Shqiptarët flasin më shumë në telefon se një vit më parë
Sipas të dhënave të AKEP për 6-mujorin e i të vitit 2011, vihet re një tendencë e rritjes së përdorimit mesatar të thirrjeve telefonike si dhe shërbimit të SMS-së. Mesatarisht, një përdorues i telefonisë celulare, ka kryer 85 minuta thirrje dalëse dhe ka marrë 96 minuta thirrje hyrëse. Ky rezultat sjell në përfundimin se një përdorues ka pasur 181 minuta komunikim në muaj për gjashtëmujorin e parë 2011, një shifër që sipas ekspertëve të AKEP-it është rreth 5.9% më shumë se në vitin 2010; dhe ka dërguar rreth 12 SMS në muaj ose 20% më shumë se më 2010. Pavarësisht rritjes së përdorimit të shërbimeve celulare, kompanitë e këtij sektori kanë shënuar reduktim të të ardhurave krahasuar me vitet paraardhëse dhe ky reduktim i të ardhurave reflektohet edhe në të ardhurat që buxheti i shtetit ka grumbulluar nga një prej sektorëve që ka marrë një rëndësi të madhe kohët e fundit, ajo e shërbimeve, ku përfshihen edhe kompanitë celulare. Për shtatë muajt e parë të këtij viti në sektorin e shërbimeve kontributi në pagesën e TVSH-së është ulur me 24%. Sipas të dhënave rritja e konkurrencës ne treg dhe metodologjia e AKEP për uljen e tarifave janë arsyeja e kësaj uljeje të të ardhurave të kompanive celulare në vend. Në fund të 6-mujorit të parë të 2011, sipas të dhënave të AKEP-it, numri i përdoruesve të telefonisë së lëvizshme arriti në afërsisht 4,74 milionë, që përbën një normë penetrimi prej 148 për qind, e cila është rreth 8 herë më e lartë se sa viti 2010. Norma e penetrimit është numri i përdoruesve për 100 banorë. Kjo normë e penetrimit për telefoninë celulare është mbi nivelin mesatar të vendeve të BE-së, sipas vlerësimit të AKEP-it.