E Diel, 1 Nëntor 2026

Si mund të shmangni gjobat me hipotekën

26/07/2010 Kreu i zyrës së Pasurive Të Paluajtshme Korçë, Koço Bello: Ja shkeljet e zakonshme

KORÇE- Ndodh që kur dikush vendos të shkojë në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për të kryer veprime me këtë zyrë, punonjës të saj t’i thonë: “Fillimisht ju duhet të paguani një gjobë dhe pas kësaj do të kryejmë veprimet që dëshironi”. Në raste të tilla qytetari mbetet i habitur: përse duhet të paguajë gjobën, kur prona është e tij, ose që në një rast tjetër mund ta ketë blerë ose mund t’ia kenë dhuruar dhe, sipas qytetarit, duhet të jetë ai që duhet të vendosë se kur mund ta kryejë këtë regjistrim pasurie. Por e vërteta nuk është kështu. Çdo institucion e ka të rregulluar funksionimin e tij mbi bazën e ligjeve. Atëherë si mund të shmangen gjobat e kësaj natyre. Të gjitha këto shpjegime i jep titullari i zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Koço Bello.

Transaksionet

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, tha Koço Bello, po shndërrohet çdo ditë e më shumë në një zyrë në shërbim të qytetarëve. “Ne dëshirojmë që ky bashkëpunim të jetë sa më i mirë dhe efikas. Për këtë gjë ndihmon edhe informimi sa më i mirë i qytetarëve. Është punuar mjaft në këtë drejtim, por sërish na mbetet punë për t’u bërë. Për këtë arsye, dëshiroj t’i bëj me dije qytetarët mbi disa aspekte ku vërehet neglizhenca e tyre, që me sa duket ose nuk kanë informacionin e nevojshëm, ose kjo ndodh për arsye të ndryshme. Megjithatë, pavarësisht nga arsyet, çdo qytetar duhet të dijë se kur kryen një transaksion, që do të thotë, kur kanë një dëshmi trashëgimie, kur ka një vendim gjykate, ose kur ka një dhuratë noteriale etj, ai është i detyruar që brenda muajit nga dita e kryerjes së transaksionit duhet të paraqitet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, me qëllim që zyra, mbi bazën e dokumenteve që disponon qytetari të realizojë kalimin e pronësisë. Por çfarë ndodh në realitet? Shpesh herë, qytetarët pasi kryejnë këto veprime në gjykatë apo noteri, nuk paraqiten, duke menduar se këtu gjithçka ka përfunduar. Në të vërtetë nuk është kështu. Për këtë arsye dëshiroj t’u tërheq vëmendjen qytetarëve se, është e nevojshme që ata të paraqiten brenda muajit, pasi me kalimin e këtij afati ka sanksione, gjobë për ditëvonesë në paraqitjen e dokumentacionit. Pra, duke respektuar vetëm këtë kërkesë, çdo qytetar ka mundësinë të shmangë sanksionet”, thotë Bello.

Shitblerjet e vitit ‘91-‘92

Në vijim të këtij informacioni, kreu i zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Koço Bello, bëri të ditur se ka ende qytetarë që në transaksionet e shitblerjeve që kanë bërë për shitblerjen e pallateve në vitet ‘91 –‘92, ende nuk kanë marrë certifikatën e pronësisë, kur marrja e saj kushton vetëm 50 lekë. Sigurisht që këto kontrata shitblerjeje janë të hipotekuar në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por që gjithçka të marrë formën ligjore, është e domosdoshme që qytetari të sjellë në këtë zyrë dokumentacionin që zotëron dhe në të njëjtën kohë të pajiset me certifikatën e pronësisë, marrja e së cilës nuk vonohet më shumë se 8 ditë. Veç kësaj kur qytetarët, për arsye të ndryshme, nuk mund të paraqiten në hipotekë, mund t’i drejtohen asaj edhe përmes postës. Zyra ka detyrimin që edhe në këto raste të kryejë të gjitha veprimet dhe gjithçka t’ia dërgojë po me postë në shtëpi. Në të vërtetë kjo mënyrë aplikimi ka vijuar të shfrytëzohet nga një pjesë e mirë e qytetarëve, sepse radhët pranë zyrës po bëhen më të pakta, por ne dëshirojmë që bashkëpunimi mes zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe qytetarëve të jetë së më i mirë, të jenë sa më të informuar, mundësisht të mos vendosim gjoba për thyerje afatesh, por gjithçka mbetet në dorë të qytetarëve. Gjithsesi, vërejmë se ende kemi punë për të bërë në këtë drejtim”, përfundoi titullari i zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Korçë, Koço Bello

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›