E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votat e LSI-së, përcaktuese për fatin e Bahri Shaqirit



Eljona Ballhysa
Kryeministri Berisha dhe zëvendësi i tij, Ilir Meta kanë dalë dje me një qëndrim të përbashkët, përsa i përket kufizimit të mandatit të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Informativ Shtetëror. Gjatë një prononcimi për mediat, kreu i qeverisë u shpreh i vendosur për të kufizuar mandatin e kreut të SHISH-it, ndërsa nuk bëri të ditur, nëse ndryshimet në ligj do të votohen në seancën e së henës, ose do të shtyhen në shtator. Në të njejtën linjë qëndrimi ishte dhe zëvendës kryeministri Ilir Meta. I pyetur pak minuta pas deklaratës së Berishës, Meta theksoi domosdoshmërinë e kufizimit të mandatit të drejtuesit të SHISH-it, por tha se çdo ndryshim në ligj duhet të bëhet në konsulencë të vazhdueshme me partnerët ndërkombëtarë. Ndërkaq, Kuvendi i Shqipërisë ende nuk ka njoftuar deputetët në lidhje me axhendën e seancës së fundit për këtë sesion parlamentare. Ligjvënësit ende nuk dinë nëse drafti për SHISH-in do të votohet të hënën ose do të shtyhet për në shtator. Burimet, ndërkaq, bëjnë të ditur se partitë e mëdha politike kanë njoftuar deputetët që të jenë të gjithë të pranishëm në seancën maratonë të ditës së hënë. Kjo për shkak se palët kanë nisur të bëjnë llogaritë e kartonave dhe sipas llogarive duket se votat e deputetëve të LSI-së janë përcaktuese për rrëzimin ose jo të ligjit të SHISH-it. Synimi i këtij projekligji duket se është pikërisht shkarkimi i drejtorit aktual Bahri Shaqiri për të cilin, burimet njoftojnë se nuk ka marrëdhëie të mira me kryeministrin Berisha.
Qëndrimi
“Në këtë vend nuk do të ketë zyrtarë të lartë të emëruar pa mandat. Ky është një qëndrim përfundimtar i Kryeministrit të vendit. Vendet anëtare të NATO-s në tërësinë e tyre i kanë të gjithë zyrtarë me mandate të ndryshme. 4 vjet e kanë mandatin për Kryeministrin, 4 apo 5 vjet e kanë mandatin për Presidentin, dikush me mandat më të shkurtër, dikush me mandat më të gjatë. Por mandatet janë një normë dhe një standard i vendeve demokratike”, - është shprehur për mediat kryeministri Berisha. I pyetur nga mediat nëse ky projektligj do të votohet gjatë seancës së ditës së hënë, ai sugjeroi që kjo pyetje t’i drejtohet Kuvendit. “Po ja ku e ke ndërtesën tjetër ti atje, Parlamentin. Këto janë çështje të Parlamentit. Për Kryeministrin ishte qëndrimi ndaj mandatit”, është shprehur Berisha. Por fill pas qëndrimit të Berishës ka ardhur dhe qëndrimi i kreut të LSI-së, Ilir Metës. “Është tepër parimore që çdo zyrtar i lartë të ketë mandat të përcaktuar dhe kjo është pothuajse për të gjithë përfaqësuesit e të gjithë institucioneve të tjera. Edhe për institucionin në fjalë kjo është mëse normale, që të vendoset një afat ligjor. Por njëkohësisht është shumë e rëndësishme që ky afat të jetë në kuadër të një rregullimi dhe përcaktimi ligjor që garanton qëndrueshmërinë dhe pavarësinë e këtij institucioni. Kjo ka qenë dhe është arsyeja pse unë e kam theksuar rëndësinë që çdo ndryshim është e rëndësishme që të bëhet në mënyrë të mirëkonsultuar me NATO-n”, - është shprehur zëvendëskryeministri, Meta, i cili gjithashtu shtoi se nuk ka asnjë informacion nëse ligji do të futet për votim të hënën apo do të shtyhet për në shtator.
Llogaritë
Mësohet se të gjitha partitë parlamentare kanë njoftuar deputetët që të jenë të gjithë të pranishëm në seancën e ditës së hënë. Kështu, Astrit Patozi i ka kërkuar deputetëve të grupit Parlamentar të PD-së që të mos ketë mungesa në sallë gjatë seancës së fundit për këtë sesion parlamentra. Të njejtën gjë ka bërë edhe kreu i deputetëve socialistë, Gramoz Ruçi. Në rast se në sallë do të jenë të pranishëm të gjithë deputetët e PS-së, atëherë drafti për SHISH-in, nëse futet në votim merr 64 votat e PS-së kundër. Duke i shtuar edhe votat e dy deputetëve të PDU-së që janë deklaruar kundër draftit, numri shkon në 66. Edhe Vangjel Dule mësohet se do të votojë kundër draftit në fjalë dhe numri i votave kundër projektligjit të SHISH-it, shkon në 67. Ndërkaq, PD-ja bashkë me votën e Fatmir Mediut, nëse kjo do të jetë pro, ka 69 vota në mbështetje të ndryshimeve në ligj, të pamjaftueshme për ta miratuar, pasi duhen 70+1. Pra përcaktuese për të kaluar apo jo këtë draft, janë pikërisht, 4 votat e deputetëve të LSI-së.

