Ekziston ndonjë idealist?
Kurrë më të qetë nuk e kisha parë prof. dr. Sali Berishën, i cili në historinë e re shqiptare mbetet rrënues i diktaturës. Në një tekst të hershëm kam thënë se këtë pastaj e rrënuan fjalët e veta. Popullizmin e tij e kërkojnë të tjerët, te temperamenti i tij. Derisa bisedonim, më ishin kujtuar marshimet e tij kohëve të fundit dhe fjalët rrëqethëse: vota – koka. Të thuheshin këto në një kohë kur shqiptaria nuk e gjet ende udhën, vinin në pyetje edhe ekzistencën e një vendi. Mirëpo, Profesori gjatë bisedës ishte një njeri tjetër.
Diskursi i tij rreth shumë çështjeve ta kujtonte shpesh atë të Edgar Morenit. Në atë që e thoshte, besonte. Nuk e mori nëpër gojë askë nga kasta politike, por nga fjalët që i thoshte, mund të përfytyroje portretin e ndonjë udhëheqësi.
Rreth tolerancës kishim biseduar më gjatë. Fërkimet brendashqiptare në Shqipëri na shqetësojnë edhe ne të këtejmëve. Dhe, mu në këto fërkime fqinjët tanë kërkojnë interesat e tyre. Ishte pajtuar Profesori dhe tre shkrimtarët, që gjendeshin në anën tjetër. E kishim ilustruar tolerancën edhe me shembuj nga fqinjët: kur çështja kombëtare është në rrezik, harrohen grindjet. Nuk di ku qëndron kufiri, bie fjala, mes Milosheviqit dhe Koshtunicës.
Tek bisedojnim rreth kësaj çështjeje, Profesori ishte pajtur se vërtet grindjet partiake në Shqipëri mund të kenë jehonë të keqe edhe në Kosovë e diasporë. Për hir të shqiptarëve jashtë kufijve politikë e në diasporë, Shqipëria duhet të ketë një imazh më paqësor e të jetë një forcë orientuese nga e ardhmja. Sipas diskursit të tij, vërehej se në Shqipëri mungonte ai mbinjeriu i Migjenit. E kishte zënë ngoje dikur zotin Pandeli Majko, i cili kishte arritur të krijojë kohezionin shqiptar, mirëkupimin e respektin e ndërsjellë, kishte filluar të krijojë edhe shumë miq në arenën ndërkombëtare. Por, nuk e kishte të qartë as Profesori, pse ishte ndërruar dhe kujt ia kishte prishur planet. Gjatë deportimeve biblike Pandeliu kishte bërë shumë. Nuk bën as populli i Kosovës ta harrojë.
Për ish-presidentin amerikan, zotin Klinton, të cilat me vëmendje ia kishte lexuar të tridhjetetri fjalimet gjatë krizës në Kosovë e bombardimeve të NATO-s, kishte respekt të veçantë, edhe pse në mes tyre ishte krijuar një distancë, por besonte se edhe me Bushin e ri çështja e Kosovës nuk do të ngecë. E kujtonte vijën e kuqe, që i ati e kishte vënë në mes Kosovës e Serbisë. Dhe vërtet kishte ndodhur ajo që kishte thënë ai. Amerikanët nuk janë lojës në vendimet e tyre. Më ishte kujtuar Borhesi: amerikanët kanë një kod të fortë etik. Dhe e ardhmja jonë, kishte shtuar Profesori, varet nga ne shqiptarët; sa do të jemi komunikativë me SHBA dhe me bashkësinë ndërkombëtare; a do të dimë të rreshtohemi në globalizimin botëror. Ishte zënë ngoje edhe propaganda shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe pse na mungon kjo. Në rrënimin e të gjitha gënjeshtrave serbo-greke, Profesori ishte i mendimit, mund dhe duhet të kontribuojnë edhe njerëzit e pendës. Rrënimi i gjithfarë gënjeshtrave, jo vetëm për çështjen e Kosovës, është nder i çdo intelektuali. Fatkeqësisht njerëzve tanë pak u dëgjohet mbrojtur. Ishin kohë të rënda kur ajo lindi. Pra, ishte i mendimi të mbrohet gjaku i derdhur edhe përmes të vërtetës mbi çështjen shqiptare në përgjithësi.
Në mbyllje të bisedës së gjatë ishte dëgjuar: nëse çështja e Kosovës nuk i bashkon shqiptarët, ekziston diç tjetër? Profesori me një besim të thellë kishte shtuar: vetëdijësimi dhe përcaktimi ynë. Ndaheshim me shpresë se në mileniumin e ri do të flasim si komb…
Makina depërtonte nëpër terr. Kërkonim një restorant tej Zogut të Zi. Ngadalë rrëshqiste. Nuk di a shkelnim rrugës së një kryeqyteti. Pas ca kthesave, u gjetëm aty ku dëshironim. Me të ndalur kisha pyetur rojtarin e restorantit: ç’është kjo rrugë me gropa? Të mos ishte e tillë, nuk do të shijonit antikitetin e restorantit tonë, ishte përgjigjur ai. Po pronarët e këtyre vilave të bukura, nuk mund të hedhin nga një kamion rërë? Nuk mund të bashkohen, zotëri. Ky është problemi, ishte përgjigjur prapë ai. Ndoshta këndej nuk banojnë zotërinjtë Nano e Berisha? Ashtu është, por edhe në këtë anë vepron mendja e tyre.
Serpentinave të rrugës së shekullit të kaluar, më kishte dalë para Shqipëria e Naimit. Ekzistonte edhe ndonjë idealist në pragun e mileniumit të ri?
Biseda me kryeministrin Sali Berisha është zhvilluar para se të fillonte autostrada Durrës – Kukës, të pagëzuar tani “Udha panshqiptare”, për mua vepër monumentale jo vetëm rreth çështjes shqiptare, por dhe të ekzistencës së popullit shqiptar në kohë të papritura në Gadishullin Ilirik.