E Diel, 1 Nëntor 2026

EMIGRACIONI, nënshtetësia, 10 mijë shqiptarë bëhen grekë brenda një viti



ATHINË - Janë 10 mijë shqiptarë që kanë marrë deri më tani nënshtetësinë greke. Shifra është publikuar pak ditë më parë, Eurostat ka publikuar se, 10 mijë shqiptarë kanë marrë nënshtetësinë greke, duke mos dhënë të dhëna të sakta se sa është numri i emigrantëve me kombësi shqiptare dhe i atyre të tjerëve me kombësi greke. Edhe pse janë dhënë me pikatore nga ish-qeveria konservatore e Karamanlis, tani qeveria Papandreu po bën përpjekje për të mbyllur njëherë e mirë këtë proces të tej vonuar, përballë opozitës së djathtë të kryesuar nga Samaras, që kërkon nga emigrantët se duhet të lënë nënshtetësinë e vendit të tyre. Shërbimi Statistikor i Bashkimit Europian, Eurostat, ka publikuar se numri i të huajve që kanë marrë nënshtetësinë greke është katërfishuar në krahasim me vitin 2007, ku kishin marrë nënshtetësinë greke 3.920 shtetas.
Shifrat
Për vitin 2008 numri i marrjes së nënshtetësisë është katërfishuar duke shkuar në 16.920, më saktë e ka marrë një në 1000 të huaj. Nga takimet e bëra me përfaqësues të emigrantëve, ministri i Brendshëm i Greqisë Ragusis ka theksuar se, të gjitha kërkesat e bëra nga emigrantët shqiptarë futeshin në “frigorifer”, ndërsa sot po bëhet përpjekje për dhënien e nënshtetësisë. Qeverisja e vendit nga partia “Nea Dhimokratia” me ish-kryeministrin Karamanlis bëri që ky vend te ketë numrin më të ulët për sa i përket dhënies së nënshtetësisë emigrantëve të ardhur nga vendet e treta. Faktikisht në 27 vende anëtare të BE-së, për vitin 2007 morën nënshtetësinë e vendit ku jetojnë dhe punojnë 707.110 të huaj, ndërsa për 2008 numri ra në 696.880. Për 2008, emigrantët shqiptarë që kishin marrë nënshtetësinë greke zinin 59 për qind, ose 9.996 njerëz, ndërsa 7.6 për qind nga Gjeorgjia, dhe 4.9 për qind nga Rusia. Pra, për këto vende bëhet fjalë për shtetas të huaj me kombësi greke edhe pse shërbimi statistikor nuk e sqaron plotësisht këtë, pasi vetkuptohet qartë.
Në vendet e tjera të BE
Vendet e tjera të BE-së ndryshe nga Greqia kanë një politikë më të qartë për integrimin e emigrantëve, duke e lënë Greqinë në vendin e fundit, edhe pse ka 30 vjet që është anëtare e bllokut. Emigrantët për nga numri më i madh që morën nënshtetësinë vinin: Maroku me 64.000 emigrantë, Turqia 50.000, Ekuadori 27.000, Algjeria 23.000 dhe Iraku 20.000. Në Rumani 89 për qind e emigrantëve që morën nënshtetësinë e këtij vendi ishin nga Moldavia, ndërsa në të kundërtën 68 për qind që kanë marrë nënshtetësinë hungareze janë rumunë. Në Bullgari, vendi ku nënshtetësia jepet shumë lehtë, 51 për qind që përfituan nënshtetësinë bullgare vijnë nga vendet e ish-Jugosllavisë, si Maqedonia etj.

Në katër muaj, 166 shqiptarë lanë nënshtetësinë
TIRANË - Brenda katër muajsh, 166 shqiptarë kanë hequr dorën nga shtetësia e tyre, duke marrë tjetër, të vendeve ku ata jetojnë dhe punojnë. Janë tetë dekrete të firmosura nga presidenti Bamir Topi gjatë katër muajve të parë të 2010-s, duke lejuar largimin e 166 shqiptarëve, ndërkohë që vetëm 51 të huaj kanë marrë shtetësi shqiptare. Hapja e Shqipërisë ndaj botës është shoqëruar edhe me një fenomen pak të panjohur më parë për shqiptarët, atë të lënies së shtetësisë shqiptare dhe përqafimit të një shtetësie tjetër të huaj. Vitet e tranzicionit, përveç ndryshimeve demokratike, kanë sjellë dhe një lëvizje të madhe demografike jo vetëm brenda vendit, pra nga fshati në qytet, por edhe nga Shqipëria drejt vendeve të tjera të huaja. Nuk bëhet fjalë për emigrantët, por për ata persona që kanë vendosur të ruajnë vetëm kombësinë shqiptare, por jo shtetësinë. Presidentët shqiptarë në këto 19 vite demokraci, kanë dekretuar mijëra kërkesa për lënie nënshtetësie.

