasa. Sipas tij ekspozita është dhe një pyetje mbi realitetin e artit shqiptar. Kam nderin të kuroj këtë ekspozitë të Onufrit, por dua të shpjegoj dhe titullin e kësaj ekspozite. Fjala paradosk është një veçori e mendimit grek, ku para do të thotë kundra dhe doks do të thotë mendim i përgjithshëm, pra fjala paradoks shkon kundër mendimit të përgjithshëm. Kjo tokë është Tirana, Shqipëria, ku ne mund të gjejmë elementë të veçantë që shfaqin realitetin shqiptar, por nga na tjetër është toka ku lulëzojnë paradokset,është toka e artit, tregon Caldura. Konkursi i cili financohet dhe organizohet çdo vit nga MTKRS dhe GKA, synon paraqitjen e zhvillimeve, teknikave dhe provokimeve më të reja artistike në fushën e arteve pamore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›