Balla: “Kryetarja Topalli të publikojë axhendën e punimeve të Kuvendit”

Deputeti i Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli të mos pengojë publikimin e axhendës kalendarike të Kuvendit.
Sipas tij, kryetarja Topalli ka penguar administratën e Kuvendit për të bërë publike kalendarin e punimeve të Kuvendit duke thyer rregulloren e Kuvendit. “Unë i bëj thirrje kryetares së Kuvendit të çlirojë drejtoritë nga presioni, përkundrejt mosdhënies për deputetët dhe për Grupin Parlamentar të PS-së rendin e ditës, por ta bëjë publik këtë rend dite, jo vetëm për deputetët, por ta bëjë publik rendin e ditës së hënë, edhe për mediat, edhe për publikun e gjerë shqiptar”, - u shpreh Balla. Balla i ka rikujtuar Topallit nenit 27 për kalendarin e punimeve të Kuvendit, ku në paragrafin 5 thuhet që, “kalendari i punimeve të Kuvendit përmban në mënyrë të detajuar kohën kur kuvendi zhvillon punimet në seancë plenare dhe komisione. Kalendari publikohet dhe ju shpërndahet deputetëve, si edhe ju vihet në dispozicion përfaqësuesve të medias. Në çdo rast rendi i ditës duhet të jetë bërë publik të paktën dy ditë përpara datës së caktuar për mbledhjen e komisionit ose seancës plenare”. Gjithashtu, edhe në nenin 30, paragrafi 2, përcaktohet që, “ drejtuesi i seancës plenare ose kryetari i komisionit para se të mbyllë përkatësisht seancën ose mbledhjen njofton orën e fillimi të seancës plenare ose të mbledhjes së ardhshme”. Ndërkohë që kryetarja e Kuvendit, tha Balla, ditën e enjte nuk njoftoi orën e fillimi të seancës së ardhshme të Kuvendit. “Në këtë moment që flasim (dje) jemi më pak se 48 orë nga orari që pritet të fillojë seanca plenare. Ne nuk kemi një njoftim zyrtar apo publik orarin e fillimit të seancës plenare, sikurse nuk ka një njoftim publik për rendin e ditës të seancës plenare të ditës së hënë. Kjo është një thyerje e ashpër e rregullores së Kuvendit”, - tha Balla. Ndërkaq zyra e shtypit e Kuvendit nuk ka bërë asnjë njoftim në lidhje me rendin e ditës së seancës së të hënës.

