E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pastrehët, në shtator shpërndahen 50 banesat e para

26/07/2010 Strehimi, miratohet komisioni i ri për përzgjedhjen e familjeve përfituese

Gjithsej janë 190 apartamente me kredi të butë, fillon klasifikimi

ELBASAN- Në shtator do të fillojë ndarja e 50 apartamenteve të para me kredi të butë nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit. Burime pranë bashkisë bëjnë të ditur se shumë shpejt do të shpallen listat e personave që kanë dokumentacionin e rregullt të aplikimit dhe më pas do të bëhet përzgjedhja e 50 të parëve. Me vendim të Këshillit Bashkiak është ngritur Komisioni i ri i Strehimit që do të administrojë shpërndarjen e 190 apartamenteve me kredi të butë dhe 90 apartamenteve me qira të ulët. Komisioni i ri do të përbëhet nga specialistë të Bashkisë Elbasan. Fillimisht zyra e Strehimit në Bashki do të klasifikojë listat për t’i kaluar më pas nëpërmjet këtij komisioni të drejtuar nga një prej nënkryetarëve të Bashkisë. Përzgjedhja e përfituesve nga 3 mijë aplikimet do të bëhet nëpërmjet kritereve të vendosura fillimisht dhe më pas miratimit të emrave në plotësimin e dokumentacionit që përbën edhe fazën e dytë. Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u diskutua përfshirja edhe të personave nga grupet interesi si shoqatat e Jetimeve, e Invalidëve, Forumi i Gruas etj. Pasi është vendosur pjesëmarrja e tyre në komision, është miratuar lista e prezantuar nga bashkia si anëtarë të këtij komisioni. Kështu ky komision do të përbëhet nga Dritan Çepa, nënkryetar i Bashkisë, kryetar komisioni, Alfred Malkja, specialist në sektorin e strehimit, Ornela Guranjaku specialist jurist, Arben Hoxha, avokat i qytetit, Ornela Deliallisi jurist, Fatmir Myftiu, përgjegjës i sektorit të strehimit, Saida Muça specialist jurist, Besnik Molloholli specialist në sektorin e shërbimeve publike, Ilir Zjarri, zyra e Informacionit. Gjithashtu do të përfshihen kryetarët e 6 njësive administrative të Elbasanit, të cilët do të përgjigjen për listën e qytetarëve në rajonin e tyre për të cilët do të bëjnë edhe verifikimet e duhura. Përfaqësuesit e Organizatave Jofitimprurëse do të vendosen në ditët në vazhdim. Hyrja në funksion e këtij komisioni bën që të fillojë edhe procesi i përzgjedhjes së 190 përfituesve nga strehimi me kredi të butë. Komisioni i përzgjedhur do të bëjë vetëm klasifikimin. Është Këshilli Bashkiak që do të vendosë miratimin ose jo të listës së të pastrehëve që do të çojë për miratim bashkia. Gjithashtu pritet të shpërndahen rreth 90 apartamente në ndërtim me qira të ulët për shtresat në nevojë. Ngritja e këtij komisioni ka vonuar ndjeshëm fillimin e procesit për ndarjen e apartamenteve për të pastrehët në Bashkinë Elbasan.

L. Lleshi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›