E Shtunë, 31 Tetor 2026

ERE: “Ne vendosim për çmimin e energjisë, jo rritje për 09-ën”

Autori i Lajmit: red.
“Gjatë vitit 2009 nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike", ky ka qenë reagimi i Bujar Nepravishtës, Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, ndaj deklaratës së ekspertit të Bankës Botërore, një ditë më parë, që kërkoi rritje të çmimit të këtij produkti në masën 6 deri në 10 për qind.
Nepravishta ka sqaruar se ERE është i vetmi institucion, i cili mund të vendosë për rritjen e çmimit të energjisë, por duke iu përgjigjur interesit të medies nëse do të ketë rritje të çmimit të energjisë për vitin 2010 ai tha se," ende është herët për të folur. "Përsa i takon TVSH-së në faturat e energjisë elektrike për konsumatorët, Nepravishta tha se heqja e TVSH-së për faturat e konsumatorëve është në dorë të qeverisë.
Privatizimi i OSSH-së
Debati për rritjen e çmimit të energjisë vjen pikërisht pas miratimit në Komisionin e Ekonomisë të kalimit të 76 për qind të aksioneve shtetërore tek kompania ceke CEZ. Komisioni i Ekonomisë ka miratuar kontratën e shitjes së OSSH dhe kjo kontratë pritet që brenda javës të kalojë edhe në seancë plenare.
Qëndrimi i Bankës Botërore
Një ditë më parë ekspertët e Bankës Botërore sqaruan se në pagesën e energjisë, një në 5 lekë i shkon shtetit dhe jo kompanisë, ndaj është në dorë të ekzekutivit për të vendosur ta heqë atë ose jo. Banka Botërore parashikon që çmimi i energjisë në vitin 2010 të rritet në varësi të tregut ndërkombëtar. "Ndër zhvillimet më të rëndësishme që do të vijnë nga privatizimi është reduktimi i humbjeve. Aktualisht e gjithë energjia që importohet mbulon humbjet, ndërkohë që CEZ ka marrë përsipër që të ulë më 17 për qind në 5 vjet humbjet. Realizimi i këtij objektivi krijojë mundësinë që tarifat të mbeten në nivelet aktuale", tha Dimitris Papathanasiou, drejtor për energjinë në zyrën e BB, Tiranë.

Ky lajm është publikuar: 16/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›