E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE: CEZ të paguajë borxhin ndaj KESh-it

Enti Rregullator i Energjisë Elektrike reagoi dje në lidhje me konfliktin mes kompanisë “CEZ Shpërndarje” dhe KESh-it për borxhet. Drejtori juridik i Entit Rregullator të Energjisë, Eduard Elezi, reagoi në lidhje me konfliktin mes kompanisë “CEZ Shpërndarje” dhe KESH-it për borxhet. Elezi sqaron se kompania CEZ duhet t’i paguajë detyrimet KESh-it, të cilat nuk janë debi të trashëguara, por një borxh i ri, i krijuar që prej kohës kur dy kompanitë kanë lidhur kontratat. Elezi shton nga ana tjetër se është zhvilluar një seancë dëgjimore, ku kompanitë kanë shprehur shqetësimin për borxhet. Por nga ana tjetër ai ka pohuar se shumë konsumatorë janë ankuar pranë Entit për parregullsitë që kryen CEZ në procesin e faturimit të energjisë. KESh sqaroi pak ditë më parë se kompania e Shpërndarjes së Energjisë i detyrohet 7 miliardë lekë, shumë kjo e mjaftueshme për të siguruar importin e nevojshëm të energjisë për disa muaj. Borxhi tashmë është në një proces gjyqësor, përveç mungesës së reshjeve aq të nevojshme për furnizimin e vendit me energji. Kompania CEZ Shpërndarje ka sqaruar, se borxhi prej 55 milionë eurosh ndaj KESH-it është trashëguar para dhe pas privatizimit të kompanisë dhe janë detyrime të papaguara të shtetit ndaj CEZ-it. Madje, sipas burimeve zyrtare në CEZ, detyrimet e shtetit janë më të larta se borxhi që CEZ ka ndaj KESH-it. Çka do të thotë se shteti me ndërmarrjet dhe institucionet e tij nuk e ka shlyer energjinë e konsumuar. Kompania CEZ e gjendur para kësaj situate, nuk ka shlyer disa prej detyrimeve ndaj KESh-it, të cilat nuk janë të këtij viti. Burimet zyrtare në CEZ sqaruan se kompania është në negociata me qeverinë për zgjidhjen e kësaj situate. Madje, për këtë qëllim është organizuar një tryezë e përbashkët me Ministrinë e Financave dhe me përfaqësuesit e KESh-it. Nga negociatat, CEZ pret që qeveria të përcaktojë një kalendar pagesash, të cilat në momentin që do të arkëtohen nga CEZ do të shkojnë për shlyerjen e borxheve të KESh-it.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›