Shqiptarët bëhen bullgarë, në këmbi të pasaportës së BE
SOFJE - Të paktën 13 shqiptarë janë bërë shtetas bullgarë. Lajmi është dhënë nga agjencia e lajmeve Focus, e cila ka bërë të ditur shifrat e shtetasve të huaj që iu është miratuar kërkesa për shtetësinë nga Ministria e Puneve të Jashtme të Bullgarisë. Sipas ministrit pa portofol të qeverise së Sofjes, Bozhidar Dimitrov janë 9800 persona të huaj që kanë marrë shtetësinë bullgare gjatë këtij viti. Numrin më të madh e ka Maqedonia, me 411 persona. Pas tyre vijnë Ukrahina dhe Rusia. Mes aplikimeve, ka pasur edhe shumë shqiptarë. Një gjë e tille ka shërbyer që Bullgaria të kërkojë nga Tirana zyrtare që të njohë minoritetin bullgar në Shqipëri. Aktualisht, është një shoqatë me emrin “Golloborda” që pretendon se ata vijnë nga Bullgaria. Kërkesat për shtetësinë bullgare u shtuan, sidomos nga shtetas maqedonas dhe shqiptarë, kur Bullgaria u pranua në Bashkimin Europian në vitin 2007.

Samaras: Emigrantët duhet të
lënë nënshtetësinë e vendit të tyre
ATHINË - Nënshtetësia sa vjen dhe po bëhet një mollë sherri duke përçarë politikën vendase. Kryetari i opozitës z. Antonis Samaras i është rikthyer përsëri vendimeve të tija raciste me tonë të ashpra brenda Parlamentit, duke deklaruar edhe platformën e partisë së tij për emigracionin. Ai ka kërkuar që integrimi i emigrantëve të bëhet gradualisht dhe pa u nxituar deri në atë shkallë sa që mund të durojë shoqëria, ndërsa për fëmijët e emigrantëve ka theksuar se, “Jemi të detyruar që këtë ligj të PASOK-ut ta ndryshojmë kur “Demokracia e Re” (Nea Dhimokratia) të marrë pushtetin. Dhe angazhohemi qartë që tani për këtë. Fëmijët e emigrantëve të ligjshëm që lindin këtu do ta marrin të drejtën e nënshtetësisë kur të arrijnë moshën madhore. Mirëpo, që të ushtrojnë këtë të drejtë do të duhet të zgjedhin ndërmjet nënshtetësisë greke dhe nënshtetësisë së vendit të prindërve të tyre, dhe së dyti të kenë kryer arsimin nëntëvjeçar, që është i detyrueshëm edhe për grekët. Nëse fëmijët që do të marrin nënshtetësinë do të zhvillojnë një ndërgjegje komuniteti të ndryshme nga ajo e shoqërisë ku u rritën, këtu ka problem”.

Ministri i Brendshëm Ragusis:
Legalizim emigrantëve
ATHINË - Vendimi i qeverisë për nënshtetësinë, vendim historik. Me gjithë presionet e opozitës për të rishikuar edhe njëherë vendimet për dhënien e nënshtetësisë, ministri i brendshëm Ragusis nuk bën asnjë hap prapë, duke patur parasysh se ky vendim mund te ketë edhe një kosto politike. Në një kohë kur edhe brenda partisë së tij ka element që ngurojnë të përqafojnë vendime te tilla. Lidhur me këtë kohët e fundit qeveria po bën takime te njëpasnjëshme me përfaqësues te emigranteve për të kërkuar mbështetjen e tyre. Në takimin e fundit me përfaqësues të komuniteteve të emigrantëve , në sallën e partisë së Pasokut, ministri i Brendshëm grek, Ragusis ka deklaruar se: “Qeveria nuk do të bëjë mbrapa në vendimin e vet, me gjithë presionet e opozitës. Nuk kemi për të bërë asnjë cm mbrapa. Besojmë vërtet te kjo që bëmë, besojmë se kjo do të ndihmojë Greqinë, të gjithë neve, do të krijojë një shoqëri të vërtetë, e do të jetë shumë më e mirë se sa kjo që është sot. Ky regjim i papranueshëm i mungesës së rregullave, mungesës së parimeve, ishte një regjim i papranueshëm izolimi për qindra mijëra emigrantësh. Por para dhënies së nënshtetësisë me mijëra emigrantë qëndrojnë sot të izoluar nga burokracia shtetërore të dikastereve për rinovimin e dokumenteve”.

26 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›