Reagon Presidenti

Topi për draftin e SHISH-it: “Do mbetem luajal i parimeve të NATO-s”

Presidenti Topi ka reaguar dje në lidhje me projektligjin për SHISH-in. I pyetur nga mediat se cili është qëndrimi i tij kreu i shtetit në mënyrë të kujdesshme tha se ai do të mbetet luajal ndaj parimeve të NATO-s. Një deklaratë e tillë e kreut të shtetit nënkupton mjaft qartë qëndrimin e tij kundër ndryshimeve në ligj. Megjithatë Presidenti garantoi se ai do të flasë nëpërmjet të drejtës së dekretit, pasi parlamenti të thotë “fjalën” e tij. “Sigurisht që jam shumë i kujdesshëm për t’ju thënë edhe njëherë që nuk mund të paragjykoj asnjë lloj vendimi të Kuvendit, sepse Presidenti flet në momentin kur ka një vendimmarrje të Kuvendit dhe realizohet komunikimi zyrtar midis Institucionit të Kuvendit dhe Institucionit të Presidentit. Por ajo që mund të them në parim është se unë kam qenë dhe mbetem dhe do të jem gjithmonë luajal i parimeve fondamentale të Aleancës së Atlantikut të Veriut, që është aleanca më e madhe e paqes dhe e sigurisë. Pra nga ky parim i madh natyrisht që dalin edhe përfundime të mëdha, të rëndësishme”, është shprehur kreu i shtetit. Ai gjithashtu bëri të ditur se në fillim të sesionit të ri parlamentar do të dërgojë emrat e rinj për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese, si dhe për kreun e këtij institucioni. “Sigurisht që unë jam i kujdesshëm në të gjitha procedurat. Besoj që kur bëni pyetjen, duhet ta dini edhe rregullimin ligjor e kushtetues. Asgjë nuk e pengon Kryetarin aktual të Gjykatës Kushtetuese të ushtrojë detyrimet e tij, por besoj që fillimi i sesionit të ri parlamentar do të sjellë edhe emra të rinj, që nuk kanë të bëjnë vetëm me kryetarin, por edhe me anëtarë të tjerë që janë të detyruar për të plotësojnë vendet vakante”, - është shprehur presidenti Topi.

SHISH, Majko: “Në rrezik anëtarësimi në NATO”

Ish-ministrat e Mbrojtjes të mazhorancës dhe opozitës shprehen se çdo ligj për SHISH-in duhet të kryhet në konsultim të ngushtë me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por për Pandeli Majkon, ish-ministrin socialist, veprimet aktuale të qeverisë kanë sjellë sinjale të forta shqetësimi për pasojat që mund të ketë për vendin, në raport me aleancën, miratimi i këtij ligji në mënyrë të njëanshme. Ai paralajmëroi sanksione të forta, në rast mostërheqjeje nga kjo inisiativë, e cila, sipas tij, mund të rrezikojë statusin e Shqipërisë në aleancë. “Opozita në këto momente po kërkon të respektohet marrëveshja e anëtarësimit në NATO, që do të thotë se Shqipëria çështjen e sovranitetit të sigurisë e ka ndarë me NATO-n dhe konsulta me NATO-n për ligjin për SHISH-in, mbetet esenciale dhe e pazëvendësueshme. Kemi të bëjmë me një problem jo më teknik por politik dhe nga ato që di unë mund të diskutohet statusi i anëtarit të NATO-s”, - u shpreh Majko. Ndërsa vlerëson se mazhoranca ka një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunimi me NATO-n, ish-ministri tjetër i mbrojtjes dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, megjithatë thekson se konsultimi është një moment kyç, i cili në asnjë moment nuk duhet anashkaluar. “Unë mendoj që shënimi i NOS-it, patjetër që duhet të japë vlerësimin e vet. Une uroj që të jetë bërë konsulta dhe nëse jo, uroj të bëhet ajo që ështe e domosdoshme”, - tha Mediu. Përsa i përket qëndrimit të shprehur nga SHBA nëpërmjet ambasadorit Withers, Mediu ka një vlerësim të qartë. “Besoj që çdo marrëdhënie që ne kemi krijuar në bashkëpunim me NATO-n e ka patur këshillimin e SHBA-së në reformën e inteligjencës dhe në reformën e Forcave të Armatosura, në mënyrë permanente dhe si e tillë besoj se padyshim zëri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces ka një vlerë të jashtëzakonshme”, - tha Mediu.

26 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›